Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit, kur erdhi profeti Nathan tek ai, mbassi hyni te Bathshevaja.
1 Përdëlle-më, o Perëndi, mbas përdëllimit tand, mbas të shumëtit të dhimptunavet tua, shuei pa-udhënit’ e mia.
2 Lai-më tepërë prei pa-udhënisë s’eme, edhe qiro-më prei fajit t’em.
3 Se unë ngjof pa-udhënit’ e mia, edhe faji em ashtë përpara meje kurdo.
4 Mbë tyi, vetëmë mbë tyi fëjeva, edhe bana të keqenë përpara teje, qi të dalish i dreitë ndë fjalët e tua, edhe të jesh i këthiellëtë ndë gjyqet’ e tu.
5 Qe tek u zushë ndë pa-udhëni, edhe ama eme më puell ndë faje.
6 Qe te deshe të vërtetënë ndë zemërë, edhe ke me më diftuem dituni ndë të thellat e zemësë.
7 Stërpik-më me hyssop, edhe kam me u qiruem, lai-më, edhe kam me u bamë ma i bardhë se bora.
8 Ban-më me ndëgjuem gëzim e gazmend, qi të gëzohen’ eshtënat’ e thyeme.
9 Këthe mbënjanë faqenë tande prei fajevet mi, edhe shuei gjithë pa-udhënit’ e mia.
10 Krijo zemërë të këthiellëtë tek unë, o Perëndi, edhe përtëri përmbrenda meje frymë të dreitë.
11 Mos më hith tej prei faqesë s’ate, edhe mos merr prei meje frymënë tande të shenjtënuemenë.
12 Ep-ma prapë gëzimin’ e shpëtimit t’yt, edhe forco-më me frymë zotënishte.
13 Kam me mësuem ata qi dalinë jashtë udhësë s’ate, edhe fajtorëtë kanë me u këthyem te ti.
14 Shpëto-më prei gjaknash, o Perëndi, Perëndia i shpëtimit t’em, edhe gjuha eme ka me u gëzuem tue kënduem për dreitëninë tande.
15 Zot, çil buzët’ e mia, edhe goja eme ka me dëftyem lavdiminë tand.
16 Se, të dashëkeshe kurban, do të kishiem prumë, por kurbane gjithë-dieguna nukë të pëlqejënë.
17 Kurban’ i Perëndisë ashtë frym’ e thyeme, zemërën’ e thyeme edhe të përvume s’ke me e hedhunë tej, o Perëndi.
18 Ban-i mirë Sionësë me pëlqiminë tand, edhe ndërto muret’ e Ierusallemësë.
19 Atëherë ke me pëlqyem kurban dreitënie, dhunëtia, edhe kurbane gjithë-dieguna; atëherë kanë me prymë viça mbi therorenë tande.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. 2 Kur erdhi tek ai profeti Natan, pasi Davidi kishte shkuar me Batshebën.
3 Ki mëshirë për mua, o Perëndi,
në mirësinë tënde,
në dhembshurinë tënde të madhe,
fshiji paudhësitë e mia.
4 Lamë tërësisht prej fajit tim,
prej mëkatit tim pastromë.
5 I njoh paudhësitë e mia,
mëkatin tim e shoh përherë.
6 Ndaj teje, vetëm ndaj teje mëkatova,
bëra ligësi para syve të tu.
Prandaj, je i drejtë në vendimet e tua
dhe i paqortueshëm kur gjykon.
7 Ja, unë linda në paudhësi,
në mëkat më ngjizi ime më.
8 Ti e do të vërtetën në brendinë e qenies,
ndaj bëmë të njoh urtinë në thellësitë e mia.
9 Pastromë me hisop e do të bëhem i pastër,
lamë e do të jem më i bardhë se dëbora.
10 Bëmë të ndiej gëzim e ngazëllim
e do të gëzohen eshtrat që thërrmove.
11 Ktheje fytyrën tënde larg mëkateve të mia
e fshiji tërë fajet e mia.
12 Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi,
përtëri brenda meje një shpirt të palëkundur.
13 Mos më dëbo nga prania jote
e mos ma hiq shpirtin tënd të shenjtë.
14 Kthema gëzimin e shpëtimit tënd
dhe kalit në mua një shpirt vullnetmirë.
15 Do t'u mësoj ligjshkelësve udhët e tua
e mëkatarët do të kthehen te ti.
16 Shpëtomë nga gjakderdhja, o Perëndi,
Perëndia i shpëtimit tim,
gjuha ime do të brohorasë për drejtësinë tënde.
17 O Zot, hapi buzët e mia
e goja ime do të shpallë lavdinë tënde.
18 Po ta doje flinë do ta sillja,
por flija e shkrumbimit nuk të pëlqen.
19 Fli për Perëndinë është shpirti i penduar;
zemrën e thyer e të copëtuar,
o Perëndi, ti nuk e përbuz.
20 Bëji mirë Sionit në mirëdashjen tënde,
ndërtoji muret e Jerusalemit.
21 Atëherë do t'i pëlqesh flitë e drejtësisë,
fli shkrumbimi e fli të djegura tërësisht;
atëherë do të kushtojnë viça mbi altarin tënd.