Mbë të parinë kankatuer. Psallmë për të bijt’ e Koreut.
1 Ndëgjoni këto, gjithë popujtë; mbani vesh, gjithë vendësit’ e botësë,
2 të mëdhej e të vogjilë, të pasun’ e të vobegë bashkë.
3 Goja eme ka me folunë dituni, edhe mendimi i zemrësë s’eme urti.
4 Kam me ulunë veshinë t’em ndë parabullë, kam me sgidhunë fjalën’ e errëtë me qitharë.
5 Përse të frikohem ndë ditë të keqe, kur të më qarkojë pa-udhënia qi ashtë ndë pritë?
6 Të cillëtë shpërejënë mbë të mirat e veta, edhe mburrenë për të shumën’ e pasëjesë vet.
7 Askushi s’mundetë me shpërblyem vëlla, as me dhanë Perëndisë shpërblim për atë.
8 Sepse nukë gjenë nderin’ e shpërblimit shpirtit atyne, edhe nukë gjindetë kurrë,
9 qi të rrojë për gjithë jetën’e të mos shofi prishëje.
10 Sepse shef të mençimitë qi vdesinë, sikurse edhe të marrin’ e të pa-mençiminë qi birenë, edhe lanë të mirat’ e veta ndë të tierë.
11 Ata mendohenë me vetëhe, se shtëpiat’ e atyne kanë me qenunë për gjithë jetënë, edhe të ndenjunat’ e atyne bres mbas brezi; quejënë dhenatë me ata emënat’ e vet.
12 Por njeriu qi ashtë mbë nder, nukë mbet, por u gjanë shtazëvet qi birenë.
13 Këjo udhë e atyneve ashtë marria e atyneve, por fëmijvet atyne u vijënë t’ambëla ndë gojët fjalët’ e atyne. Selah.
14 Porsi dhentë u hothnë ndë vorr, vdeka ka me i kullotunë, edhe të dreitëtë kanë me zotënuem mbi ata ndë mëngjes, edhe fuqia e atyneve ka me u vietëruem ndë vorrt, për të ndenjunit e vet.
15 Por Perëndia ka me shpërblyem shpirtinë t’em prei dorësë vorrit, sepse ka me më marrë. Selah.
16 Mos ki frikë, kur të bahet’ i pasunë njeriu, a kur t’i shtohetë lavdia e shtëpisë ati,
17 sepse kur të vdesi, s’ka me marrë me vetëhe gja, as lavdia e ati s’ka me sdrypunë bashkë me atë.
18 Ndonëse bekoi shpirtin’ e vet ndë jetë të vet, edhe njerëzitë kanë me të lavduruem, kur t’i bajsh mirë vetëvetëhesë.
19 Ka për me votunë ndë bres t’atënavet vet, për gjithë jetënë s’kanë me pamë dritë.
20 Njeriu qi ashtë mbë nder, edhe s’kupëton, i gjanë shtazëvet qi birenë.
1 Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut.
2 Dëgjojeni këtë mbarë ju popuj,
mbani vesh të gjithë ju banorët e botës,
3 vegjëlia e paria,
të pasur e të varfër bashkë:
4 Goja ime do të flasë urti,
zemra ime do të përsiatë me mençuri.
5 Do t'i vë vesh fjalës së urtë,
gjëegjëzën time do ta zbuloj me lirë.
6 Përse të frikësohem në ditë fatkeqësie,
kur të më rrethojë paudhësia e kundërshtarëve të mi,
7 e atyre që shpresojnë te pasuria e vet,
që mburren me të mirat e tyre të shumta?
8 E pra, njeriun nuk e shpengon dot njeriu
e askush nuk ia shlyen dot Perëndisë shpagimin e vet.
9 Shpengimi i shpirtit është i shtrenjtë
e nuk paguhet dot asnjëherë,
10 që njeriu të jetojë përgjithmonë
e të mos e shohë gropën e varrit.
11 Të gjithë e shohin se i urti vdes,
merr fund i marri e i pamendi
dhe pasurinë të tjerëve ua lënë.
12 Varri do të jetë shtëpia e tyre përjetë ,
banesa e tyre brez pas brezi,
edhe pse u vunë tokave emrin e vet.
13 Edhe njeriu fisnik mund të mos e gdhijë natën,
i ngjashëm është me kafshët që ngordhin.
14 Ky është fati i tyre, marrëzia e tyre,
fundi i atyre që kënaqen me fjalët e veta. selah
15 Si delet do të shkojnë drejt skëterrës
e vdekjen do të kenë bari.
Të drejtët do të sundojnë mbi ta në agim,
trajta e tyre në skëterrë do të tretet,
larg vendbanimeve të tyre.
16 Por Perëndia do ta shpengojë shpirtin tim,
prej kthetrave të skëterrës do të më nxjerrë. selah
17 Mos u frikëso kur dikush pasurohet,
kur shtëpia e tij bëhet më e lavdishme,
18 se, kur të vdesë, nuk do të marrë asgjë,
e lavdia pas nuk do t'i shkojë.
19 Sa qe gjallë, e quante veten të bekuar,
«Më thurin lavde, se më ka shkuar mbarë», mendonte.
20 Por edhe ai do të bashkohet me brezninë e etërve të vet,
që dritën nuk do ta shohin më kurrë.
21 Njeriu fisnik nuk arrin të kuptojë,
ngjan me shtazët që ngordhin.