Mbë të parinë kankatuer, mbi Shoshannim, për të bijt’ e Koreut,
Mashhil: kankë për të dashuninë.
1 Zemëra eme bunon fjalë të mirë, un’ i thom mbëretit: punët’ e mia, gjuha eme ashtë pendë shkronjësi qi shkruen hollë.
2 Ti je ma i bukurë se të bijt’ e njerëzëvet, t’u derth hir ndë buzët, përandai të bekoi Perëndia për gjithë jetënë.
3 Ngjish shpatënë tande mbi kofshët, o i fortë, ndë lavdit tande, e ndë madhënit tande.
4 Edhe shko mbarë ndë madhënit tande, edhe mbëretëno ndë të vërtetë, e ndë butësinë, e ndë dreitëni, edhe e diathta jote ka me të dëftyem punë të mërekullueshime.
5 Shigjetat’ e tua janë të prefëta, popuj kanë me ranë ndënë tyi, edhe ato shigjeta kanë me u futunë ndë zemërë t’anëmiqvet mbëretit.
6 Shkambi yt, o Perëndi, ashtë ndë jetë të jetësë, shkop dreitënie ashtë shkopi mbëretënisë s’ate.
7 Deshe dreitëninë, edhe more mëni shtrembëninë, përandai të leu Perëndia, Perëndia yt, me voj gëzimi ma tepërë se piesëtarët’ e tu.
8 Gjithë petkavet tu u vien erë myrre e aloje e kasie, kur del prei pallatevet elefandinë, andej ku të gëzuenë.
9 Bija mbëretënish ishinë ndër të ndershimet e tua, mbëretënesha ndenji së diathtash tua veshunë me petk prei ar Ofiri.
10 Ndëgjo, o bijë, edhe shif, edhe ul veshinë tand, edhe harro gjindëjenë tande, edhe shtëpin’ e tyt-et;
11 edhe mbëreti ka me dëshëruem bukurinë tande, se ai asht’ yt-zot: edhe lut ate.
12 Edhe bij’ e Tyrësëdo të dali përpara me dhunëtia, të pasunit’ e popullit kanë me iu lutunë faqesë s’ate.
13 Gjithë lavdia e së bijësë mbëretit ashtë përmbrenda, petku i asai asht’ endunë me ar.
14 Do të bihetë te mbëreti veshunë me petk të qendisunë; virgjineshatë shoqet’ e asai, mbas asai, kanë me u prumë te ti.
15 Kanë me u prumë me gëzim e me gazmend, kanë me hymë ndë shtëpi të mbëretit.
16 Ndë vend të atënavet tu do të jenë bijt’ e tu, ke me i vumë urdhënarë mbi gjithë dhenë.
17 Kam me përmendun’ emëninë tand ndë gjithë brezat, përandai kanë me të lavduruem popujtë ndë jetët të jetësë.
1 Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut», himn i bijve të Korahut. Këngë dashurie.
2 Fjalë të mira më burojnë nga zemra,
mbretit këngën time ia kushtoj,
gjuha ime si pendë bukurshkruesi.
3 Ti je më i bukuri ndër bijtë e njerëzve,
nga buzët e tua rrjedh hijeshi,
ndaj dhe Perëndia të ka bekuar në amshim.
4 Ngjishe shpatën në ijë, o trim,
për shkëlqimin dhe madhështinë tënde.
5 Ec përpara me madhështi,
për çështjen e së vërtetës kalëro,
për butësinë e për drejtësinë.
E djathta jote të dëfteftë mrekullira.
6 Shigjetat e tua janë të mprehta
për zemrat e armiqve të mbretit.
Nën ty popuj do të bien.
7 Froni yt, o Perëndi, mbetet përjetë,
skeptri yt mbretëror, skeptër drejtësie.
8 Ti e do drejtësinë,
por urren paudhësinë.
Perëndia të vajosi, Perëndia yt,
me vaj ngazëllimi,
si askënd nga shokët e tu.
9 Petkat e tua mirrë, aloe e kasie kundërmojnë,
nga pallatet e tua të fildishta
tinguj harpash të gëzojnë.
10 Bija mbretërish ka në shpurën tënde,
një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron,
stolisur me ar Ofiri.
11 Dëgjo, o bijë! Shiko e mba vesh!
Harroje popullin tënd
e shtëpinë e atit tënd!
12 Mbretit do t'i pëlqejë bukuria jote,
ai do të jetë zotëria yt
dhe para tij do të përkulesh.
13 Bija e Tirit do të vijë me dhurata,
të pasurit e popullit do të kërkojnë pëlqimin tënd.
14 Brenda është bija e mbretit, tërë lavdi,
rrobat e saj me ar qëndisur.
15 Me rroba tërë qëndisma ia sjellin mbretit
e pas i vjen shpura e virgjëreshave,
shoqet, që para teje i paraqesin.
16 I sjellin me gëzim e me hare,
i çojnë në pallatin e mbretit.
17 Pas etërve do të vijnë bijtë e tu,
princa do t'i bësh në mbarë tokën.
18 Do ta përkujtoj emrin tënd brez pas brezi,
ndaj dhe popujt do të të falënderojnë përjetë e në amshim.