Mbë të parinë kankatuer, Iedhuthunë. Psallm’ e Davidit.
1 Thashë: Do të kem kujdes nd’udhët’ e mia, qi të mos fëjej me gjuhë t’eme, do t’i ve fre gojësë s’eme, kur të jetë i pa-besi përpara meje.
2 Ndenja pa gojë e pa za, nukë pëzana as për të folunë mirë, edhe të dhimptunitë t’em u përtëri.
3 M’u nxe zemëra përmbrenda meje; kur e shkoishiem ndër mend, u ndes ziarrm përmbrenda meje, fola me gjuhë t’eme,
4 Difto-më të mbrapëmenë t’eme, o Zot, edhe numërin’ e ditvet mia, cilli ashtë, qi të ngjof edhe sa kam me rruem.
5 Qe te bane ditt’ e mia sa nji masë pëllambe, edhe koha e jetësë s’eme ashtë porsi asgja përpara teje, por ç’do njeri qi qindron mbë kambë, ashtë gjithë kotësinë. Selah.
6 Vërtet njeriu ecën ndë hie të kotë, por kot trumbullohetë; mbëleth thesorë, edhe s’di cilli ka me i mbëledhunë.
7 Edhe tashti, o Zot, ç’ pres unë? Shpëresa eme ashtë mbë tyi.
8 Shpëto-më prei gjithë pa-udhëniavet mia, mos më ban shpërnderim të marri.
9 U bash i pagojë, nukë hapa gojënë t’eme, se ti bane këte .
10 Mërgo prei meje thuprat’ e tua, sepse u lodha prei fuqisë dorësë s’ate.
11 Kur mundon njerinë me shprovime për pa-udhëninë, prish bukurin’ e ati, si pëlhurë mirmange, por kot trubullohetë ç’do njeri. Selah.
12 Ndëgjo të falunitë t’em, o Zot, edhe mba-i vesh klithmësë s’eme, mos u hesht për lott e mi, se jam i huej përanë teje, edhe i ikunë prei dheut, porsi gjith’ atënit’ e mi.
13 Len-më me marrë fuqi, para se të ikij së këtejmi, edhe të mos jem ma.
1 Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit.
2 Thashë: «Do t'i ruaj udhët e mia,
që të mos mëkatoj me gjuhën time.
Gojës sime do t'i vë fre,
sa të jetë i paudhi para meje».
3 Heshta e nuk fola,
asnjë fjalë të mirë nuk thashë,
e dhimbja ime rëndohej.
4 Kur zemra m'u ndez përbrenda
e mendimet më përvëlonin,
atëherë m'u zgjidh gjuha e fola.
5 Ma bëj të njohur, o Zot, fundin tim,
numrin e ditëve të mia,
përkohësinë time.
6 Ja, ti i pakësove ditët e mia sa një pëllëmbë,
jetëgjatësia ime s'është asgjë para teje,
çdo njeri i gjallë s'është veçse kotësi. selah
7 Vërtet, njeriu kalon si hije,
të kota janë mundimet e tij,
grumbullon pasuri,
pa e ditur për kë i mbledh.
8 E tani, ç'mund të pres, o Zot?
Shpresën e kam te ti.
9 Çliromë prej të gjitha fajeve
e mos lejo të më tallë i marri.
10 Po hesht e gojën s'po e hap,
sepse këtë e ke bërë ti.
11 Largoje prej meje fshikullimin tënd,
po marr fund nën peshën e dorës sate.
12 Njeriun e qorton e ia ndëshkon paudhësinë,
si tenja ia bren çdo gjë që dëshiron.
Të gjithë njerëzit janë veç kotësi. selah
13 Dëgjoje lutjen time, o Zot,
e vëri vesh përgjërimit tim!
Mos hesht ndaj lotëve të mi,
se i huaj jam te ti,
shtegtar si të gjithë paraardhësit e mi.
14 Largoje vështrimin tënd prej meje,
që të mund të gëzoj sërish,
para se të shkoj e të mos jem më.