Psallm’ e Davidit: për të përmendunë.
1 Zot, mos më qirto ndë zemërimt tand, as mos më mundo ndë mënit tande.
2 Se shigjetat’ e tua m’u ngulnë, edhe dora jote po më shtrëngon.
3 S’ka shëndet ndë misht t’em, për punë të zemërimit tand, s’ka paqtim nd’eshtënat e mia, për punë të fajit t’em.
4 Se pa-udhëniat’ e mia kapërcyenë kryetë t’em, porsi barr’ e randë u randuenë mbi mue.
5 Varrët’ e mia u qelpnë e u kalpnë, për punë të marrisë s’eme.
6 U bash i ngratë, edhe u ngërmuqa kreit, gjithë ditën’ ecij i vranëtë.
7 Se zorrët’ e mia u mbushnë me të nxetë, edhe s’ka shëndet ndë misht t’em.
8 U sëmuna edhe u këputa fort, ulurij prei shtrëngimit zemrësë s’eme.
9 Zot, gjithë dëshërimi em ashtë përpara teje, edhe shamtima eme s’mpëshifetë prei teje.
10 Zemëra eme përzihetë, edhe fuqia eme po më le, edhe drita e syvet mi, edhe ajo s’ashtë bashkë me mue.
11 Miqt’ e mi edhe të afërmit’ e mi rrinë përpara varrësë s’eme, edhe ma të afërmit’ e mi rrinë për së largu.
12 Edhe ata qi kërkojënë shpirtinë t’em ngrefinë kurth, edhe ata qi kërkojënë të keqenë s’eme, flasinë keq, edhe shkojënë ndër mend gënjeshtra gjithë ditënë.
13 Por unë s’ndëgjoishiem porsi shurth, edhe porsi i pagojë, qi s’hap gojën e vet.
14 Edhe ishiem porsi nji njeri qi s’ndëgjon, edhe qi s’flet kundrë me gojët të vet.
15 Se shpëreva mbë tyi, o Zot, ti ke me ndëgjuem, o Zot Perëndia em.
16 Se thashë: Mos u gëzofshin’ anëmiqt’ e mi për mue; kur të rrëshqesi kamba eme, ata mbahenë mbë të math kundrë meje.
17 Se unë jam gati për me ranë, edhe të dhimtunitë t’em ashtë përpara meje përherë.
18 Se unë kam me rrëfyem pa-udhëninë t’eme, edhe ka me më ardhunë keq për fajinë t’em.
19 Por anëmiqt’ e mi rrojënë, edhe janë të fortë, edhe u shumuen’ ata qi më kanë mëni pa udhë.
20 Edhe ata qi më bajënë keq ndë vend të së mirësë, jan’ anëmiqt’ e mi, sepse ndiek të mirënë.
21 Mos hiq dorë prei meje, o Zot, o Perëndia em, mos u mërgo prei meje.
22 Nxito me më ndimuem, o Zot, shpëtimi em.
1 Psalm i Davidit. Si kujtesë.
2 Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd,
mos më ndëshko me mërinë tënde.
3 Më janë ngulur shigjetat e tua,
dora jote më ka goditur.
4 Nuk ka më shëndet në trupin tim,
për shkak të zemërimit tënd,
nuk gjejnë më prehje kockat e mia,
për shkak të mëkatit tim.
5 Paudhësitë m'i kanë mbuluar kryet,
si barrë e rëndë peshojnë mbi mua.
6 Qelben e kalben plagët e mia,
për shkak të marrëzisë sime.
7 Jam kërrusur e gërmuqur krejt,
gjithë ditën endem e vajtoj.
8 Ijët më therin nga dhimbja,
nuk ka më shëndet në trupin tim.
9 Jam mekur e këputur krejt,
ulërij me zemër të pikëlluar.
10 O Zot, gjithë dëshirat e mia janë para teje
e nuk ta kam fshehur rënkimin tim.
11 Zemra më rreh fort, fuqia po më lë,
edhe drita e syve po më shuhet.
12 Miq e shokë stepen para krusmës sime,
të afërmit më qëndrojnë larg.
13 Ata që kërkojnë të ma marrin jetën
më kanë ngritur kurth,
ata që ma duan të keqen flasin për shfarosje,
gjithë ditën bluajnë dredhi.
14 E unë, si të isha shurdh, nuk dëgjoj,
si të isha memec, gojë nuk hap.
15 Jam bërë si i shurdhër,
që nuk nxjerr asnjë përgjigje nga goja.
16 Te ti kam shpresë, o Zot,
ti do të më përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
17 E thashë: «Mos i lër të dëfrejnë me mua
e as të krenohen kundër meje, kur të më rrëshqasë këmba».
18 Gati u rrëzova,
e dhimbja s'më hiqet sysh.
19 E rrëfej paudhësinë time
dhe brengosem për mëkatin tim.
20 Por armiqtë e mi rrojnë e janë të fortë,
ata që më urrejnë pa shkak janë shumuar.
21 Ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe
ngrihen kundër meje, se unë ndjek të mirën.
22 Mos më braktis, o Zot, Perëndia im,
mos më rri larg.
23 Nxito të më ndihmosh, o Zot, shpëtimtari im.