1 Gëzohi për Zotinë, o të dreitë, të dreitëvet u ka hie lavdurim.
2 Lavduroni Zotinë me qitharë, psallni ati me psallter me dhetë kordhëza.
3 Këndoni ati kankë të re, bini-u mirë organavet tuei me brohori.
4 Se fjala e Zotit asht’ e dreitë, edhe gjithë punët’ e ati janë me të vërtetë.
5 Ai do dreitëni edhe gjyq; dheu ashtë plot me përdëllimin’ e Zotit.
6 Prei fjalësë Zotit u banë qilltë, edhe gjithë ushtëria e atyneve prei frymësë gojës’ ati.
7 Mbëlodhi ujënat’ e detit porsi grumbullë, vuni abyssatë ndë thesore.
8 Le të druejë Zotinë gjithë dheu, le të dridhenë prei ati gjithë vendësit’ e botësë.
9 Se ai tha, edhe u ba, ai urdhënoi edhe qindroi.
10 Zoti nxier të kotë këshillën’ e kombevet, këthen përmbys mendimet’ e popujvet.
11 Por këshilla e Zotit mbet për gjithë jetënë, mendimet’ e zemërës’ ati bres mbas brezi.
12 Lum ai komp, të cillit Perëndia ashtë Zoti, ai popull, të cillinë sgjodhi për trashigimin’ e vet.
13 Zoti shtiu sytë kah qielli, pa gjithë të bijt’ e njerëzëvet.
14 Prei vendit qi rri vetë shikon gjithë vendësit’ e dheut.
15 I cilli gatoi si nji nji zemërat’ e atyne, ngjef gjithë punët’ e atyne.
16 Mbëreti nukë shpëton prei të shumësë ushtërisë, as burr’ i fortë nukë shpëton prei trimënisë madhe.
17 Kot ashtë kali për shpëtim, edhe s’ka me shpëtuem me anë të shumësë fuqisë vet.
18 Qe syni i Zotit tek ashtë mbi ata qi kanë frikë atë, mbi ata qi shpërejënë mbë përdëllimt t’ati,
19 qi të shpëtojë shpirtin’ e atyne prei vdekësë, edhe t’u ruejë jetënë ndë kohë unie.
20 Shpirti ynë pret Zotinë, ai ashtë ndifmësi ynë, edhe mburonja jonë.
21 Se për atë ka me u gëzuem zemëra jonë, sepse shpëryem mb’emënit t’ati të shenjtënueminë.
22 U baftë përdëllimi yt mbë ne, o Zot, sikurse shpëryem mbë tyi.
1 Brohoritni, o besnikë, në Zotin,
të drejtëve u ka hije lavdërimi.
2 Kremtojeni Zotin me qeste,
këndojini me harpën me dhjetë tela.
3 Këndojini atij një këngë të re,
bjeruni bukur veglave muzikore e brohoritni!
4 E drejtë është fjala e Zotit,
të gjitha veprat e tij plot besnikëri.
5 Ai e do drejtësinë dhe gjykimin e drejtë,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
6 Me fjalën e Zotit u krijuan qiejt,
me frymën e gojës së tij mbarë ushtria qiellore.
7 Ujërat e deteve i mblodhi si në një pirg,
thellësitë i mbylli nëpër drithnikë.
8 Le ta ketë frikë Zotin mbarë toka,
le të dridhen para tij gjithë banorët e botës.
9 Se ai foli e gjithçka u bë,
ai urdhëroi e u përftua.
10 Zoti i zhbën shestimet e kombeve,
mendimet e popujve ai i prish.
11 Por shestimi i Zotit mbetet përjetë,
mendimet e zemrës së tij brez pas brezi.
12 Lum ai komb që ka për Perëndi Zotin,
ai popull që e zgjodhi si trashëgiminë e vet.
13 Zoti vështron prej qiellit,
mbarë bijtë e njerëzve i shikon.
14 Prej vendbanimit të tij
ai shqyrton gjithë banorët e tokës.
15 Ai i dha trajtë zemrës së çdo njeriu,
i kupton mbarë veprat e njerëzve.
16 Nuk shpëton mbreti falë ushtrisë së madhe
e as luftëtari trim falë fuqisë së tij të madhe.
17 Më kot e pret shpëtimin prej kalit,
forca e tij e madhe nuk do ta shpëtojë.
18 Ja, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19 që t'ua çlirojë shpirtin nga vdekja,
që t'i mbajë gjallë në kohë urie.
20 Shpirti ynë pret Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
21 Në të gëzon zemra jonë,
në emrin e tij të shenjtë kemi besim.
22 Qoftë mbi ne, o Zot, mirësia jote,
sikurse kemi shpresuar në ty.