1 Alleluia. Lavduroni Zotinë, se asht’ i mirë, se përdëllim’ i ati ashtë për gjithë jetënë.
2 Cilli mundetë me folunë për të fuqishimet punët e Zotit, me bamë të ndigjohenë gjithë lavdurimet’ e ati?
3 Lum ata qi ruejënë gjyq, edhe punojënë dreitëni mbë ç’do kohë.
4 Kujto-më, o Zot, ndë pëlqim të popullit t’yt, vështro-më me shpëtiminë tand,
5 qi të shof të mirën’ e të sgjedhunavet tu, qi të gëzohem ndë gëzim të kombit t’yt, qi të mburrem bashkë me trashëgiminë tand.
6 Fëjyem bashkë me atenitë t’anë, punuem kundrë ligjësë, punuem pa udhë.
7 Atenitë t’anë ndë Misirë s’kupëtuenë mërekullit’ e tua, edhe nukë mbaitnë mend të shumën’ e përdëllimit t’yt, edhe të idhënuenë tue shkuem për-anë detit, ndë Det të Kuq.
8 Por ai i shpëtoi për emënin’ e vet, qi të bante me u ngjofunë fuqia e vet.
9 Edhe qirtoi Detin’ e Kuq, edhe u tha; edhe u hoqi udhënë ndëpër abyssa, porsi ndëpër shkretinë,
10 edhe i shpëtoi prei dorës’ ati qi i kishte mëni, edhe i shpërbleu prei dorës’ anëmikut.
11 Edhe ujënate mbuluen’ anëmiqt e atyneve, s’mbeti as nji prei asish.
12 Ateherë i besuenë fjalës’ ati, edhe kënduenë lavdurimin’ e ati.
13 Por shpeit harruenë punët’ e ati, nukë pritnë këshillën’ e ati,
14 por dëshëruenë fort ndë shkretinët, edhe gërganë Perëndinë ndë vend të thate.
15 Edhe ai u dha qish i lypnë, por u dërgoi sëmundëje gjithë shpirtënavet.
16 Por patnë zmir edhe Moisenë ndë ushtërit, edhe Aaroninë shenjtin’ e Zotit.
17 U hap dheu, e përpiu Dhathanë, edhe mbëloi përmbëledhëjen’ e Abiramit.
18 Edhe u ndes ziarrm ndë përmbëledhëjet t’atyneve: flaka doq të pabesëtë.
19 Edhe ndërtuenë viç ndë Horeb, edhe lutnë të derdhunin’ idhullë ,
20 edhe ndërruenë lavdin’ e vet me shëmbëllim kau qi ha bar.
21 Harruenë Perëndinë qi i shpëtoi, i cilli banipunë të mëdha ndë Misirë,
22 mërekulli ndë dhe të Hamit, punë të frikshime ndë Det te Kuq.
23 Edhe tha me rrenuem ata, të mos ndenjëke përpara ati Moiseu i sgjedhun’ i ati, kur zu me i dërrmuem, qi të këthente zemërimin’ e ati, për mos me rrenuem ata .
24 Por nukë zunë për gja as dhen’ e dëshërueshim, nuk’ i besuenë fjalës ati.
25 Edhe murmuruenë ndër tendat të veta, nukë ndigjuenë zanin’ e Zotit.
26 Përandai ngriti dorën’ e vet mbi ata, për me i rrenuem ndë shkretinët,
27 edhe me rrëzuem farën’ e atyneve ndër kombet, edhe me përdamë ata ndëpër vendet.
28 Edhe u ngjitnë mbas Baal-peorit, edhe hangrën kurbane të vdekunish,
29 edhe ndesnë ate me të punuemet e veta kaqi, sa u shumue ndër ata varra.
30 Ateherë ndenji Finehesi, e bani gjyq, edhe pushoi varra.
31 Edhe iu numërue për dreitëni bres mbas brezi për gjithë jetënë.
32 Edhe nxen’ ate ndë ujënat të Kundrë-fjalësë, edhe Moiseu hoq keq për ata,
33 se i idhënuenë shpirtinë kaqi, sa foli pa mend me buzët e veta.
34 Nukë prishnë ata kombetë, qi u pat thanë Zoti,
35 por u përzienë bashkë me kombet, edhe mësuenë punët’ e atyneve.
36 Edhe u shërbyenë të latuemevet idhuj , të cillët’ u banë kurth ndër ata,
37 edhe banë kurban bijt’ e vet, edhe bijat’ e veta diajvet,
38 edhe derthnë gjak të pafajm, gjakun’ e të bijvet edhe të bijavet, të cillët’ i banë kurban mbë të latuemit idhujt e Hanaanit, edhe u ndye dheu prei gjaknash.
39 Edhe u pëganë me vepërat e veta, edhe kurvënuenë me punët e veta.
40 Përandai u zemërue fort Zoti kundrë popullit vet, edhe i erth të ndytë prei trashigimit vet.
41 Edhe dha ata ndër duert të kombevet, edhe i zotënuen’ ata qi i kishinë mëni.
42 Edhe i shtrënguen’ anëmiqt e atyneve, edhe u përvunë ndënë duert t’atyneve.
43 Shumë herë i shpëtoi ata, por ata e idhënuenë me këshillet e veta, andai u përvunë për pa-ligjënit e veta.
44 Por Zoti pa shtrëngimin’ e atyneve, kur ndigjoi klithmën’ e atyneve,
45 edhe kujtoi dhiaten’ e vet, edhe u pendue mbas të shumëtit përdëllimit vet.
46 Edhe i bani me gjetunë përdëllim përpara gjith’ atyneve qi i patnë skllavosunë.
47 Shpëto-na, o Zot Perëndia ynë, edhe mbëlith-na prei kombesh, qi të lavduroim’ emëninë tand të shenjtënueminë, edhe të mburremi ndë lavdurimt tand.
48 I bekuem qoftë Zoti Perëndia i Israelit për gjithë jetën’ e jetësë. Edhe le të thotë gjithë populli: Amen. Alleluia.
1 Aleluja!
Përlëvdoni Zotin se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
2 Kush mund t'i kumtojë bëmat e Zotit,
t'u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij?
3 Lum ata që zbatojnë të drejtën,
që veprojnë me drejtësi në çdo kohë.
4 Kujtomë, o Zot, sipas mirëdashjes
që tregon ndaj popullit tënd,
eja tek unë me shpëtimin tënd,
5 që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu,
që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd,
e të krenohem me trashëgiminë tënde.
6 Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë,
kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë.
7 Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan,
mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan,
krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq.
8 Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij,
për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter,
përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente,
i shpengoi prej dorës së armikut.
11 Ujërat i mbuluan kundërshtarët,
asnjë prej tyre nuk shpëtoi.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij
dhe lavdërime atij i kënduan.
13 Por shpejt i harruan veprat e tij
e më nuk pritën për shestimin e tij.
14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë,
Perëndinë e tunduan në vend të shkretë.
15 Kërkesën atyre ua plotësoi,
por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse.
16 Smirë e patën Moisiun në fushim
dhe Aronin, të shenjtin e Zotit.
17 U hap toka dhe Datanin e përpiu,
turmën e Abiramit e groposi.
18 Zjarri e përpiu grumbullin e tyre,
flaka i dogji të paudhët.
19 Një viç punuan në Horeb,
një idhull të metaltë adhuruan.
20 Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë
shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar.
21 Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan,
atë që në Egjipt vepra madhështore bëri,
22 mrekulli në tokën e Kamit,
gjëra të tmerrshme në detin e Kuq.
23 Mendoi, atëherë, t'i shfaroste,
por Moisiu, i zgjedhuri i tij,
mes çarjes, para tij qëndroi,
që zemërimin e tij ta përmbante
e të mos i shkatërronte.
24 Tokën e dëshiruar e përbuzën,
fjalës së tij nuk i besuan.
25 Nëpër tendat e tyre murmuritën,
zërin e Zotit nuk e dëgjonin.
26 Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua,
që mu në shkretëtirë t'i plandoste,
27 që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste,
nëpër vende të huaja t'i hapërdante.
28 I ishin kushtuar Baalpeorit,
kishin ngrënë flitë e të vdekurve.
29 Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin,
prandaj mes tyre shpërtheu gjëma.
30 U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi,
e atëherë gjëma u ndal.
31 Kjo iu numërua për drejtësi,
brez pas brezi, në amshim.
32 E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës,
për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu.
33 Ia hidhëruan shpirtin,
ndaj foli pa mend me buzët e veta.
34 Ata nuk i shfarosën popujt,
sikurse u kishte urdhëruar Zoti.
35 Por u përzien mes kombeve,
veprat e tyre mësuan.
36 Idhujve të tyre u shërbyen,
që kurth për ta u bënë.
37 Djemtë e vajzat e veta,
djajve ua flijuan.
38 Derdhën gjak të pafajshëm,
gjakun e bijve dhe të bijave.
Ua flijuan idhujve të Kanaanit,
me gjakun e tyre toka u njollos.
39 U përlyen me veprat që bënë,
kryen tradhti me veprimet e tyre.
40 Flakë u ndez zemërimi i Zotit
kundër popullit të vet,
ndot i erdhi nga trashëgimia e tij.
41 Në duart e kombeve i lëshoi,
i sunduan ata që i urrenin.
42 Prej armiqve u shtypën,
nën zgjedhën e tyre u poshtëruan.
43 Herë pas here i çlironte,
por me synimet e tyre krye ngrinin
e thellë në paudhësi fundoseshin.
44 Ai e pa sërish mundimin e tyre
dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi.
45 I ra ndër mend besëlidhja me ta,
prej mirësisë së tij të madhe u zbut.
46 I bëri të gjenin mëshirë
prej gjithë atyre që i kishin robëruar.
47 Shpëtona, o Zot, Perëndia ynë,
prej kombeve ku gjendemi bashkona,
që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë,
që të krenohemi me lavdinë tënde.
48 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,
nga mot e përgjithmonë!
Mbarë populli le të thotë: «Amen!».
Aleluja!