Krie e tetëtë
1 E si zbriti ai nga mali, i vanë pas sij shumë turmë.
2 E ja një i fëlliqurë erdhi e ju fal atit, e thosh: Zot, ndë daç ti mund të më qëroç.
3 E si ndëri dorënë, e zuri atë Iisui e i tha: Dua, qërou. E atë çast u qërua lepra e tij.
4 E i thot’ atij Iisui: Vështo të mos thuaç njeriut, po haide e dëfto vetëhenë te prifti, e shpjerë dhurëtinë, atë që urdhëroi Moisiu për martiri nd’ata.
5 E si riu Iisui ndë Kapernaum, erdhi nde ai një ekatondarh, e i lutej.
6 E i thosh: Zot, im bir dergjetë mbë shtëpi i mbajturë, e mundonetë gjëmuarë.
7 Edhe Iisui i thot’ atij: Unë do të vij, e do ta shëroj atë.
8 Edhe Ekatondarhoi u përgjegj, e i tha Zot: Unë nukë jam i zoti që të hiç ndë shtëpi time, po thuaj fjalë vetëmë, e im bir do të shëronetë.
9 Sepse edhe unë njeri jam ndënë zotëri, e kam ndënë vetëhe time trima, e i thom këtij: Hajde, e vete, e tjatërit: Eja, e vjen. Edhe kopilit sim: Bën këtë, e e bën.
10 Edhe Iisui si digjoi këtë, u çudit e thotë mb’ata që vijnë pas si: Me të vërteta u thom juvet, që as ndë Israil nukë gjeçë kaqë besë.
11 Pra andaj u thom juvet, se do të vijënë shumë nga del, edhe nga perëndon dielli, e do të rrinë bashkë me Avraamnë, edhe me Isaaknë, edhe me Iakovnë ndë mbretëri të Qiellvet.
12 E të bijtë e mbretërisë do të vihenë ndë skotadh t’erëtë. Atje është të qarëtë, edhe të dredhurët’ e dhëmbëvet.
13 E i tha Iisui Ekatondarhut: Haide, e le të bënetë tek teje sikundrë besove. E atë çast u shërua biri i tij.
14 E si erdhi Iisui ndë shtëpi të Petrosë, pa vjehërën’ e tij që dergjej ndë stromë nga ethetë.
15 E e zu nga dora e e lanë atë ethetë, e u shërben ature.
16 E pasi u err e u bë natë, prunë nde ai shumë të dhemonisurë, e i nxir me fjalë vetëmë të paudhëtë, edhe gjithë ata që qenë sëmurë e gjëmuarë i shëronte.
17 Që të dalë e vërtetë ajo që u tha nga profiti Isaia, që thotë kështu: Ai na ngrijti sëmundëtë tona, e të ligatë na i hoqi.
18 E si pa Iisui shumë botë rrotullë tij, i porsiti që të hidhenë përteje.
19 E na, erdhi e ju qas një nga grammatikotë, e i tha atij: Dhaskal, do të vij pas teje ngado që të veç.
20 Edhe Iisui i thot’ atij: Dhelpëratë kanë folet’ e ture, edhe zogjt’ e Qiellit të ndënjurit e ture, po i biri i njeriut s’ka ku të vërë kriet’ e tij.
21 Edhe një tjatër nga Mathitit’ e tij, i tha atij: Zot, amë urdhër përpara të vete të kllas ndë varr jatnë tim.
22 Edhe Iisui i thot’ atij: Eja pas meje, e le të vdekuritë të kllasënë të vdekurit’ e ture.
23 E kur hiri ai ndë varkë, vanë pas si edhe mathitit’ e tij.
24 E ja, e u bë tërmet i madh ndë det, aqë që afëroi të mbushej varka nga tallazetë, e ai flijte.
25 E mathitit’ e tij u qasnë pran’ atij, e e zgjuanë, e i thanë: Zot, shpëtona navet, se mbitemi.
26 E u tha ature: Besëpakë, pse jeni kaqë trëmbëlakë? Ahiere u ngre, e porsiti erëtë edhe detnë, e u bë bunac’ e madhe.
27 E u çuditnë njerëzitë, e thanë: Ç’lloi njeri është kij, që edhe erëët edhe deti e digjojënë?
28 E si shkoi ai mb’anë të tejme, ndë fshat të Gjergjesinovet, i duallë përpara tij di të dhemonisurë që dilë nga varretë e bëijnë shumë të këqia që s’mund të shkon njeri nga ajo udhë.
29 E ja, thërrisnë fort, e thoshnë: Ç’ke me nevet ti Iisu biri i Perndisë, erdhe këtu të mundoç navet përpara kohësë?
30 E më tej nga ata qe një kope nga shumë derra, që kullotnë.
31 E dhemonëtë i luteshinë, e i thoshnë: Ndë do të na nxjerç navet, epna urdhër të hijëmë ndë këtë kope të derravet.
32 E u tha ature: Hajdeni. Edhe ata si duallë, vanë ndë kope të derravet. E ja gjithë kopeja e derravet u derdh me vrap, e ra nga gremia ndë det e u mbitnë ndë ujëra.
33 E çobanëritë që i kullotnë iknë, e si vanë ndë qutet, rrëfeijnë gjithë sa u bënë, edhe për të dhemonisuritë që u shëruanë.
34 E ja e dolli jashtë gjithë quteti, për të priturë Iisunë. E si e panë, ju lutnë, që të ikëjë nga sinorët’ e ture.
Pastrimi i të lebrosurit
(Mk 1.40-45Lk 5.12-16)
1 Kur Jezui zbriti nga mali, turma të mëdha i shkuan pas. 2 Dhe ja, një i lebrosur iu afrua, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 3 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe ai u pastrua menjëherë nga lebra. 4 Jezui i tha: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti e kushto dhuratën që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi».
Besimi i kryeqindësit
(Lk 7.1-10Gjn 4.43-54)
5 Kur Jezui hyri në Kafarnaum, iu afrua një kryeqindës e iu lut: 6 «O Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar e po vuan shumë». 7 Jezui i tha: «Do të vij ta shëroj». 8 Kryeqindësi i tha: «O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time, por thuaj vetëm një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi dhe kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 10 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua e u tha atyre që po e ndiqnin: «Me të vërtetë po ju them, se nuk e kam gjetur një besim kaq të madh tek asnjeri në Izrael. 11 Prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Isakun e Jakobin në mbretërinë e qiejve, 12 ndërsa bijtë e mbretërisë do të hidhen përjashta në errësirë, ku do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh». 13 Pastaj i tha kryeqindësit: «Shko dhe u bëftë sipas besimit tënd!». Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
(Mk 1.29-34Lk 4.38-41)
14 Kur shkoi në shtëpinë e Pjetrit, Jezui pa vjehrrën e Pjetrit që dergjej në shtrat me ethe. 15 Ai ia preku dorën dhe atë e lanë ethet. Atëherë ajo u ngrit që t'u shërbente. 16 Në mbrëmje sollën tek ai shumë të pushtuar nga djalli. Me anë të fjalës ai dëboi shpirtrat e ndyrë dhe shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isai:
mori mbi vete dobësitë tona
dhe mbarti sëmundjet tona.
Të ndjekësh Jezuin
(Lk 9.57-62)
18 Kur pa se ishte i rrethuar nga një turmë e madhe, Jezui urdhëroi të shkonin në bregun tjetër. 19 Një shkrues iu afrua e i tha: «Mësues, do të të ndjek kudo që të shkosh». 20 Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
21 Një tjetër, një nga dishepujt, i tha: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë». 22 Por Jezui i tha: «Ti më ndiq mua dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre».
Fashitja e stuhisë
(Mk 4.35-41Lk 8.22-25)
23 Pastaj hipi në varkë i ndjekur nga dishepujt e vet. 24 Dhe ja, në liqen u ngrit një stuhi e madhe, aq sa varka u mbulua nga dallgët. Ndërkohë ai flinte. 25 Ata iu afruan, e zgjuan e i thanë: «O Zot, na shpëto se po mbytemi!». 26 Ai u tha: «Përse keni frikë, o besimpakë?». Atëherë u ngrit e qortoi erërat dhe liqenin. Pastaj u bë bunacë e madhe. 27 Njerëzit, të mahnitur, i thanë njëri-tjetrit: «Kush është ky që i binden edhe erërat, edhe liqeni?».
Shërimi i dy të pushtuarve nga djalli
(Mk 5.1-20Lk 8.26-39)
28 Kur arriti në bregun tjetër, në vendin e gadarenëve, i dolën përpara dy të pushtuar nga djalli që erdhën nga varrezat. Ata ishin aq të egër, saqë askush nuk guxonte të kalonte asaj rruge. 29 Dhe, ja, ata filluan të bërtisnin e të thoshin: «Çfarë ke me ne, o Biri i Perëndisë? Ke ardhur të na mundosh para kohe?». 30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash 31 dhe djajtë iu lutën Jezuit: «Nëse na dëbon, na dërgo te kjo tufë derrash». 32 Ai u tha: «Shkoni!». Atëherë, pasi dolën, ata shkuan te derrat dhe e tërë tufa u hodh nga humnera në liqen e u mbyt në ujë. 33 Ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve e shkuan në qytet, që të tregonin për të pushtuarit nga djalli e për gjithçka ndodhi. 34 Dhe, ja, i gjithë qyteti i doli para Jezuit dhe kur e panë, iu lutën të largohej nga krahina e tyre.