Krie e parë
1 Sepse vunë dorë shumë të rrëfejënë me taks Istorin’ e ature punëravet që nevet i dimë fort mirë.
2 Sikundrë na i dëftuanë navet ata që i panë me si të ture që krie herësë, e që u bënë punëtorë të fjalësë.
3 M’u duk edhe mua mirë, o i larti Theofil, që arçë që krie herësë pas ature të t’i shkruaj ti një e nga një me taks.
4 Që të njohç të vërtetënë e ature punëravet që je dhidhaksurë mbë to.
5 Gjau ndë dit të Irodhit, mbretit së Iudheësë, qe një prift që quhej Zaharia, nga efimeria e Aviait; edhe gruaja e tij qe nga bijat’ e Aaronit, edhe ëmër’ i saj Elisavet.
6 E ishnë që të di përpara Perndisë të drejtë, e ecëijnë ndë gjithë porsi e të drejta të Zotit pa të sharë.
7 E nukë patnë ata djalë, sepse Elisavetja qe shterpë, e të di qenë të shkuarë ndë mot të ture.
8 E gjau tek bënte ai punët’ e priftërisë (mësonte) mbë taks të efimerisë tij, përpara Perndisë.
9 Sikundr’ është adeti i efimerisë, u ndodh që thimjatis, e hiri ndë Nao (qishë) të Zotit.
10 E gjithë turm’ e llaoit ishnë që falejnë jashtë ndë kohë të thimjamësë.
11 E u duk nde ai Ëngjëll’ i Zotit që rrijte mb’anë të djathëtë të thisiastirit së thimjamësë.
12 E si e pa Zaharia, u drodh e ra mbi të të trëmburë.
13 E tha Ëngjëlli nde ai: Mos u trëmb, o Zaharia, se u digjua të luturitë tat; e Elisavetja gruaja jote do të të pjellë ti bir, e do t’i vëç ëmërinë Ioann.
14 E do të jetë tek ti gëzim e lodrë, e shumë do të gëzonenë mbë të lerë të tij.
15 Se do të jet’ i madh përpara Zotit, e do të mos pijë as verë as siqera, e do të mbushetë nga Shpirt Shënjt që nga barku i mëmësë tij.
16 E shumë nga bijt’ e Israilit do të kthejë mbë Zotnë Perndin’ e ture.
17 E ai do të vijë përpara atij me Shpirt e me fuqi të Iliasë, të kthejë zëmërat’ e jatët mbi djem, e të padigjuaritë nd’urtëci të së drejtëvet, e t’i bëjë gati Zotit llao të dërtuarë.
18 E Zaharia i tha Ëngjëllit: Qish do ta kupëtoj këtë punë? Se unë jam plak, e gruaja ime shkuarë nga koh’ e saj.
19 E ju përgjegj Ëngjëlli, e tha atij: Unë jam Gavriili që rri përpara Perndisë, e jam dërguarë të të thom tij, e të të ap tij këtë haber të mirë.
20 Edhe ja, do të pushoç sot di e tutje, e të mos mundç të flaç, ngjera mb’atë ditë që të bënenë këto, sepse nukë besove ndë fjalë të mia, që do të paguhenë mbë kohë të ture.
21 E llaoi e pritnë Zaharianë, e çuditejnë për të mënuarë të tij ndë nao (qishë).
22 E si dolli, nukë mund t’u flit ature. E kupëtuanë që pa ndonjë çudi ndë nao. E ai u bënte ature isharet, e mbeti pa gojë.
23 E u bë si sosnë dit’t’ e punësë së priftërisë tij, vate mbë shtëpi të tij.
24 E pas këture ditet u mbars Elisavetja gruaja e tij, e fshih vetëhen’ e saj pesë muaj, e thoshte.
25 Se kështu bëri Zoti tek meje, mb’ato dit kur deshi të kthenej të vështron për të ngrijturë dhunënë time nga njerëzitë.
26 E ndë të gjashtinë muaj u dërgua Ëngjëlli Gavriil nga Perndia, ndë një qutet të Galileësë, që quhetë Nazaret.
27 Mbë një vergjëreshë që qe aravoniasurë me burrë nga shtëpi e Dhavidhit, që quhej Iosif, e vergjëresha quhej Mariam.
28 E si hiri Ëngjëlli tek ajo, i thotë: Gëzo, o e gëzuarë, Zoti është bashkë me tij, ti je e bekuarë ndë mes të gravet.
29 E ajo si e pa, u drodh për këtë fjalë, e mëndonej me vetëhe të saj: Ç’do të jetë kij hjeretismo?
30 E Ëngjëlli i thot’ asaj: Mos u trëmb Mariam, sepse gjete nder afër Perndisë.
31 E ja do të bëneç me barrë, e do të pjellç djalë, e do t’i vëç ëmërinë Iisu.
32 Kij do të jetë i madh, e do të thuhetë i biri i së lartit, e do t’i apë atij Perndia fron’ e Dhavidhit, babait së tij.
33 E do të mbretërojë mbë shtëpi të Iakovit për gjithë jetë; e mbretëria e tij nukë ka të sosurë.
34 Edhe Mariami i tha Ëngjëllit: Qish do të jetë këjo, se unë burrë nukë njoh?
35 E u përgjegj Ëngjëlli, e i thot’ asaj: Shpirt Shënjt do të vijë mbi tij, e fuqi e së lartit do të të mbulojë tij; pra andaj edhe ajo akoma që të lejë nga teje Shënjt, do thuhetë bir i Perndisë.
36 E ja Elisavetja gjëria jote, edhe ajo u mbars djalë nd’pleqëri të saj; e kij muaj është i gjashti i asaj që quhej shterpë.
37 Se nuk’ është’ e pamundurë ndonjë punë afër Perndisë.
38 E Mariami i tha: Ja kopilia e Zotit, u bëftë tek meje sikundrë thua. E iku nga ajo Ëngjëlli.
39 E Mariami u ngre mb’ato dit, e vate me të shpejta mbë një mal të Iudheësë.
40 E hiri mbë shtëpi të Zahariasë, e i thot’ Elisavetsë: Gëzo.
41 E poqë digjoi Elisavetja gëzimn’ e Mariasë, këceu djali ndë bark të saj, e u mbush prej Shënjtit Shpirt Elisavetja.
42 E thirri me zë të madh, e tha: E bekuarë je ti ndë mes të gravet, edhe pemm’ e barkut sit ësht’ e bekuarë.
43 E nga më erdhi këjo, të vijë tek u, mëm’ e Zotit sim?
44 Se ja, poqë erdhi zëri i gëzimit sit ndë veshë të mia, këceu djali ndë bark tim nga gëzimi.
45 E e lumura ajo që besoi, që do të teliosenë ato që u folë nga Zoti tek tij.
46 E Mariami tha: Madhëcon Shpirti im Zotnë.
47 E gëzonetë Shpirti im mbë Zotnë, që më shpëtoi mua.
48 Sepse ktheu sitë të shih mua kopilen’ e tij të vogëlënë, se ja që ndashti e sot di parë, do të më thonë të lumurë gjithë filitë.
49 Sepse ai që është i fortë bëri punëra të mëdha tek u; e ëmër’ i tij është Shënjt.
50 Edhe ndëjes’ e tij është brez pas brezit, mb’ata që kanë frikën’ e tij.
51 Bëri punëra të forta me llërë të tij; përhapi fodullëtë me silloi të zëmëravet së ture.
52 Zbriti të fortëtë nga fronetë, e ngrijti të vogjëjtë.
53 T’urëtitë i mbushi të mira, e të pasuritë i dërgoi mbrazëtë.
54 I ndihu Israilit, robit së tij, të mos harojë eleimosin’ e tij.
55 (Sikundrë u taksi baballarëvet sanë, Avraamit edhe farësë tij) për gjithë jetë.
56 E mbeti Mariami me atë bashkë ngjera mbë tre muaj, e pasandaj u kthie ndë shtëpi të saj.
57 E Elisavesë i erdhi koha për të pjellë, e polli djalë.
58 E digjuanë të afëritë e gjërit’ e saj, që shtoi Zoti eleimosin’ e tij tek ajo, e gëzonejnë bashkë me atë.
59 E u bë ndë të tetënë ditë, erdhë të peritemnë djalënë, e i vijnë ëmërin’ e tij mbë ëmër të jatit së tij, Zaharia.
60 E ëmma e tij u përgjegj, e tha: Jo, po do të quhetë Ioann.
61 E i than’ asaj, se nuk’ është njeri ndë gjëri tuaj, që të quhetë me këtë ëmër.
62 E i bëijnë isharet edhe jatit së tij, ç’do që të quhet’ ai.
63 E si kërkoi një copë dhogë, e shkroi, e thosh: Ioann është ëmër’ i tij. E u çuditnë të gjithë.
64 E atë çast ju hap goja e tij, edhe gjuha e tij; e flit, e lëvdon Perndinë.
65 E gjithë gjitoninë i muarr frika. E flitejnë këto fjalë ndë gjithë mal të Iudheësë.
66 E gjith’ ata që i digjoijnë i vijnë ndër mënd të ture, e thoshnë: Vallë ç’do të jetë kij djalë? E dor’ e Zotit qe me të.
67 E jati i tij Zaharia u mbush nga Shpirt Shënjt, e profitepsi, e tha:
68 I lëvduarë qoftë Zoti Perndia e Israilit, sepse ktheu sinë, e pa, e lefterosi llaon’ e tij.
69 E ngrijti për nevet ndë shtëpi të Dhavidhit, djalit së tij, fuqi; e do të na shpëtojë.
70 Sikundrë pat folë me gojë të Shënjtorëvet Profitet që herën’ e parë.
71 Ngrijti shpëtim të na shpëtojë nga duart’ e hasmëret sonë, edhe nga gjith’ ata që na duanë ndë keq.
72 Të bëjë ndëjesë me përinjtë tanë, e të kujtojë dhjatën’ e tij të Shënjtëruarënë.
73 Benë që qe betuarë nde Avraami, babai inë, të na ip nevet.
74 Që të na shpëton nga duart’ e hasmëret sonë, e ta lëvdojëmë atë pa frikë.
75 Me Shënjtëri edhe me të vërtetë përpara tij, gjithë dit’ e jetësë sonë.
76 Edhe ti djalë do të quheç profit i së lartit, se do të shkoç përpara faqesë Zotit, të bëç gati udhët’ e tij.
77 Të apç ndë llao të tij të dinë ç’është shpëtim i ture, për të ndëjierë fajet’ e ture.
78 Me anë të zëmërësë lejmonjare të Perndisë sonë, që me ato na pa Dielli që len lartazit.
79 Për të ndriturë nd’ata që rrijnë ndë hie, e ndë skotadh të vdekëjesë, për të ndrequrë këmbëtë tona mb’udhë të paqesë.
80 E djali rritej e forconej prej anet së Shpirtit, e ishte mb’erimira, ngjera mbë ditë që u çfaq ai ndë Israil.
Hyrja
1 Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, 2 siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, 3 edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t'i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, 4 me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.
Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzorit
5 Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. 6 Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. 7 Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë.
8 Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, 9 sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. 10 Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. 11 Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. 12 Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. 13 Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. 15 Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. 16 Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. 17 Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». 18 Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». 19 Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. 20 Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t'u vijë koha».
21 Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. 22 Por kur doli, ai nuk mundi t'u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. 23 Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. 24 Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: 25 «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».
Paralajmërimi i lindjes së Jezuit
26 Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, 27 te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. 28 Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty ». 29 Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. 30 Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. 32 Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». 34 Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». 35 Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. 36 Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. 37 Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». 38 Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.
Maria te Elizabeta
39 Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. 41 Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, 42 thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! 43 Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? 44 Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. 45 Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». 46 Maria tha:
«Gjithë qenia ime e madhëron Zotin
47 dhe shpirti im ngazëllehet
për Perëndinë, shpëtimtarin tim,
48 sepse ai hodhi sytë
mbi përulësinë e shërbëtores së vet
dhe, ja, të gjitha breznitë
do të më quajnë të lume.
49 Gjëra të mëdha
ka bërë për mua i fuqishmi.
I shenjtë është emri i tij.
50 Mëshira e tij zgjat nga
breznia në brezni
për ata që e druajnë.
51 Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij,
hodhi poshtë ata që mburreshin
me mendimet e zemrës së tyre,
52 rrëzoi të fuqishmit nga froni
dhe lartësoi të përulurit.
53 Të uriturit
i mbushi me të mira,
ndërsa të pasurit
i nisi duarzbrazët.
54 E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet,
duke sjellë ndër mend mëshirën,
55 siç u kishte thënë etërve tanë,
Abrahamit,
dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».
56 Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
Lindja e Gjon Pagëzorit
57 Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. 58 Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. 59 Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t'i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. 60 Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». 61 Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». 62 Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç'emër donte t'i vinte. 63 Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. 64 Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. 65 Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. 66 Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç'do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të.
Profecia e Zakarisë
67 Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu:
68 «Bekuar qoftë Zoti,
Perëndia i Izraelit,
se erdhi dhe shpengoi popullin e tij.
69 Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit
në shtëpinë e Davidit,
shërbëtorit të vet,
70 siç e kishte thënë
me gojën e profetëve të tij të shenjtë
që prej shekujsh;
71 shpëtim nga armiqtë tanë
dhe nga dora e të gjithëve atyre
që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë me etërit tanë
e për t'u kujtuar
për besëlidhjen e tij të shenjtë;
73 për betimin që i bëri Abrahamit,
atit tonë,
për të na lejuar
74 që, pasi të na çlironte
nga duart e armiqve tanë,
t'i shërbenim pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi para tij
për të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, foshnjë,
do të quhesh profet i të Tejlartit,
se do të ecësh përpara Zotit
për të përgatitur udhët e tij,
77 për t'i dhënë popullit të tij
njohjen e shpëtimit
me anë të faljes së mëkateve,
78 falë dhembshurisë së mëshirshme
të Perëndisë tonë,
me të cilën
do të na vijë së larti agimi,
79 që shndrit mbi ata që rrinë
në errësirë
e në hijen e vdekjes
dhe për të drejtuar
hapat tanë
në udhën e paqes».
80 Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t'i dëftohej Izraelit.