Krie e nëntëmbëdhjetëtë
1 E u bë që kur sosi Iisui këto fjalë, u ngre nga Galilea, e erdhi ndë sinorë të Iudheësë, përtej Iordhanit.
2 E i vanë pas si shumë botë, e i shëroi ata atje.
3 E u qasnë nde ai Farisejtë, e e piraksn’ atë, e i thoshnë ndë mund njeriu të ndajë gruan e tij me çdolloi sebep.
4 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Nukë dhiavastë, se ai që i bëri, që herën’ e parë mashkull edhe fëmërë i bëri ata?
5 E tha: Për këtë do të lërë njeriu baban’ e tij edhe mëmënë, e do të bashkonetë me gruan’ e tij, e do të jenë të di një kurm.
6 Na, që nukë janë di, po një kurm. Atë adha që bashkoi Perndia, njeriu le të mos e ndajë.
7 I thon’ atij: Pse Moisiu porsiti t’apëmë kartë të së ndarit, e ta ndajëmë?
8 U thot’ ature: Se Moisiu nga zëmëra juaj e liga e e keqia u dha urdhër juvet të ndani gratë tuaj, po më përpara nukë qe kështu.
9 Edhe u thom juvet, se ai që të ndajë gruan’ e tij pa qënë kurvëri ndë mes, e të marrë tjatër, bënetë miho (kurvjar); edhe ai që të marrë grua të ndarë, që rron burri saj, bënetë kurvjar.
10 I thon’ atij mathi(ti)t’ e tij: Ndë është kështu pun’ e njeriut me gruan’ e tij, nuk’ ësht’ e mirë të martonetë.
11 Edhe ai u tha ature: Nukë mund ta dheksëjnë gjithë këtë fjalë, përveçme ature që ju është dhënë.
12 Se janë të dredhurë, që u lenë kështu nga barku i mëmësë, e janë të dredhurë, që u drodhë nga njerëzitë, e janë të dredhurë, që druadhë vetëhen’ e ture për mbretërin’ e Qiellvet. Ai që mund të hijë, le të hijë.
13 Atëherë i prun’ atij djelm, që të vij mb’ata duartë, e t’i bekon, e mathititë i qërtoijnë ata.
14 Edhe Iisui u tha: Liri djelmtë, e mos i mbani ata të vijënë tek meje, se të tillëvet është mbretëria e Qiellvet.
15 E si vuri mbi ata duartë, iku ateje.
16 E ja një njeri u qas nde ai, e i tha: Dhaskal i mirë, ç’të mirë të bëj, që të kem jetë të pasosurë?
17 Edhe ai i tha atij: Pse më thua të mirë? Ndonjë s’ësht’ i mirë përveçme një, Perndia. E ndë do të hiç ndë jetë, ruaj porsitë.
18 I thot’ atij: Cilatë? Edhe Iisui i tha: Këto: Të mos vraç njeri, të mos kurvëroç, të mos vjedhç, të mos martiriç rrem.
19 Të nderoç babanë, edhe mëmënë, edhe të duaç gjitonë tënd si edhe vetëhenë tënde.
20 I thot’ atit trimshori: Gjithë këto i ruajta që ndë të ri tim, edhe ç’më duhet’ akoma?
21 I tha atit Iisui: Ndë do të jeç telio, hajde e shit plaçkat’ e tua, e epua së varfëret, e do të keç hazine ndë Qiell, e eja pas meje.
22 E si digjoi trimshori fjalënë, iku helmuarë, se qe që kish shumë mulqe.
23 E Iisui u tha mathitivet së tij: Me të vërteta u thom juvet, se me zahmet do të hijë i paturi ndë mbretëri të Qiellvet.
24 E pameta u thom juvet: Më kollaj është të shkojë nga vëra e gjëlpërësë gamilia, se të hijë i pasuri ndë mbretëri të Perndisë.
25 E si digjuanë mathitit’ e tij, u çuditnë shumë, e thoshnë: Vallë, kush mund të sosetë?
26 Edhe Iisui shtiu sitë e vështoi, e u tha ature: nd’anë të njerëzet këjo ësht’ e zahmeçme, po nd’anë të Perndisë gjithë janë të kollajta.
27 Ahiere u përgjegj Petrua, e i tha atij: Ja navet që i lam gjithë, e erdhm pas teje, vallë, ç’do të jetë me nevet?
28 Edhe Iisui u tha ature: Me të vërteta u thom juvet, se ju që erdhtë pas meje, ndë jetë të re, kur do të rrijë i biri njeriut mbi fron të lëvduarë të tij, ahiere do të rrini edhe juvet mbi dimbëdhjetë frone, të gjukoni të dimbëdhjetë filit’ e Israilit.
29 E cilido që la shtëpira, a vëllazër, a motra, a baba, a mëmë, a djelm, a ara, për ëmër tim, njëqind për një do të marrë, edhe jetë të pasosurë do të klironomisjë.
30 Edhe shumë të parë do të bënenë të pastajmë, e të pastajmë të parë.
Çështja e divorcit
(Mk 10.1-12)1 Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. 2 Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. 3 Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». 4 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». 5 Dhe tha: «Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. 6 Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». 7 Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». 8 Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. 9 Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore ». 10 Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». 11 Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t'i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. 12 Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë».
Bekimi i fëmijëve
(Mk 10.13-16Lk 18.15-17)13 Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan. 14 Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata». 15 Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.
Djaloshi i pasur
(Mk 10.17-31Lk 18.18-30)16 Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». 17 Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën ? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». 18 Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, 19 ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». 20 Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë . Ç'më mungon ende?». 21 Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 22 Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. 23 Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. 24 Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 25 Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 26 Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur».
27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç'do të bëhet?». 28 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t'i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. 30 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».