Krie e dhjetëtë
1 Sepse unë, vëllazër, nukë dua të mos e diji juvet, që gjithë baballarëtë tanë qenë ndënë mjergullë, e të gjithë ndëpërmes të detit shkuanë.
2 E gjithë mbë Moisinë u pagëzuanë ndë mjergullë, edhe ndë det?
3 E gjithë patnë ngrënë nga e tila gjell’ e Shpirtit.
4 E gjithë nga e tila të pirë të Shpirtit patnë pirë, sepse pijnë nga guri i Shpirtit që u vinte pas sure. E ai gur ish Krishti.
5 Po Perndia nuk’ u prë ndë më të shumëtë nga ata, sepse ranë mb’udhë nd’erimi.
6 E këto u bënë ksomblëra mbë nevet, që të mos dëshërojëmë nevet punët’ e këqia, sikundrë dëshëruanë edhe ata.
7 As Idhollollatrë të mos bëneni, si dica nga ata, sikundr’ është shkruarë: Ndënji llaoi të haj e të pij, e u ngrenë të luaijnë.
8 As të mos kurvërojëmë, sikundrë kurvëruanë ca asuresh e ranë (të vdekurë) mbë një ditë njëzet e tri mijë.
9 Le të mos gucitjëmë Krishtinë, si dica nga ata që e gucitnë e u vranë nga gjërpinjtë.
10 As të mos mçoni, si dica nga ata që mçuanë, e u prishnë nga prishësi.
11 E këto punëra të gjitha u bënë ksomblë mb’ata, po janë shkruarë për nasihat tënë, që mbë nevet ësht’ ardhurë të sosurit’ e jetëvet.
12 Pra andaj kush silloisetë që rri mbë këmbë, le të vështrojë mos bjerë.
13 Nuk’ u ka gjeturë juvet piraksi, përveçe njerëzishtë. Po Perndia ësht’ e vërtetë, që nukë do t’u lërë juvet të piraksi më tepërë nga fuqia juaj, po bashkë me piraksi do të bëjë edhe mbrodhë, që të mundni juvet ta duroni.
14 Pra andaj, të dashurit’ e mi, të ikëni nga Idhollollatria.
15 Kuvëndoj si mbë njerëz të mënçurë. Gjukonie juvet atë që thom.
16 Potiri i bekimit që atë e bekojëmë nevet, nuk’ është kungimi i gjakut së Krishtit? E buka që thiejmë nevet, nuk’ është kungimi i kurmit së Krishtit?
17 Sepse një bukë vetëmë, një kurm vetëmë, jemi nevet të gjithë, sepse nga ajo e njëit bukë kemi pjesë të gjithë.
18 Vështroni Israiln’ e mishit. Nukë kanë pjesë nga thisiastiri ata që hanë kurbanetë.
19 Ç’thom adha unë? Se është gjë punë Idhollë? A është gjë ajo që u ther mb’Idholli? Jo.
20 Ma atë që therjënë filit’ e tjera, e therjënë ndë të paudhë, e jo mbë Perndinë. E nukë dua që të kini juvet pjesë me të paudhëtë.
21 Nukë mundni të pini potir’ e Zotit, edhe potir’ e së paudhëvet. Nukë mundni të kini pjesë ndë mësallë të Zotit, edhe ndë mësallë të së paudhëvet.
22 A thërresëmë Zotnë me sineri? Mos jemi vallë më të fortë se ai?
23 Të gjitha më janë ndëjierë, po nukë janë të gjitha të vëjiera. Të gjitha më janë ndëjierë, po s’janë të gjitha për dërti.
24 Cilido le të mos kërkojë atë që i vëjen atij, po le të kërkojë gjithëkush atë që i vëjen edhe tjetërit.
25 Gjith’ atë që shitetë ndë maqeli haie, pa ksetaksurë jetërë sa për fiqir.
26 Sepse dheu ësht’ i Zotit, edhe ato që janë mbë të.
27 E nd’u thirrtë juvet mbë gosti ndonjë nga të pabesëtë, e doi të viji, haji nga gjith’ ato që u vë juvet përpara, pa kërkuarë gjë tjatër sa për fiqir.
28 E nd’u thashtë ndonjë juvet: Këjo ësht’ e therturë nd’Idhollë, mos e hai, për atë që u tha, edhe për fiqir, sepse dheu ësht’ i Zotit, edhe ato që janë mbë të.
29 E fiqir thom jo tëndnë, po t’atij tjatërit, sepse për çfarë aformiet dëmëtonetë nga fiqiri i jetërit lefteria ime?
30 E nd’është që unë kam pjesë nga një dhurëti, përse të më shajënë për një punë që un’ efharistis?
31 Ndo të hai adha, ndo të piji, ndo të bëni ndonjë punë, gjithë për lëvdim të Perndisë t’i bëni.
32 Të mos jini spodhi as mbë çifut, as mbë Elinë, as mbë Qishë të Perndisë.
33 Sikundrë udisem edhe unë mbë të gjitha me gjithë, pa kërkuarë atë që më vëjen mua, po atë që vëjen ndë të shumëtë, për shpëtim të ture.
Qortime për idhujtari
1 Vëllezër, nuk dua të mos e dini se etërit tanë ishin nën mbrojtjen e resë dhe që të gjithë kaluan mes për mes detit. 2 Të gjithë ata u bashkuan me Moisiun duke u pagëzuar në re dhe në det. 3 Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror 4 dhe pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që i shoqëronte. Ky shkëmb ishte Krishti. 5 Por shumica e tyre nuk gjetën pëlqimin e Perëndisë dhe ranë të vdekur në shkretëtirë.
6 Këto ngjarje u bënë shembull për ne, që të mos dëshirojmë edhe ne gjëra të këqija, siç dëshiruan ata. 7 Mos u bëni idhujtarë si disa prej tyre, sikurse është shkruar: populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për të luajtur. 8 As të mos kurvërojmë si disa prej tyre, që ranë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë. 9 As Krishtin të mos e vëmë në provë, siç bënë disa prej tyre, që vdiqën nga gjarpërinjtë. 10 As mos murmurisni, siç bënë disa prej tyre, që u vranë nga engjëlli shkatërrues. 11 Këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar që të bëhen mësim për ne që jetojmë në fund të kohëve.
12 Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet! 13 Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t'ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t'i përballoni.
14 Prandaj, fort të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria! 15 Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them. 16 Kur pimë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit? 17 Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë.
18 Shikoni popullin e Izraelit! A nuk marrin pjesë në altar ata që hanë flijimet që kushtohen mbi të? 19 A dua të them me këtë se mishi që u flijohet idhujve ka ndonjë vlerë apo që idhujt janë ndonjë gjë? 20 Jo, por dua të them se ato ua flijojnë djajve e jo Perëndisë dhe unë nuk dua që të keni pjesë me djajtë. 21 Nuk mund të pini edhe nga kupa e Zotit, edhe nga kupa e djajve; nuk mund të hani edhe nga tryeza e Zotit, edhe nga tryeza e djajve. 22 Mos duam të nxisim xhelozinë e Zotit? Vallë, mos jemi më të fortë se ai?
Gjithçka për Perëndinë
23 Disa thonë: «Gjithçka lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka lejohet, por jo gjithçka bën mirë. 24 Askush të mos kërkojë të mirën e vet, por të mirën e tjetrit. 25 Hani çdo gjë që shitet në thertore, pa e hetuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj, 26 sepse toka dhe gjithçka gjendet në të janë të Zotit.
27 Nëse ndonjë jobesimtar ju fton në shtëpi dhe pranoni të shkoni, hani gjithçka që ju vënë përpara, pa e hetuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj. 28 Por nëse dikush ju thotë: «Ky është mish që u është flijuar idhujve», mos hani për shkak të atij që jua tha këtë dhe për shkak të ndërgjegjes , 29 jo për ndërgjegjen tuaj, por për ndërgjegjen e tjetrit. Por, pse të kufizohet liria ime nga ndërgjegjja e tjetrit? 30 Nëse unë falënderoj Perëndinë për atë që ha, përse të shahem për shkak të ushqimit për të cilin kam falënderuar Perëndinë?
31 Edhe kur hani, edhe kur pini, edhe kur bëni ndonjë gjë tjetër, bëjeni për lavdi të Perëndisë. 32 Por mos u bëni pengesë as për judenjtë, as për helenët e as për kishën e Perëndisë. 33 Bëni si unë që mundohem t'u pëlqej të gjithëve, pa kërkuar përfitimin tim, por dobinë e të gjithëve, që të shpëtohen.