Krie e parë
1 Pavllua Apostolli i Iisu Hristoit me të dashurë të Perndisë edhe vëllai Timotheoi mbë Qishë të Perndisë që është ndë Korintho, e mbë Shënjtorëtë që janë ndëpër gjith’ Ahai.
2 Dhurëti mbë juvet e paq nga Perndia babai inë, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
3 E bekuarë qoftë Perndia e babai i Zotit sonë Iisu Hristoit, babai i ndijesësë e i gjithë parigorivet.
4 Që na parigoris nevet mbë çdo shtrëngim tonë, që të mundjëmë pa edhe nevet të parigorisjëmë ata që gjëndenë ndë çdofarë shtrëngim, me anë të parigorisë që jemi parigorisurë edhe nevet nga Perndia.
5 Sepse sikundrë tepërojënë të pësuarat’ e Krishtit mbë nevet, kështu tepëron edhe parigoria onë me anë të Krishtit.
6 E ndë helmonemi pa, helmonemi për parigori e për shpëtim tuaj që bënetë me anë të durimit të tilavet të pësuara që pësojmë edhe nevet. E ndë parigorisemi, parigorisemi për parigori e për shpëtim tuaj. E shërbesa jonë ësht’ e patundurë për juvet.
7 Sepse e dimë që sikundrë kini pjesë ndë të pësuara, ashtu (do të kini) edhe ndë parigori.
8 Sepse duamë që ta diji juvet, o vëllazër, shtrëngimnë tënë që u bë mbë nevet nd’Asi, sepse u rënduam fort shumë më tepërë nga fuqia, kaqë që sa të urrejëm nevet jetënë tënë.
9 Po nevet mbë vetëhe tënë e muarrm apofasin’ e vdekëjësë, që të mos kemi shpëresënë mbë vetëhe tënë, po mbë Perndinë që ngjall të vdekuritë.
10 Ajo që na shpëtoi navet nga kaqë e madhe vdekëjë, edhe na shpëton gjithënjë, mb’atë shpërejmë që edhe do të na shpëtojë sot di parë.
11 Kur të na ndihni edhe juvet me ne bashkë për nevet me të falturë tuaj, që për të mburturë që muarrm nevet të bënetë efharistia nga shumë njerëz për nevet.
12 Sepse të mburturitë tanë këjo është, fiqiri inë i qëruarë, sepse rruam na ndë botë me zëmërë të hapëtë e me të drejtë të Perndisë, jo me sofi të kurmit, po me hir të Perndisë, edhe më tepërë mbë juvet.
13 Sepse nuk’ u shkruajmë juvet të tjera, përveçe ature që kini dhiavasurë a kini njohurë; edhe shpërej që ngjera më të pastajmenë do t’i njihni.
14 Sikundrë na kini njohurë nevet mbënjanë, që jemi mburëja juaj, si edhe juvet ona mbë ditë të Zotit Iisuit.
15 E me këtë tharos desha të vijë ndër ju më përpara, që të kini gëzim të ditë.
16 E prej jush të shkoj ndë Maqedhoni, e përsëri nga Maqedhonia të vij ndër ju, e prej jush të përcillem nd’Iudheë.
17 E si qe i tili nijeti im, mbase qeshë i paqëndruarë ndë fjalë? A ato që silloisem i silloisem njerëzisht, që të jetë ndanë meje, e e, e jo jo?
18 Si e vërtetë që është Perndia, ashtu edhe fjala onë që u bë mbë juvet, nuk’ u bë e e jo.
19 Sepse i biri i Perndisë Iisu Hristoi, ai që u qiriks nga nevet ndër ju, nga meje, e nga Silluanoi, e nga Timotheoi, nuk’ u bë e e jo, po mbë të u bë kurdo e.
20 (Sepse gjithë sa janë të taksurat’ e Perndisë, janë mb’atë e, e mb’atë janë amin) të Perndisë për nder tënë.
21 Ndashti Perndia është ajo që na mban nevet pa luajturë me juvet bashkë mbë Krishtinë, e që na ka nevet hrisurë.
22 E që na ka vulosurë nevet e që na ka dhënë kapar’ e Shpirtit ndë zëmëra tona.
23 Ndashti unë mbë jetë time thërres Perndinë martir, që tuke kurcierë juvet nuk’ arçë më ndë Korintho.
24 Jo se urdhërojëmë besënë tuaj, po jemi shokë mbë gëzim tuaj, sepse ju qëndroni ndë besë.
Përshëndetje
1 Unë, Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai ynë Timoteu, po i shkruajmë kishës së Perëndisë që është në Korint dhe të gjithë të shenjtëve në mbarë Akainë: 2 hiri e paqja e Perëndisë, Atit tonë, dhe e Zotit Jezu Krisht qofshin me ju!
Pali falënderon Perëndinë
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë, Jezu Krishtit, Ati i mëshirës dhe Perëndia i çdo ngushëllimi! 4 Ai na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona, që edhe ne të mund të ngushëllojmë ata që vuajnë, me ngushëllimin me të cilin na ngushëlloi Perëndia. 5 Sikurse janë të shumta vuajtjet e Krishtit për ne, edhe ngushëllimi ynë është i plotë përmes Jezu Krishtit. 6 Kur vuajmë, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj. Kur Perëndia na ngushëllon, kjo ndodh për ngushëllimin tuaj që ju forcon për të mbartur me durim të njëjtat vuajtje që po kalojmë edhe ne. 7 Shpresa jonë për ju është e palëkundshme, sepse e dimë se, sikurse merrni pjesë në vuajtjet tona, merrni pjesë edhe në ngushëllimin tonë.
8 Vëllezër, nuk duam që të mos jeni në dijeni për vuajtjet që kaluam në Azi, se aty gjendja jonë u rëndua përtej fuqive tona dhe aq shumë, saqë e kishim humbur edhe shpresën për të jetuar. 9 Menduam se ishim dënuar me vdekje dhe kjo që të mos shpresonim te vetja, por te Perëndia që ngjall të vdekurit. 10 Ai që na shpëtoi nga rreziku i vdekjes, do të vazhdojë të na shpëtojë. Tek ai shpresojmë se do të na shpëtojë, 11 por edhe ju do të na ndihmoni me anë të lutjeve tuaja e kështu shumë vetë do të falënderojnë Perëndinë për ne.
Vonesa për në Korint
12 Ne krenohemi e për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja jonë, se kemi jetuar në botë, e veçanërisht mes jush, me thjeshtësi dhe me sinqeritetin që vjen nga Perëndia, të udhëhequr nga hiri i tij e jo nga urtia njerëzore. 13 Nuk po ju shkruajmë gjë tjetër, përveç asaj që lexoni e kuptoni. Unë shpresoj se deri në fund do ta kuptoni plotësisht, 14 sikurse deri diku na keni kuptuar edhe ne, se në Ditën e Zotit Jezu ne do të krenohemi me ju dhe ju do të krenoheni me ne.
15 Me këtë bindje desha të vija së pari te ju, që të gëzoheshit dyfish. 16 Doja të kaloja nga ju për të shkuar në Maqedoni e nga Maqedonia të kthehesha përsëri te ju, që të më përcillnit për në Jude. 17 Kur vendosa të bëja kështu, mos vallë po veproja me mendjelehtësi? Mos vallë i marr vendimet sipas gjykimeve njerëzore, që të them «po» e «jo» njëherësh? 18 Perëndia dëshmon se fjala jonë për ju nuk ka qenë «po» e «jo» njëherësh, 19 se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që e shpallëm mes jush unë, Silvani e Timoteu, nuk ishte «po» e «jo» njëherësh. Përkundrazi ai u bë «po-ja» e Perëndisë.
20 Përmes Jezuit merr «po» çdo premtim i Perëndisë, prandaj përmes tij ne lavdërojmë Perëndinë duke i thënë «Amen». 21 Është vetë Perëndia ai që na forcon bashkë me ju në jetën me Krishtin, ai që na vajos, 22 dhe ai që na ka vulosur duke vënë Shpirtin e tij në zemrat tona si kapar.
23 Por për këtë thërras Perëndinë si dëshmitar për shpirtin tim: unë nuk u ktheva në Korint, se nuk doja t'ju bëhesha barrë. 24 Nuk duam të sillemi si zotër të besimit tuaj, por si bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, meqenëse qëndroni të fortë në besim.