Krie e pesëtë
1 E sa për mote e për kohëra, vëllazër, nukë kini hri që t’ua shkruajmë nevet.
2 Sepse juvet vetë e diji fort mirë, që dita e Zotit do të vijë posi kusari i natësë.
3 Sepse kur t’u thonë: Paq e siguri, atëherë do t’arrijë mbë ta papandehurë humbëja, si të dhëmburit’ e barkut gruasë me barrë, e do të mos kenë shpëtim.
4 Po juvet, vëllazër, nukë jini nd’errëcirë, që t’u pllakosjë ajo ditë si kusar.
5 Sepse gjithë juvet jini të bijt’ e ditësë. Na nukë jemi të natësë as të errëcirësë.
6 Le të mos flëmë adha nevet si edhe të tjerëtë, po le të rrimë cgjuarë e esëllë.
7 Sepse ata që flënë, natënë flënë; e ata që dehenë, natënë dehenë.
8 Andaj na që jemi bijt’ e ditësë, le të jemi esëllë, e le të veshjëmë skutar’ e besësë, e të dashurisë; e periqefalë, shpëresë të shpëtimit.
9 Sepse nukë na ka nevet Perndia apofasisurë për urgji, po na ka për të poktisurë shpëtimnë me anë të Zotit sonë Iisu Hristoit.
10 Që vdiqi për nevet, që të rrojmë me të bashkë, kaqë kur jemi cgjuarë, aqë kur jemi fleturë.
11 Andaj forconi njeri-jatërinë, e bëni për dërtim të njeri-jatërit, sikundr’ edhe bëni.
12 E u lutemi juvet, vëllazër, që të vështroni ata që mundonenë ndër ju e u ndihjënë juvet mbë Zonë, e u apënë juvet nasihat.
13 E t’i kini ata mbë nder me shumë dashuri, për punë të ture. Kini paq ndë mes tuaj.
14 E u lutemi juvet, vëllazër, të mpsoi ata që nukë bëjënë ato që ka urdhëruarë Perndia, të parigorisni zëmërëvogjëjtë, të ipni ndihmë të sëmurturet, të jini të durimçim mbë gjithë.
15 Vështroni të mos bëjë njeri ndonjëit të keq për të keq, po gjithënjë kërkoni të bëni të mirënë edhe njeri mbë jatërinë, edhe mbë të gjithë.
16 Jini gjithënjë mbë gëzim.
17 Fali pa të çkëputurë.
18 Epni efharisti për gjithë punëra, sepse këjo është dashuri e Perndisë mbë Hristo Iisunë mbë gjithë juvet.
19 Mos e shuani Shpirtinë.
20 Mos shtiri poshtë Profitëtë.
21 Dhoqimasni të gjitha, mbai të mirënë.
22 Nga çdolloi e keqe ruhi.
23 E vetë Perndia e paqit t’u Shënjtërojë juvet mbë gjithë punëra, që t’u ruhetë Shpirti juaj i tërë edhe kurmi pa fëjierë mbë t’ardhurë të Zotit sonë Iisu Hristoit.
24 I besësë ësht’ ai që u ka thirrë juvet, e ai edhe do ta bëjë.
25 Vëllazër, luti për nevet.
26 Fali me shëndet gjithë vëllazëret me të puthurë Shënjtërishte.
27 U vë mbë be juvet mbë Zonë, që këjo kartë të këndonetë mbë gjithë Shënjtorëtë vëllazër.
28 Dhurëtia e Zotit sonë Iisu Hristoit me gjithë juvet. Ashtu qoftë!
* Karta e parë ndë Selenikli u shkrua nga Athina.
1 O vëllezër, sa për kohën dhe për orën se kur do të ndodhin këto gjëra, nuk keni nevojë t'ju shkruaj, 2 pasi ju vetë e dini mirë se Dita e Zotit do të vijë siç vjen vjedhësi natën. 3 Kur t'ju thonë: «kemi paqe dhe siguri», atëherë mbi ta do të bjerë papritur shkatërrimi. Ata nuk do t'i shpëtojnë dot dhe do të vuajnë si gruaja në dhimbjet e lindjes.
4 Por ju, o vëllezër, nuk jeni në errësirë që ajo ditë t'ju zërë në befasi, si vjedhësi; 5 ju të gjithë jeni bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk jemi as të natës, as të errësirës. 6 Prandaj të mos flemë si të tjerët, por të vigjilojmë dhe të jemi të kthjellët. 7 Sepse ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën. 8 Por ne, meqenëse jemi të ditës, le të jemi të kthjellët, duke veshur besimin dhe dashurinë si parzmore dhe shpresën e shpëtimit si përkrenare.
9 Perëndia nuk na caktoi të vuajmë zemërimin e madh, por na caktoi të marrim shpëtimin përmes Zotit tonë Jezu Krisht, 10 i cili vdiq për ne. Kështu, kur të vijë ai, edhe nëse vigjilojmë, edhe nëse jemi duke fjetur, do të jetojmë bashkë me të. 11 Prandaj ngushëlloni dhe ndihmoni njëri-tjetrin për t'u rritur në besim, sikurse edhe po bëni.
Porositë e fundit
12 Tani, o vëllezër, ju lutemi t'i vlerësoni ata që Zoti i ka ngarkuar për të qenë drejtuesit tuaj, që ju shërbejnë me mund dhe që ju këshillojnë. 13 Çmojini dhe nderojini me dashuri për punën që bëjnë. Jetoni në paqe mes jush. 14 O vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni ata që nuk jetojnë siç duhet, t'i ngushëlloni zemërlëshuarit, t'i ndihmoni të dobëtit në besim dhe të jeni të duruar me të gjithë. 15 Kini mendjen se mos ndokush ia kthen dikujt të keqen me të keqe. Gjithmonë kërkoni të mirën për njëri-tjetrin dhe për të gjithë.
16 Gëzohuni gjithmonë. 17 Lutuni pa pushim. 18 Falënderoni për çdo gjë, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju përmes Krishtit Jezu.
19 Mos e shuani Shpirtin. 20 Mos i përbuzni profecitë. 21 Shqyrtoni çdo gjë, mbani atë që është e mirë. 22 Hiqni dorë nga çdo lloj ligësie.
23 Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë plotësisht dhe gjithë qenia juaj, shpirt, mendje e trup qoftë e paqortueshme kur të vijë Zoti ynë Jezu Krisht. 24 Perëndia që ju thirri është besnik dhe do ta bëjë atë që ka thënë.
25 Vëllezër, lutuni edhe për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetohem në emër të Zotit, që kjo letër t'u lexohet të gjithë vëllezërve .
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!