Krie e gjashtëtë
1 E të parënë shëtunë që qe nga e dita ditë e pashkësë, u ndodh të shkon ndëpërmes të aravet së mbjella, e mathitit’ e tij mbëjidhnë kallësë, e si i fërkoijnë me duar, i haijnë.
2 E ca nga Farisejtë u than’ ature: Pse bëni juvet atë që nuk’ është ndëjierë të bënetë ndë të shëtunë?
3 E u përgjegj ature Iisui, e u tha: As këtë nukë dhiavastë që bëri Dhavidhi, kur pati u ai edhe ata që qenë me të bashkë?
4 Qish hiri ndë shtëpi të Perndisë, e mori bukët’ e prothesit e i hangri, e u dha edhe ature që qenë me të bashkë, që ato s’është ndëjierë t’i hajë njeri, përveçme priftëret?
5 E u thosh ature, që i biri i njeriut është Zot edhe i së shëtunësë.
6 E u ndodh edhe ndë tjatër të shëtunë të hin ai ndë sinaguaj e të dhidhaks, e atje qe një njeri që kish dorën e djathëtë të thatë.
7 E e vështroijnë atë grammatejtë edhe Farisejtë nd’e shëron të shëtunë, që t’i gjeijn’ atij të sharë.
8 E ai i dij silloit’ e ture, e i thot’ atij njeriut që kish dorënë të thatë: Ngreu e qëndro ndë mes. Edhe ai u ngre e qëndroi mbë këmbë.
9 U thot’ adha Iisui ature: Do t’u pies juvet një fjalë: Ësht’ e udhësë të shëtunatë të bëjëmë të mirë, a të bëjëmë të keq, të sosjëmë Shpirt, a ta humbasëmë?
10 E si u kthie e vështroi gjith’ ata, i tha njeriut: Ndëj dorënë tënde. Edhe ai bëri si i tha. E ju bë dora e tij e shëndoshë si edhe tjetëra.
11 E ata u mbushnë me pikëllim, e kuvëndoijnë njeri me jatërinë, çfarë punë t’i bëijnë Iisuit.
12 E u bë mb’ato dit, dolli ndë mal të falej, e shkonte gjithë natënë mbë të falë të Perndisë.
13 E kur u kdhi e u bë ditë, thirri mathitit’ e tij, e si zgjodhi nga ata dimbëdhjetë, mb’ata dha edhe ëmërinë Apostoj.
14 (Simonë që i vuri ëmërinë Petro, edhe Andhreanë vëllan’ e tij, Iakovonë, edhe Ioannë, Filipponë, edhe Varthollomeonë.
15 Mattheonë, edhe Thomanë, Iakovonë të bir’ e Allfeosë, edhe Simonë që thuhetë Zilloti.
16 Iudhënë, të bir’ e Iakovoit, edhe Iskariotnë Iudhë, atë që u bë prodhot).
17 E si zbriti me ta bashkë qëndroi ndë një vënd të sheshuarë ai edhe mathitit’ e tij, edhe një turm’ e madhe llaoit nga gjithë vënd’ i Iudheësë, edhe Ierusalimit, edhe prej anëvet detit së Tirosë, edhe të Sidhonësë, që këta erdhë të digjoijnë atë, e të shëronishnë nga sëmundët’ e ture.
18 Edhe ata që piraksishnë nga Shpirtet’ e pëgëra vijnë e shëronishnë.
19 E gjithë llaoi kërkon ta zij me dorë, sepse dilte nga ai një fuqi, e i shëron të gjithë.
20 E ai si ngrijti sitë mbë mathitit’ e tij, thosh: Lum ju të varfëritë, se juaja është mbretëria e Perndisë.
21 Lum ju që kini ndashti u, se do të frihi. Lum ju që qai ndashti, se do të qeshni.
22 Të lumurë do të jeni ahiere kur t’u zbojënë juvet njerëzitë, edhe kur t’u veçojënë juvet, e t’u dhunojënë, e t’u krejënë ëmërinë tuaj si të ligj e të ndjetë për sebep të birit së njeriut.
23 Gëzoni mb’atë ditë e hidhi, sepse vështroni sa e madhe është paga juaj ndë Qiell, se të tilatë bënë mbë profitër baballarët’ e ture.
24 Po ve mbë ju të pasuritë, se gëzimnë tuaj e muartë.
25 Ve mbë juvet që jeni të ngosëtë, se do t’u vijë u. Ve mbë juvet që qeshni ndashti, se do të helmoneni e do të qai.
26 Ve mbë juvet kur t’u bekojënë, e t’u nderojënë njerëzitë, se kështu bëijnë ndë profitër të rrem baballarët’ e ture.
27 Po juvet u thom që digjoni: Doi hasmëritë tuaj; bëni të mirë mb’ata që nuk’ u duanë juvet.
28 Uroni ata që u nëmjënë juvet, e u mallëkojënë; e lutuni për ata që u gucitjënë juvet.
29 Nde ai që të të bjerë tij me shuplakë ndë njërënë faqe, kthei atij edhe tjatërënë. E atij që të të marrë tij gunënë, lei edhe këmishënë.
30 Cilitdo që të kërkojë, epi; edhe atij që të marrë të tuatë, mos ja kërko prapë.
31 Edhe sikundrë doi t’u bëjënë njerëzitë juvet, ashtu bëni edhe juvet ature.
32 E nd’është që të doi ata që u duanë juvet, ç’dhurëti kini juvet? Sepse edhe fajëtorëtë duanë atë që i do ata.
33 E nd’është që të bëni të mirë mb’ata që u bëjënë juvet të mirë, ç’pagë kini juvet? Sepse edhe gjinahqarëtë të tilatë bëjënë.
34 E nd’është që të huani mb’ata që kini omuth që t’i mirri prapë, ç’pagë kini juvet? Sepse edhe fajëtorëtë huajënë fajëtorëvet, që të marrënë të tilatë.
35 Po të doi hasmëritë tuaj, e t’u bëni të mirë, e të huani pa omuth të mirri gjë. E do të jetë paga juaj e madhe, e do ini të bijt’ e së lartit, sepse ai është i mirë mb’ata që e mçojënë, e mbë të këqinj.
36 Bënuni dha lejmonjarë, sikundrë është edhe babai juaj lejmonjar.
37 E mos hiqni mbë gojë, që të mos u heqëjnë. Mos kallëzoni, të mos kallëzoneni. Ndëjeni, që t’u ndëjejënë.
38 Ipni, e do t’u ipet’ edhe juvet. Matës të mirë të ngjeshurë, e të tundurë, e të ksehilisurë do t’apënë ndë gji tuaj; se me atë matës që matni, me atë do t’u kthenetë t’u matet’ edhe juvet.
39 E u tha ature edhe një paravoli: Mos mund i verbëri të heqjë të verbërinë? Nukë do të bienë të di ndë trap?
40 Nuk’ është mathiti mbi dhaskalin’ e tij, ma cilido të jetë i sosurë si dhaskal’ i tij.
41 E po pse sheh halënë që është ndë si të vëllait sit, e nukë kupëton tranë që është ndë si tënd?
42 A qish mund t’i thuaç vëllait sit: Le, o vëlla, të xjer halënë që është ndë si tënd, kur nukë sheh tij tranë që është ndë si tënde? Ipokriti (me di faqe), nxir më përpara tranë nga siri it, e ahiere do të shohç të nxjerç halënë që është ndë si të vëllait sit.
43 Se s’është ndonjë lis i mirë që të bëjë pemmë të kalbëtë; as lis i kalbëtë të bëjë pemmë të mirë.
44 Çdo lis nga pemma e tij njihetë, sepse nukë mbëjedhënë fiq nga gjëmbatë, as nga ferra vjelënë rrush.
45 Njeriu i mirë nga hazinea e mirë e zëmërësë tij nxjer të mirënë; e njeriu i lig nga hazineja e ligë e zëmërësë tij nxjer të ligënë; se nga ajo që tepëron ndë zëmërë flet goja e tij.
46 E pse më thoi juvet mua: Zot, o Zot, e nukë bëni ato që u thom?
47 Cilido që vjen tek u, e digjon fjalët’ e mia, e i bën ato, do t’u dëftoj juvet me cilinë gjan.
48 Ai gjan me një njeri që kur bën shtëpinë rrëmon, e thellon, e vë binanë mbi shpellë, e kur erdhi ujëtë, e i ra lumi asaj shtëpiet, s’mundi ta luan atë shtëpi, sepse kish binanë mbi gur.
49 E ai që digjon e nukë bën, gjan me një njeri që bën shtëpinë mbi dhe pa bina; mb’atë ra lumi, e atë çast ra, e u bë të rarit’ e asaj shtëpiet të madh.
Jezui dhe e shtuna
(Mt 12.1-8Mk 2.23-28)1 Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. 2 Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». 3 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? 4 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t'i hajë askush përveç priftërinjve?». 5 Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Njeriu me dorë të paralizuar
(Mt 12.9-14Mk 3.1-6)6 Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. 7 Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. 8 Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. 9 Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». 10 Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. 11 Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t'i bënin Jezuit.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1-4Mk 3.13-19)12 Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t'u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. 13 Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. 14 Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, 15 Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, 16 Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar.
Shërbesa e Jezuit dhe turmat
(Mt 4.23-25)17 Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. 18 Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin 19 dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.
Lumnitë dhe mjerimet
(Mt 5.1-12)20 Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:
«Lum ju që jeni të varfër,
se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!
21 Lum ju që tani keni uri,
se do të ngiheni!
Lum ju që tani qani,
se do të qeshni!
22 Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë,
kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë,
kur të shpifin për ju
për shkak të Birit të njeriut!
23 Kur të vijë ajo ditë,
gëzohuni e kërceni,
se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell.
Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët.
24 Por mjerë ju të pasur,
se e keni marrë ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju që jeni të nginjur tani,
se do të keni uri!
Mjerë ju që tani qeshni,
se do të trishtoheni e do të qani!
26 Mjerë ju kur të gjithë
të flasin mirë për ju!
Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».
Dashuria për armiqtë
(Mt 5.38-48Mt 7.12a)27 «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. 28 Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. 29 Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. 30 Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. 31 Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t'ju bëjnë juve. 32 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. 33 Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. 34 Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t'jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. 35 Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t'ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. 36 Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».
Mos e gjyko vëllanë
(Mt 7.1-5)37 «Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. 38 Jepni e do t'ju jepet. Do t'ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni».
39 Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t'i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? 40 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.
41 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 42 Si mund t'i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd».
Pema njihet nga frytet
(Mt 7.17-20Mt 12.34b-35)43 «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. 44 Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. 45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç'ka zemra, nxjerr goja ».
Dy shtëpitë
(Mt 7.24-27)46 «Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? 47 Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. 48 Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. 49 Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj».