Krie e nëntëmbëdhjetëtë
1 Ahiere e mori Pillatua Iisunë e e rrahu.
2 E trimatë pleksnë një kurorë prej gjëmbavet e ja vunë ndë kokë të tij, edhe i veshnë një rrobë të kuqe.
3 E thoshnë: Gëzo, o Mbret i çifutet. E i ipnë atij shuplaka.
4 Dolli dha përsëri Pillatua përjashta e u thot’ ature: Ja, që ua nxjer atë jashtë juvet, që të kupëtoni se unë nukë gjej ndonjë faj mbë të.
5 Dolli dha jashtë Iisui veshurë me kurorë të gjëmbtë, e me rrobë të kuqe, e u thot’ ature: Javua njeriu.
6 Ma poqë e pan’ atë të parët’ e priftëret edhe kopijtë, thirrë më fort e thanë: Mbërthee mbë Kruq, mbërthee mbë kruq. U thot’ ature Pillatua: Mirrie juvet atë e mbërthenie mbë kruq, se unë nukë gjej ndonjë faj mbë të.
7 Ju përgjegjnë atij çifutë: Nevet kemi nom, e sikundr’ është nomi inë, i duhetë të vdesë, se bëri vetëhen’ e tij bir të Perndisë.
8 Kur digjoi dha Pillatua këtë fjalë, u trëmb më tepër.
9 E hiri përsëri ndë pretuar, e i thot’ Iisuit: Nga je ti? Ma Iisui nuk’ i dha të përgjegjurë.
10 Andaj i tha atij Pillatua: Mua nukë më flet? E di që kam urdhër të të mbërthej ti mbë kruq, edhe urdhër kam të të lëshoj ti?
11 Ju përgjegj Iisui: Nukë do të keshe ndonjë urdhër mbi mua, ndë mos qe dhënë tek teje lartazi; pra andaj ai që më dha mua ndë duar të tua, është fajëtuar ndë faj të madh.
12 Që ahiere e pastaje kërkon Pillatua ta lëshon atë, e çifutë thërrisnë, e thoshnë: Ndë lëshofç këtë, s’je miku i Qesarit, sepse cilido që bën mbret vetëhen’ e tij, vete kondrë Qesarit.
13 Si digjoi dha këtë fjalë Pillatua, e nxori jashtë Iisunë, e ndënji mbë vimë ndë vënd që thuhetë Lithostroto, e Çifutërisht Gavatha.
14 E ish e Prëmpte e pashkësë, e sahati ngjera mbë gjashtë. E u thotë çifutet: Ja, mbreti juaj.
15 E ata thirrë: Merre, merre, mbërthee atë mbë kruq. U thot’ ature Pillatua: Mbretnë tuaj të mbërthej mbë kruq? U përgjegjnë të parët’ e priftëret: Nukë kemi mbret përveçe Qesarit.
16 Atëherë dha, e dha atë mbë duar të ture të mbërthenej ndë kruq; e e muarrë Iisunë e e shpijnë.
17 E mbaj kruqn’ e tij mbë krahë, e dolli të vij ndë vënd që thuhetë i krerëvet, e çifutërisht Gollgotha.
18 Atje tek e mbërthienë atë mbë kruq, edhe bashkë me të di të tjerë, një teje e një këteje, e ndë mes Iisunë.
19 Edhe Pillatua shkroi një kartë e ja vuri mbi kruq, e ish shkruarë: Iisui Nazoreu Mbreti i Çifutet.
20 E këtë kartë e dhiavasnë shumë nga çifutë, sepse qe afër nga quteti vëndi që u mbërthie Iisui ndë kruq. E ish shkruarë Çifutërisht, Gërqisht, edhe Llatinërisht.
21 Andaj i thoshnë Pillatosë të parët’ e priftëret së Çifutet: Mos shkruaj: Mbreti i Çifutet, po që ai tha: Mbreti i Çifutet jam.
22 U përgjegj Pillatua: Atë që shkrova, shkrova.
23 E trimatë poqë e mbërthienë Iisunë ndë kruq, muarë rrobat’ e tij (e i bënë katër pjesë, një pjesë për çdo trim) edhe hitonë. E hitoni qe pa të qepurë, po uarë nga ana e sipërme mbë të poshtë.
24 E andaj thanë njeri me jatërinë: Le të mos ta xjerëmë atë, po le të shtiemë short për të, cilit t’i bjerë; për të dalë e vërtetë karta që thosh: Ndajtinë rrobat’ e mia njeri me jatërinë, e shtinë shorte mbë rrobë time. Këto adha bënë trimatë.
25 E afër Kruqit së Iisuit rrijn’ e ëmm’ e tij, edhe motr’ e s’ëmësë tij, Maria e Kllopait, edhe Magdhalini Maria.
26 Iisui adha si pa mëmënë edhe Mathitin’ e dashurë që qe mbanë, i thotë mëmësë tij: Grua, ja biri it.
27 E pastaj i thotë mathitiut: Ja mëma ote. E që atëherë e mori atë mathitiu ndë shtëpi të tij.
28 Pas kësaj si e njohu Iisui që ahiere qenë sosurë gjithë, që të paguhej karta, thotë: Kam et.
29 E qe vënë atje një enë plot me uthullë. E ata si vutisnë një sfongar nd’uthullë, e e tiliksnë ndë kallam, ja prunë ndë gojë të tij.
30 E poqë mori uthullënë Iisui, tha: U teliosnë. E si unji kokënë dha Shpirtinë.
31 Ma Çifutë, që të mos mbetishnë ndë kruq kurmetë të Shëtunë, sepse ish e Prëmpte (se dit’ e asaj e Shëtunet qe e madhe), ju lutnë Pillatosë për të thierë ature kofshëtë e të ngrihenë.
32 Vanë dha trimatë e i thienë kofshëtë së parit, edhe tjatërit që qe mbërthierë bashkë me të mbë kruqë.
33 Ma poqë erdhë tek Iisui, si e panë atë që pat vdekurë atëherë, nuk’i thienë atij kofshëtë.
34 Po një nga trimatë i hapi brinjën’ e tij me shish, e atë çast dolli gjak edhe ujë.
35 E kush e pa e dëfton. E martiria e tij ësht’ e vërtetë, e ai e di që thotë të vërtetënë, që të besoni edhe juvet.
36 Sepse këto u bënë, që të dalë karta e vërtetë: Do të mos thihetë ndonjë nga eshtërat’ e tij.
37 E pagjene tjatër kartë thotë: Do të vështrojënë mb’atë që e kanë shpuarë.
38 Pas këture Iosifi nga Arimathia (mathitiu i Iisuit, po i fshehurë për frikë të Çifutet) ju lut Pillatosë për të marrë kurmin’ e Iisuit. E i dha urdhër Pillatua. Vate adha e e ngriti kurmin’ e Iisuit.
39 Erdhi edhe Nikodhimoi (ai që pat vaturë natënë tek Iisui herën’ e parë) e pru një migmë të smirnësë e t’alloit ngjera mbë njëqind litrë.
40 E muarrë adha kurmin’ e Iisuit e e pështuallë atë me çarçafe bashkë me mirudhi, sikundrë e kanë adetnë çifutë të kllasënë ndë varr.
41 E ndë vënd që u mbërthie mbë kruq ish kofshtë, e ndë kofshtë varr i ri, që edhe nukë qe vënë njeri mbë të.
42 Atje dha për të Prëmpte të Çifutet, e vunë Iisunë, sepse qe afër varri.
1 Atëherë Pilati urdhëroi të merrej Jezui e të rrihej me fshikull. 2 Ushtarët thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Pastaj e veshën me një petk të purpurt, 3 i afroheshin, e godisnin me shuplaka e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!».
4 Pilati doli përsëri jashtë e u tha judenjve: «Ja, po jua sjell jashtë, që të shihni se nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». 5 Jezui doli jashtë me kurorën e gjembave në kokë dhe i veshur me petkun e purpurt. Pilati u tha: «Ja njeriu!». 6 Kur e panë, kryepriftërinjtë dhe rojat thirrën: «Kryqëzoje! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Merreni ju e kryqëzojeni, se unë nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». 7 Judenjtë u përgjigjën: «Ne kemi një ligj dhe sipas tij ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë».
8 Kur dëgjoi këto fjalë, Pilati u frikësua më shumë, 9 hyri përsëri në pretorium dhe e pyeti Jezuin: «Nga je ti?». Jezui nuk i dha asnjë përgjigje. 10 Atëherë Pilati i tha: «Mua nuk më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj dhe kam pushtet të të kryqëzoj?». 11 Jezui u përgjigj: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet mbi mua, po të mos të të ishte dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti, ka mëkat edhe më të madh».
12 Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte Jezuin, por judenjtë thërrisnin: «Po e lirove këtë, nuk je më mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit!». 13 Pilati, kur dëgjoi këto fjalë, e solli Jezuin jashtë dhe u ul në fronin e gjykatësit, në vendin që quhej «Rruga e Gurtë», në hebraisht «Gabbatha».
14 Ishte e premte, dita e përgatitjes së Pashkës, rreth orës dymbëdhjetë të drekës.
Pilati u tha judenjve: «Ja mbreti juaj!». 15 Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?». Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit». 16 Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44Mk 15.21-32Lk 23.26-43)
Kështu, ata e morën Jezuin. 17 Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». 18 Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre.
19 Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». 20 Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». 22 Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova».
23 Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. 24 Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë:
i ndanë rrobat e mia mes tyre
dhe hodhën short për petkun tim.
Dhe ushtarët kështu bënë.
25 Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. 26 Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». 27 Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij.
Vdekja
(Mt 27.45-56Mk 15.33-41Lk 23.44-49)
28 Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». 29 Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. 30 Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt.
E shpojnë me heshtë
31 Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. 32 Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. 33 Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. 35 Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. 36 Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër 37 si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë.
Varrimi
(Mt 27.57-61Mk 15.42-47Lk 23.50-56)
38 Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. 39 Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. 40 Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. 41 Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. 42 Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër.