Krie e pesëtë
1 E paçë mb’anë të djathëtë t’atij që rrij mbë fron, një kartë të shkruarë brënda, e jashtë vulosurë me shtatë vula.
2 E paçë Ëngjëll të fortë që thërrit me zë të madh: Cili ësht’ i zoti të hapjë kartënë e të prishjë vulat’ e saj?
3 Ndonjë nukë mund as ndë qiell, as ndë dhe, as ndënë dhe, të hap kartënë, as ta shih atë.
4 E unë qajë shumë shumë, sepse nuk’ u gjënd njeri i zoti ta hap e ta dhiavas kartënë, as ta shih atë.
5 E një nga pleqtë më thotë mua: Mos qaj, ja, që mund leondari që është nga filia e Iudhësë, rrënja e Dhavidhit, të hapjë kartënë e të prishjë të shtatë vulat’ e asaj.
6 E vura re, e ja ndë mes të fronit, e ndë mes të kafshëvet, e ndë mes të pleqet një qengj që rrij mbë këmbë posi i therturë, që kish shtatë brira e shtatë si, që janë të shtatë Shpirtëret’ e Perndisë të dërguaratë mbë gjithë dhe.
7 E erdhi e mori kartënë nga dor’ e atij që rrij mbë fron.
8 E poqë mori kartënë, të katër kafshëtë e të njëzet e katër pleqtë ranë përmbis përpara qengjit e kishnë cilido qithara e kupa t’arta plot me mirudhira. Ato janë të falat’ e Shënjtorëvet.
9 E psalljënë psallmodhi të re, e thoshnë: I zoti je të març kartënë e të hapç vulat’ e saj, sepse u there, e na bleve te Perndia nevet me gjak tënd, nga çdofarë filiet, e gjuhet’, e llaoit, e miletit.
10 E na ke bërë nevet për Perndinë tënë mbretër e priftër, e do të mbretërojmë mbi dhe.
11 E vura re, e digjova zë shumë Ëngjëjet rrotullë fronit, e kafshëvet, edhe pleqet. E nëmuri i ature mijëra miliunit.
12 Ata thoshnë me zë të madh: I zoti është qengji i therturë të marrë fuqinë, e të pasuritë, e sofinë, e kuvetnë, e nderë, e lëvdimnë, edhe bekimnë.
13 E gjithë punërat’ e bëra që janë ndër qiell, e mbi dhe, e ndënë dhe, e ndë det, sa janë e sa gjëndenë ndë këto vëndëra të gjitha i digjova që thoshnë: mb’atë që rri ndë fron e mbë qengjnë bekimi, edhe nderi, edhe lëvdimi, edhe mbretëria, ndë jetë pas jetet.
14 E të katër kafshëtë thoshnë: Vërtet. E të njëzet e katër pleqtë ranë përmbis e u falë atij që rron ndë jetë të jetëvet.
Libri dhe Qengji
1 Në të djathtë të atij që rrinte ulur në fron pashë një libër të shkruar në të dyja anët , të vulosur me shtatë vula. 2 Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të lartë: «Kush është i denjë të thyejë shtatë vulat e të hapë librin?». 3 Por, askush, as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk mund ta hapte librin e ta shihte atë.
4 Atëherë unë fillova të qaj shumë, ngaqë nuk u gjet askush i denjë për ta hapur librin dhe për ta parë atë. 5 Një nga pleqtë më tha: «Mos qaj! Ja! Luani nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, ngadhënjeu dhe mund t'i thyejë të shtatë vulat e ta hapë librin».
6 Pastaj, pashë një qengj që qëndronte në mes të fronit, të katër gjallesave e pleqve. Ai dukej si i therur dhe kishte shtatë brirë e shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë, të dërguara në të gjithë dheun.
7 Ai shkoi e mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte ulur në fron. 8 Kur Qengji mori librin, katër gjallesat dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys para tij. Secili kishte nga një harpë dhe kupa të arta të mbushura me temjan që janë lutjet e të shenjtëve. 9 Ata këndonin një këngë të re e thoshin:
«I denjë je për të marrë librin
dhe për të thyer vulat e tij,
sepse u there e me gjakun tënd ke blerë për Perëndinë
njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull e komb.
10 I bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë
dhe ata do të mbretërojnë mbi dhe».
11 Pastaj pashë përsëri dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që kishin rrethuar fronin, gjallesat dhe pleqtë. Numri i tyre ishte me mijëra, me dhjetëra mijëra. 12 Ata thoshin me zë të lartë:
«I denjë është Qengji i therur
për të marrë pushtetin,
pasurinë, urtinë, fuqinë,
nderin, lavdinë e bekimin».
13 Pastaj dëgjova çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë, në det, gjithë krijesat e gjithësisë, që thoshin:
«Atij, që rri ulur në fron, dhe Qengjit
u qoftë bekimi, nderi, lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve».
14 Katër gjallesat thanë: «Amen!», ndërsa pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan .