Krie e katërmbëdhjetëtë
1 Le të mos u trubullonetë zëmëra juaj, besoni mbë Perndinë, edhe mbë mua besoni.
2 Ndë shtëpi të babait sim, shumë nomè janë, e ndë mos, do t’u keshë thënë juvet: Vete të bëj gati vënd për juvet.
3 E kur të vete, e t’u bëj gati juvet vënd, vij përsëri e do t’u marr juvet me vetëhe, që tek të jem unë, të jini edhe juvet.
4 Edhe tek vete unë e diji, edhe udhënë e diji.
5 I thot’ atij Thomai: Zot, nukë dimë ku vete, e qish mundjëmë të dimë udhënë?
6 I thot’ atij Iisui: Unë jam udha, edhe e vërteta, edhe jeta. Ndonjë s’vete te babai, përveçme me anë time.
7 Të njohëtë mua, do të njohëtë edhe babanë tim, edhe që ndashti e njihni atë edhe e kini parë atë.
8 I thot’ atij Filippoi: Zot, dëftona navet babanë, e na është sado.
9 I thot’ atij Iisui: Kaqë kohë jam me juvet bashkë, e nukë më njohe, o Filippo? Ai që pa mua, pa babanë. E qish thua: dëftona navet babanë?
10 Nukë beson që unë jam te babai, e babai është tek u? Fjalëtë që u thom juvet, nuk’ i thom nga vetiu, po babai që është tek u, ai i bën punëtë.
11 Besomëni mua që unë jam te babai, e babai mbë mua është; e ndë mos, silloisni këto punëtë e besomëni mua.
12 Vërtet, vërtet u thom juvet, kush beson mbë mua, punëtë që bëj unë, edhe ai do t’i bëjë; edhe më të mëdha nga këto do të bëjë, sepse unë vete te babai im.
13 E çdo që të kërkoni mbë ëmër tim, do t’ua bëj u këtë, që të nderonetë babai mbë të birë.
14 E ndë kërkofçi ndonjë punë mbë ëmër tim, do t’ua bëj unë.
15 Ndë më doi mua, ruani porsit’ e mia.
16 E unë do t’i lutem babait, e do t’u apë tjetër Paraklito juvet, që të jetë bashkë me juvet ndë jetë të pasosurë.
17 Shpirtin’ e së vërtetësë, që atë bota s’mund ta marrë, sepse nuk’ e sheh atë, as e njeh atë; ma ju e njihni atë, sepse me juvet gjëndetë e mbë ju do t’u jetë.
18 Do të mos u lë juvet të varfërë; kthenem mbë ju.
19 Edhe për një çikë, e bota më nukë më sheh, ma juvet më shihni; sepse unë rroj, e do të rroni edhe juvet.
20 Mb’atë ditë do të njihni juvet, që unë jam mbë babanë, e babai është mbë mua, e unë mbë juvet.
21 Ai që mban porsit’ e mia e i ruan ato, ai është që më do mua. E ai që më do mua, do të duhetë nga babai im, edhe unë do ta dua atë e atij do t’i dëftoj vetëhenë time.
22 I thot’ atij Iudha (jo Iskarioti): Zot, për çfarë punë që do të dëftoç vetëhenë tënde ndë nevet e jo ndë botë?
23 Ju përgjegj Iisui, e i thot’ atij: Kush më do mua, do të ruajë fjalënë time, e babai im do ta dojë atë, e do të vijëmë nde ai e do të bëjëmë të ndënjuritë mbanë tij.
24 Kush nukë më do mua, nukë ruan fjalët’ e mia. E fjala që digjoni nuk’ është imea, po e babait që më ka dërguarë.
25 Këto u thaçë juvet kur gjëndeshë me ju.
26 Ma Paraklitoi, Shënjti Shpirt, që do të dërgojë babai mbë ëmër tim, ai do t’u dhidhaksjë juvet gjithë, e do t’u kujtojë juvet gjith’ ato që u thaçë juvet.
27 Paqnë u lë juvet, paqnë time u ap unë juvet, jo sikundrë e ep bota ua ap juvet. Le të mos dridhetë zëmëra juaj, as të mos trëmbetë.
28 Digjuatë që u thaçë unë juvet: Vete, e vij ndë ju. Ndë më dojëtë, do të gëzonishtë, sepse u thaçë: Vete te babai, sepse babai im është m’i madh se unë.
29 E ndashti u thaçë juvet pa bërë, e kur të bënenë t’i besoni.
30 Nukë do të kuvëndoj më shumë me juvet, sepse vjen arhondi i kësaj diniasë e s’ka të bëjë me mua fare.
31 Po që të njohënë bota që unë dua babanë, e sikundrë më porsiti mua babai, kështu bëj. Ngrihi të ikëjëmë këteje.
Udha, e vërteta dhe jeta
1 «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t'ju thosha se po shkoj t'ju bëj gati vendin. 3 Kur të shkoj e t'ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri e do t'ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë. 4 Ju e dini udhën për ku po shkoj unë».
5 Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?». 6 Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje. 7 Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë».
8 Filipi i tha: «Zot, na trego Atin e kjo na mjafton». 9 Jezui i tha: «Ka kaq kohë që jam me ju e nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin?”. 10 Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra. 11 Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave. 12 Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do t'i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14 Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj».
Premtimi i Shpirtit të shenjtë
15 «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. 16 Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, 17 Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t'ju lë jetimë. Do të vij te ju. 19 Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni, sepse jetoj unë. 20 Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju.
21 Kush i ka urdhërimet e mia e i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua e do t'i shfaqem». 22 Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» 23 Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë e do të banojmë tek ai. 24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi.
25 Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. 26 Ngushëlluesi, Shpirti i shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë gjithçka e do t'ju kujtojë gjithçka që ju thashë.
27 Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet!
28 Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj e do të vij përsëri te ju”. Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. 29 Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. 30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. 31 Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin e bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj.
Ngrihuni të ikim prej këtej!».