Krie e pesëmbëdhjetëtë
1 Duhetë ndashti, navet të fortitë të mbajëmë smundëjat’ e së sëmurëvet, e të mos bënemi të pëlqierë mbë vetëhe tonë.
2 Cilido nga nesh le të bënetë i pëlqierë nde gjitoni tij mbë të mirë për dërteilë.
3 Sepse edhe Krishti nukë pëlqeu vetëhenë, sikundr’ është shkruarë: Dhunërat’ e ature që të shajtinë ti, ranë mbi mua.
4 Sepse gjith’ ato që qenë shkruarë më përpara, për dhidhaskali tënë qenë shkruarë, që të kemi shpëresë me durim e me parigori të kartëravet.
5 E Perndia e durimit e e parigorisë na dhashtë nevet që të kemi një mënd njeri me jatërinë, sikundrë do Iisu Hristoi.
6 Që të lëvdoni gjithë bashkë me një gojë Perndinë e babanë të Zotit sonë Iisu Hristoit.
7 Andaj afëroni njeri-jatërinë, sikundr’ na afëroi edhe Krishti nevet për lëvdim të Perndisë.
8 Sepse u thom që Iisu Hristoi u bë shërbëtuar mb’ata që janë nga Peritomia për të vërtetë të Perndisë, që të bën të paluajtura të taksuratë, që qenë bërë ndë baballarë.
9 E filit’ e tjera pa të lëvdojënë Perndinë për lejmoni, sikundr’ është shkruarë: Andaj unë do të të mollois tij ndë mes të filivet, e ëmërit sit do t’i këndoj lëvdim.
10 E përsëri thotë: Gëzouni, o fili, bashkë me llaon’ e tij.
11 E pagjene: Lëvdoni Zotnë gjithë filitë, e mburnie atë gjithë llaotë.
12 E përsëri Isaia thotë: Do të jetë rrënja e Ieseut, edhe ai që do të ngrihetë, do të urdhërojë filitë, e filitë do të shpërejënë mbë të.
13 E Perndia e shpëresësë u mbushtë juvet me çdofarë gëzimit e paqit me anë të besësë, që të tepëroni juvet ndë shpëresë me fuqi të Shënjtit Shpirt.
14 E besoj edhe unë vetë, vëllazër, për juvet, që edhe juvet nga vetiu jini plot me dashuri, plot me çdofarë urtëciet, e mundni të mpsoni njeri-jatërinë.
15 Ma u shkrova juvet pakëzë me tharos, o vëllazër, që t’u kujtoj juvet pak gjë, për dhurëti që m’u dha mua nga Perndia.
16 Që të jem unë shërbëtuar i Iisu Hristoit mb’anë të filivet, të punoj si prift Ungjilln’ e Perndisë, që të dheksetë mblata e filivet, e të shënjtëronetë me anë të Shënjtit Shpirt.
17 Kam adha mbë se të mburem mbanë Perndisë me Iisu Hristonë.
18 Sepse nukë mund të duroj të mos rrëfej atë që bëri Krishti me anë time, për të prurë ndë të digjuarë filitë me fjalë edhe me punë.
19 Me fuqi të thavmëravet e të çudivet, me fuqi të Shënjtit Shpirt, ngjera mbë kaqë që nga Ierusalimi e nga vëndetë rrotullë ngjera mbë Iliri gjithë e kam mbushurë me Ungjill të Krishtit.
20 E kështu nxitojë unë të dhidhaksjë këtë Ungjill, jo tek qe zënë ngoje Krishti, që të mos stisjë unë mbi bina të së tjerëvet.
21 Po sikundr’ është shkruarë: Ata që nukë kanë pasurë haber për të, do të shohënë, e ata që s’kanë digjuarë për të, do të kupëtojënë.
22 Për atë punë u mbodhiçë shumë herë të vijë ndër ju.
23 Ma ndashti si s’kam vënd më ndë këto vënde, e si keshë dëshërim shumë që mot e tëhu të vijë mbë ju.
24 Kur të shkoj për Spanjë, do të vij mbë ju, sepse shpërej mbë të shkuarë t’u shoh juvet, e prej jush do të kem shoqëri për atje, kur të ngosem prej jush nga gjë.
25 Po ndashti vete nd’Ierusalim për të shërbierë të Shënjtorëvet.
26 Sepse Maqedhonia edhe Ahaia, e silloisnë mirë të bëijnë një ndihmë mbë Shënjtorë të varfërë që janë nd’Ierusalim.
27 Sepse u pëlqeu këjo, edhe u janë ature borçli, sepse nd’është që u bënë shokë Ethnikotë me ata ndë punëra të Shpirtit, duhetë të shërbejënë ata edhe ndë punëra të kurmit.
28 Si të sos adha këtë, e si t’u ap ature mbë dorë këtë pemmë, do të shkoj nga jush për Spanjë.
29 Edhe e di që kur të vij ndër ju, do të vij me plot bekim t’Ungjillit së Krishtit.
30 E u lutem juvet, o vëllazër, për Zotnë tënë Iisu Hristonë, e për dashuri të Shënjtit Shpirt, që të më ndihni mua mbë të falturë përpara Perndisë.
31 Që të shpëtoj nga të pabesëtë që janë nd’Iudheë, edhe që të më bënetë e dheksurë mblata ime ndë Shënjtorë të Ierusalimit.
32 Që të vij me gëzim ndër ju me të dashurë të Perndisë, e të prëhem bashkë me ju.
33 E Perndia e paqit qoftë me gjithë juvet. Kështu qoftë!
Kujdesu për të afërtin
1 Ne që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe të mos bëjmë ç'na pëlqen neve. 2 Secili prej nesh të bëjë çfarë i pëlqen të afërtit, për të mirën e tij, që ai të këndellet në besim. 3 Sepse edhe Krishti nuk bëri çfarë i pëlqente atij, por siç është shkruar: sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua. 4 Gjithçka që u shkrua më parë, u shkrua për mësimin tonë, që nëpërmjet durimit e ngushëllimit, që na japin Shkrimet, të kemi shpresë. 5 Perëndia i durimit e i ngushëllimit dhëntë që ju të jeni në një mendje me njëri-tjetrin sipas Krishtit Jezu, 6 në mënyrë që, një mendjeje e njëzëri, të përlëvdoni Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht.
Për judenjtë dhe për kombet
7 Prandaj pranojeni njëri-tjetrin sikurse Krishti ju pranoi, që të përlëvdohet Perëndia. 8 Po ju them se Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të përmbushur premtimet e dhëna etërve dhe për të treguar se Perëndia është i vërtetë. 9 Ai erdhi edhe që kombet të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij, sikurse është shkruar:
prandaj do të të përlëvdoj
ndër kombe
dhe do të lavdëroj
emrin tënd.
10 Përsëri thotë:
ngazëlloni, o kombe,
me popullin e Perëndisë.
11 Dhe sërish:
lavdëroni Zotin
të gjitha ju kombe
dhe të gjithë popujt
e lavdërofshin atë!
12 Isaia thotë edhe:
do të vijë rrënja e Jeseut,
ai që do të ngrihet
për të sunduar kombet.
Në të do të shpresojnë kombet.
13 Perëndia i shpresës ju mbushtë plot me gëzim e paqe në besimin tuaj, në mënyrë që me fuqinë e Shpirtit të shenjtë të jeni plot me shpresë.
Detyra apostolike e Palit
14 Sa për ju, vëllezërit e mi, jam i bindur se jeni plot me mirësi, plot me dije dhe të aftë për të këshilluar njëri-tjetrin. 15 Në disa pjesë të letrës ju shkrova më me ashpërsi për t'ju kujtuar ato që tashmë ju i njihni. E bëra këtë me hirin që më ka dhënë Perëndia 16 për të qenë shërbëtor i Krishtit Jezu për kombet, për të shërbyer si prift për ungjillin e Perëndisë, në mënyrë që kombet të bëhen fli kushtimi që i pëlqen Perëndisë dhe që është e shenjtëruar prej Shpirtit të shenjtë.
17 Prandaj, falë Krishtit Jezu, unë krenohem me gjithçka që bëj për Perëndinë. 18 Nuk do të guxoja të flisja për asgjë tjetër përveçse për ato që bëri Krishti përmes meje, që t'i sillte në bindje ndaj Perëndisë kombet. Këtë e bëra me fjalë e me vepra, 19 me fuqinë e shenjave e të mrekullive dhe me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë. Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri. 20 Jam përpjekur të shpall ungjillin atje ku emri i Krishtit nuk njihej, në mënyrë që të mos ndërtoja mbi themelin e tjetërkujt, 21 sikurse është shkruar:
do ta shohin ata të cilëve
ai nuk u ishte shpallur
dhe ata që nuk kishin dëgjuar,
do të kuptojnë.
Synimi për të shkuar në Romë
22 Kjo më ka penguar shumë që të vij te ju. 23 Tani e kam mbaruar punën time në këto krahina. Ka shumë vite që dua të vij te ju 24 dhe shpresoj ta bëj këtë kur të udhëtoj për në Spanjë. Gjatë udhëtimit shpresoj t'ju shoh dhe shpresoj të më ndihmoni për të vazhduar udhëtimin pasi të jem kënaqur sadopak me ju.
25 Tani po shkoj në Jerusalem për t'u shërbyer të shenjtëve. 26 Besimtarët e Maqedonisë e të Akaisë dhanë me kënaqësi një dhuratë ndihme për të shenjtët e varfër në Jerusalem. 27 Këtë e bënë me kënaqësi, sepse u detyrohen atyre. Nëse kombet morën prej tyre bekime shpirtërore, atëherë duhet t'u shërbejnë atyre me të mirat tokësore. 28 Kur ta kem kryer këtë e t'ua kem vulosur këtë dhuratë, do të vij te ju rrugës për në Spanjë. 29 E di se kur të vij te ju do të vij plot me bekimin e Krishtit.
30 Ju lutem, o vëllezër, për hir të Zotit tonë Jezu Krisht dhe për hir të dashurisë së Shpirtit, që bashkë me mua të këmbëngulni në lutje për mua te Perëndia. 31 Lutuni që të shpëtoj nga të pafetë në Jude dhe që shërbesa ime në Jerusalem të jetë e pranueshme për të shenjtët 32 që, në dashtë Perëndia, të vij te ju me gëzim dhe të çlodhem bashkë me ju. 33 Perëndia i paqes qoftë me ju të gjithë! Amen!