Krie e nëntëtë
1 Ma sa për shërbesë që u bë për ndihmë të Shënjtorëvet, më duketë e tepërë të ju shkruaj juvet.
2 Sepse ua paçë të shpejtët’ e zëmërësë suaj, që për të mburrem mbanë Maqedhonëvet për juvet, që Ahaia, edhe ajo është bërë gati që vjet, e zilia juaj ka anangasurë shumë.
3 Ma kam dërguarë këta vëllazër që të mos bënetë e mbrazëtë mburrëcia ime që bëj për juvet, sa për këtë anë, që (sikundrë thaçë) jini gati.
4 Mos ndodhetë e vijnë Maqedhonëtë me mua bashkë, e t’u gjejënë juvet pa bërë gati ndë këtë punë, e turpëronemi nevet (të mos thomi juvet), ndë këtë të ndënjurë të së mburturit.
5 U silloiçë adha se duhetë t’u lutem këture vëllazëret, të vijënë ati më përpara nga nesh, e të bëjnë gati këtë bekimnë tuaj që patë thënë më përpara, që të jetë bërë gati si bekim, e jo si lakëmim.
6 E u thom kështu: Kush mbjell me kurcim, edhe me të kurcierë do të korrjë. E kush mbjell me dorë hapëtë, me dorë hapëtë do të korrjë.
7 Cilido sikundrë ka silloisurë mirë ndë zëmërë, jo me pahir a me shtrëngim, sepse Perndia do atë që dhëron me faqe të çelëtë.
8 E Perndia ësht’ e fortë të bëjë që të tepëroni ju ndë çdo të mirë; që të jini gjithënjë ndë çdo punë të tepëruarë, mbë çdo punë të mirë.
9 (Sikundr’ është shkruarë: Përhapi, dha ndë të varfërë, e të drejtët’ e tij mbetetë për jetë pas jetet.
10 E ai që ep farën’ atij që mbjell, e bukënë për të ngrënë, u dhashtë, e ua shtoftë farënë tuaj, e u rrittë bimërat’ e së drejtësë suaj).
11 Që të bëneni të pasurë ndë çdo punë mbë çdofarë të mirë, që bie nga ana onë lëvdim Perndisë.
12 Sepse shërbesëja e kësaj mblatet së Shënjtëruarë, nukë mbush vetëmë të lipsurit’ e shumë Shënjtorëvet, po edhe tepëron me lëvdim të shumëvet që bëjënë te Zoti.
13 (Kur bëjënë dhoqimi mbë ju mbë këtë punë, apënë lëvdim Perndisë për të gjegjurë të molloisë suaj mb’Ungjill’ të Krishtit, e për pjesë që bëni ju me dorë hapëtë mb’ata e mbë gjithë).
14 E me të luturë të ture që bëjënë për juvet, sepse u duanë juvet për dhurëti të madhe të Perndisë, që është mbë juvet.
15 E lëvdim qoftë mbë Perndinë për dhurëti të saj të parrëfierë.
Mbledhja e ndihmave
1 Është e tepërt t'ju shkruaj për shërbesën e ndihmës për të shenjtët, 2 sepse e njoh vullnetin tuaj të mirë, për të cilin krenohem para maqedonasve duke thënë: «Akaia u bë gati që vitin e shkuar». Zelli juaj ka vënë në lëvizje shumicën e tyre. 3 Megjithatë po ju dërgoj vëllezërit që të vërtetohet se në këtë rast mburrja jonë me ju nuk ka qenë e kotë dhe që ju të jeni gati, sikurse kam thënë se jeni.
4 Përndryshe, nëse vijnë me mua disa maqedonas dhe shohin se nuk jeni gati, ne do të dilnim të turpëruar që u krenuam me ju, për të mos thënë pastaj sesa të turpëruar do të dilnit ju. 5 Prandaj m'u duk e nevojshme t'u kërkoja vëllezërve që të vinin më parë te ju për të bërë gati dhuratën që keni premtuar, në mënyrë që ajo të jetë gati si dhuratë zemërgjerësie e jo kopracie.
6 Sepse, kush mbjell me kursim, do të korrë pak dhe kush mbjell me zemërgjerësi, do të korrë me begati.
7 Secili nga ju le të japë sa t'i dojë zemra, jo me keqardhje e as me detyrim, se Perëndia e do atë që jep me gëzim. 8 Perëndia mund t'ju japë me begati çdo të mirë, në mënyrë që gjithmonë të keni mjaftueshëm prej çdo gjëje e kështu të mund të jepni për çdo vepër të mirë. 9 Sikurse është shkruar:
ai shpërndan me zemërgjerësi,
u jep të varfërve,
drejtësia e tij qëndron në amshim.
10 Ai që i jep farën mbjellësit dhe bukën për të ngrënë, do t'jua japë edhe juve farën për ta mbjellë dhe do ta shumojë. Ai do t'i shumojë frytet e drejtësisë suaj. 11 Ju do të pasuroheni në gjithçka, që të mund të jeni zemërgjerë, dhe shumë veta do të falënderojnë Perëndinë përmes nesh.
12 Kjo shërbesë ndihme jo vetëm që plotëson nevojat e të shenjtëve, por bën edhe që të burojnë shumë falënderime për Perëndinë. 13 Kur të shohin shërbesën tuaj të ndihmës, ata do të përlëvdojnë Perëndinë për bindjen tuaj ndaj ungjillit të Krishtit e për zemërgjerësinë që tregoni ndaj tyre dhe ndaj gjithë të tjerëve. 14 Dhe ata do të luten për ju e do të tregojnë shumë dashuri ndaj jush për shkak të hirit të pashoq që ju dha Perëndia. 15 I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e tij të patregueshme!