Krie e gjashtëmbëdhjetëtë
1 U rekumandar juvet Fivënë, motrënë tënë, që është shërbesë ndë Qishë të Qehresë.
2 Që ta dheksni atë mbë Zotnë, sikundrë duhetë ndë Shënjtorë, e ta ndihni atë ndë çdofarë punë që do të ketë hri nga jush, sepse edhe ajo ka ndihurë shumëvet, edhe mua vetë.
3 Thoi të fala Prisqillësë edhe Aqillësë ndihmëçivet së mi mbë Krishtinë Iisunë.
4 (Ata ujnjë qafën’ e ture për të shpëtuarë unë. Ature nuk’ u thom unë vetëmë të mirë, po edhe gjithë Qishët’ e Ethnikovet).
5 Të fala edhe mbë Qishë që është mbë shtëpi të ture. Të fala edhe mbë Epenetonë, të dashurinë tim, ai është pemm’ e parë e Ahaisë mbë Krishtinë.
6 Të fala nde Mariami, që ajo u mundua shumë për nevet.
7 Të fala Andhronikoit edhe Iunisë, gjërivet së mi, që ndëjnë me mua ndë hapsanë. Ata janë të nderçurë nd’apostoj, edhe përpara meje të nderçurë mbë Krishtinë.
8 Të fala nde Amplia, i dashuri im mbë Zotnë.
9 Të fala nde Urvanoi, shoku inë mbë Krishtinë, edhe nde Stahu, i dashuri im.
10 Të fala mbë Apelinë, të zgjedhurinë mbë Krishtinë. Të fala thoi mbë shtëpi t’Aristovulit.
11 Të fala mbë Irodhionë, gjërinë tim. Të fala mb’ata nga shtëpi e Narqisoit, që janë mbë Zotnë.
12 Thoi të fala Trifenësë edhe Trifosësë, ature që mundonenë mbë Zotnë. Të fala thoi së dashurësë Persidhësë, që është munduarë shumë mbë Zotnë.
13 Të fala mbë Rufonë, të zgjedhurinë mbë Zotnë, edhe mbë mëmmën’ e tij e timenë.
14 Të fala mbë Asingritonë, mbë Flegondnë, mbë Ermanë, mbë Patrovënë, mbë Erminë, edhe mbë vëllazër që janë me ta bashkë.
15 Të fala thoi Fillollogut edhe Iulisë, Nireut, edhe motrësë tij, edhe Olimbait, edhe gjithë Shënjtorëvet që janë me të bashkë.
16 Thoi të fala njeri-jatërit me të puthurë Shënjtërishte. U falenë juvet Qishët’ e Krishtit.
17 Unë pa u lutem juvet, vëllazër, të kini sitë hapëtë mb’ata që bëjënë të çqierë e spodhi mbë dhidhahi që kini mpsuarë juvet, e largouni prej suresh.
18 Sepse të tillëtë nukë punojënë Zotnë tënë Iisu Hristonë, po punojënë barkn’ e ture, e me fjalë t’ëmbla e me të përkëdheltura kthejënë zëmërat’ e ature që s’kanë djallëzi.
19 Sepse të gjegjuritë tuaj vate ndë çdo anë. Gëzonem adha për juvet, ma dua të jini juvet sofo mbë të mirë, e të padreqëzi mbë të keqe.
20 E Perndia e paqesë do të thërmojë satananë ndënë këmbë tuaj shpejt. Hiri i Zotit sonë Iisu Hristoit me juvet. Ashtu qoftë!
21 U falenë juvet shoku im Timotheoi, edhe Lluqioi, edhe Iasoni, edhe Sosipatroi, gjërit’ e mi.
22 U falem juvet mbë Zotnë unë Tertioi që shkrova kartënë.
23 U faletë juvet Gaioi që më ka mua mbë shtëpi edhe gjithë qishënë. U faletë juvet Erastoi, konomi i qutetit, edhe Kuartoi, vëllai.
24 Hiri i Zotit sonë Iisu Hristoit me gjithë juvet. Kështu qoftë!
25 Atij pa që është i fuqiçim t’u stereosjë juvet ndë Ungjill tim, e ndë dhidhahi të Iisu Hristoit, sikundrë qe apokalipsi e të çfaquritë të së fshehurësë që qe pushuarë që nga jetë pas jetet.
26 E ndashti pa u zbulua e u njoh mbë gjithë fili me anë të kartëravet së profitëvet, sikundrë qe urdhëria e Perndisë së pasosurë për të gjegjurë navet ndë besë.
27 Mbë të vetëminë sofonë Perndinë nder e lëvdim, me anë të Iisu Hristoit, ndë jetë të jetësë. Ashtu qoftë!
* Mbë Romanë u shkrua nga Jordheza me mes të Fivësë, shërbesësë Qishësë Qehresë.
Përshëndetjet
1 Po ju lë nën kujdes motrën tonë Febën që shërben në kishën e Kenkresë. 2 Pranojeni në emër të Zotit, siç u ka hije të shenjtëve dhe qëndrojini përkrah në çdo gjë që të ketë nevojë për ju, sepse ajo ka ndihmuar shumë veta dhe më ka ndihmuar edhe mua.
3 Përshëndetni bashkëpunëtorët e mi në veprën e Krishtit Jezu, Priskën e Akuilin, 4 që vunë kokën e tyre në rrezik për jetën time. Ata i falënderoj jo vetëm unë, por edhe të gjitha kishat e kombeve. 5 Përshëndetni edhe kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.
Përshëndetni mikun tim të dashur Epenetin që është fryti i parë për Krishtin në Azi . 6 Përshëndetni Marinë që u mundua shumë për ju.
7 Përshëndetni kushërinjtë e mi Andronikun e Junën që kanë qenë në burg me mua e shquhen ndër apostuj. Në të vërtetë, ata kanë besuar në Krishtin përpara meje.
8 Përshëndetni Ampliatin, mikun tim të dashur në Zotin.
9 Përshëndetni bashkëpunëtorin tonë në Krishtin, Urbanin dhe mikun tim të dashur Stakun.
10 Përshëndetni Apelin që është i sprovuar për Krishtin.
Përshëndetni ata të shtëpisë së Aristobulit.
11 Përshëndetni kushëririn tim Herodionin.
Përshëndetni ata të shtëpisë së Narcisit që besojnë në Zotin.
12 Përshëndetni Trifenën e Trifozën që mundohen për Zotin.
Përshëndetni Persidën e dashur që është munduar shumë për Zotin.
13 Përshëndetni Rufin, të zgjedhurin nga Zoti dhe nënën e tij, që e kam si nënë edhe unë.
14 Përshëndetni Asinkritin, Flegontin, Hermesin, Patrobin, Hermasin e vëllezërit që janë me ta.
15 Përshëndetni Filologun e Julian, Nereun e motrën e tij, Olimpin dhe të gjithë të shenjtët që janë me ta.
16 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
Të gjitha kishat e Krishtit ju përshëndesin.
17 Po ju bëj thirrje, o vëllezër, të ruheni nga ata që shkaktojnë përçarje dhe bëhen pengesë, në kundërshtim me mësimin që keni marrë. Largohuni prej tyre. 18 Njerëz të tillë nuk i shërbejnë Zotit tonë Krisht, por barkut të tyre. Përmes fjalëve të bukura e lajkave ata mashtrojnë zemrat e të paditurve. 19 Ngazëlloj me ju pasi të gjithë kanë dëgjuar për bindjen tuaj ndaj Zotit. Dua që të jeni të urtë për të bërë të mirën, por të pastër përballë së keqes. 20 Perëndia i paqes do ta shtypë së shpejti Satanin nën këmbët tuaja. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!
21 Ju përshëndesin bashkëpunëtori im Timoteu dhe kushërinjtë e mi Luci, Jasoni e Sosipatri.
22 Ju përshëndes në emër të Zotit unë, Terti, që po shkruaj këtë letër.
23-24 Ju përshëndet Gaji, mikpritësi im dhe i gjithë kishës. Ju përshëndet Erasti, thesarmbajtësi i qytetit dhe vëlla Kuarti .
Përlëvdimi
25 Qoftë i lavdëruar Perëndia që ka pushtetin t'ju forcojë në besim me ungjillin që predikoj unë për Jezu Krishtin, sipas zbulesës së shestimit të fshehtë të Perëndisë. Ky shestim ka qenë ruajtur në heshtje që prej shumë shekujsh, 26 ndërsa tani u shfaq e iu bë i njohur të gjitha kombeve përmes Shkrimeve profetike, sipas urdhrit të Perëndisë së amshuar për t'i bërë ato t'i binden e t'i besojnë Perëndisë.
27 Të vetmit Perëndi të urtë i qoftë lavdia në amshim, përmes Jezu Krishtit! Amen!