Krie e parë
1 Pavllua, Apostolli i Iisu Hristoit me të dashurë të Perndisë, mbë Shënjtorë që janë nd’Efeso, edhe të besësë mbë Hristonë Iisunë.
2 Dhurëti e paq qoftë mbë juvet nga Perndia Babai inë, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
3 Bekuarë qoftë Perndia, e Babai i Zotit sinë Iisu Hristoit, që na bekoi nevet me çdofarë bekim të Shpirtit ndë Qiell mbë Krishtinë.
4 Sikundrë na zgjodhi navet mbë të, pa dhe themeliosurë diniaja, që të jemi Shënjtorë e të pakallëzuarë përpara atij ndë dashuri.
5 Ai që na pat urdhëruarë më përpara të na bën djelm me mes të Iisu Hristoit mbë vetëhe të tij, sikundr’ i pëlqeu thelimësë tij.
6 Që të këndonetë nderi i dhurëtisë tij me anë t’asaj që bëri të zgjedhurë nevet mbë të dashurinë bir’ e tij.
7 Mb’atë kemi të shpërblieritë me anë të gjakut së tij, të ndëjierit’ e fajevet për të madhenë dhuratë të tij.
8 Atë që bëri të tepëron ndë nevet mbë çdo sofi e urtëci.
9 Tuke bërë të njohëmë nevet të fshehurën’ e thelimësë tij që pat apofasisurë mbë vetëhe.
10 Që të përmbëjidh mbë Krishtinë të mbushurit’ e kohëvet që qe urdhëruarë, gjithë punëtë, edhe ato që janë ndër Qiell, edhe ato që janë ndë Dhe.
11 Mb’atë, që mbë të tillënë jeshëm thirrturë me short tuke prodhiorisurë si qe apofasi i atij që i bën të gjitha sikundr’ është kshilli i asaj që do ai.
12 Që të jemi nevet nishan për nder të lëvdimit së tij, na që pam shpërierë më përpara mbë të.
13 Mb’atë (kini shpërierë) edhe juvet, kur digjuatë fjalën’ e së vërtetësë, Ungjill’ e shpëtimit suaj, që mb’atë si besuatë, muarrtë vulënë me Shpirt të taksurësë Shënjte.
14 Që është kapari i klironomisë sanë, për të çpërblierë të llaoit së pohtisurë, për lëvdim të nderit së tij.
15 Pra andaj edhe unë si digjova besënë tuaj mbë Zotnë Iisunë, edhe dashurinë që kini mbë gjithë Shënjtorë.
16 Nukë pushoj tuke lëvduarë Perndinë, e tuke kujtuarë juvet ndë të faltura të mia.
17 Që Perndia e Zotit sonë Iisu Hristoit, Babai i nderit, t’u apë juvet Shpirtin’ e sofisë e të së çfaqurësë për njohëjë të tij.
18 T’u ndritjë sitë e mëndiesë suaj, që të diji juvet, cila është shpëresa e thërresësë tij, e cili është nderi i madh i pjesësë tij për Shënjtorë.
19 E cila është e shumë e tepëra madhëci e fuqisë tij mbë nevet që besuam sikundrë qenë të bëratë e fuqisë madhe së tij.
20 Atë që bëri mbë Krishtinë, që e ngrijti atë nga të vdekuritë e e vuri mb’anë të djathëtë të tij ndër Qiell.
21 Më sipër se çdo arhi, e eksusi, e fuqi, e urdhër, e sipër mbi çdo ëmër që të zihetë ngoje, jo vetëmë ndë këtë jetë, po edhe nd’atë që vjen.
22 E gjithë punëtë ja vuri ndënë këmbë të tij, e atë e bëri Krie mbi gjithë Qishë.
23 Ajo Qishë është kurmi i tij, të mbushurit e atij, që i mbush të gjitha mbë të gjitha.
Përshëndetje
1 Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu, përmes vullnetit të Perëndisë po ju shkruaj të shenjtëve që janë në Efes dhe që besojnë në Krishtin Jezu: 2 paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
Bekimet shpirtërore
3 Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht! Ai na ka bekuar përmes Krishtit duke na dhënë çdo bekim shpirtëror e qiellor. 4 Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë e të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij, 5 Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij, 6 që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur.
7 Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij e na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë. 8 Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri. 9 Ai na bëri të njohur shestimin e fshehtë të vullnetit të vet që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit. 10 Këtë shestim ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t'i vënë të gjitha gjërat nën pushtetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, edhe ato që janë në tokë.
11 Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t'u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet, 12 në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij. 13 Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të e Perëndia ju vulosi me Shpirtin e shenjtë që kishte premtuar. 14 Ky Shpirt është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.
Lutja e Palit
15 Prandaj edhe unë, që kur dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët, 16 nuk resht së falënderuari Perëndinë për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia. 17 Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, ju dhëntë Shpirtin e urtisë, që do t'ju zbulojë si ta njihni plotësisht atë. 18 Ai ju ndriçoftë sytë e zemrave tuaja, që të njihni se cila është shpresa për të cilën ju thirri, sesa e pasur dhe e lavdishme është trashëgimia e tij për të shenjtët 19 dhe sesa madhështore dhe e pashoqe është fuqia e tij ndaj nesh që besojmë në të. Kjo fuqi është e njëjta forcë vepruese e pushtetit të Perëndisë, 20 me të cilën ai ngjalli Krishtin prej të vdekurve dhe e uli në të djathtë të fronit të tij në qiej, 21 duke e vënë përmbi çdo sundim e pushtet, përmbi çdo fuqi e zotërim dhe mbi çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme. 22 Perëndia e nënshtroi gjithçka nën këmbët e Krishtit dhe e bëri atë kreun e kishës, përmbi çdo gjë. 23 Kisha është trupi i Krishtit, është plotësia e atij që me praninë e tij bën gjithçka të plotë.