Krie e tretë
1 O Gallatë të pamënd, kush u bëri të mirri si, kaqë që të mos bindni juvet ndë të vërtetë? Që përpara sivet suaj qe zografisurë më përpara Krishti ndër ju mbërthierë ndë Kruq.
2 Këtë vetëmë dua të mpsoj nga jush: Me anë të punëvet së nomit e kini marrë juvet Shpirtinë, a me anë të gjegjëjësë së besësë?
3 Kaqë të padigjuarë jini? Që si nistë me Shpirt, e sosni ndashti me kurm?
4 Kaqë shumë besuatë mbë të mbrazëtë? Po makar të qe mbë të mbrazëtë.
5 Ai adha që u dha juvet Shpirtinë, e bën ndër ju thavmaturgjitë, për punët’ e nomit e bën ai a për të gjegjurë ndë besë?
6 Sikundr’ është shkruarë: Avraami besoi mbë Perndinë, e ju llois për të drejtë.
7 Dijnie adha që ata që janë nga besa, ata janë të bijt’ e Avraamit.
8 Ma karta si vështroi me t’ardhurënë, që Perndia duaj të bën filitë të drejta me anë të besësë, e vangjelisi më përpara Avraamnë, që: mbë tij do të bekonenë gjithë filitë.
9 Ata dha që janë për besë, do të bekonenë bashkë me Avraamn’ e besësë.
10 Sepse gjith’ ata që janë për punëra të nomit, janë ndë mallëkim, sepse ëshët shkruarë: I mallëkuarë cilido që nukë qëndron pa luajturë mbë të gjitha ato punëra që janë shkruarë ndë kartë të nomit, të bëjë ato.
11 E që ndonjë pa s’është bërë i drejtë mbanë Perndisë me anë të nomit, është çfaqurë, sepse i drejti do të rrojë nga besa.
12 Nomi adha nuk’ është nga besa, po, thotë, ai njeri që të bëjë ato punëra, do të rrojë për to.
13 Krishti na kseshpërbleu nga mallëkimi i nomit, si u bë mallëkim për nevet, sepse është shkruarë: I mallëkuarë është ai që varetë ndë dru.
14 Që të vijë bekimi i Avraamit ndë fili të tjera, mbi Iisu Hristonë, që të marrëmë të taksurit’ e Shpirtit me anë të besësë.
15 Vëllazër, u flas si njeri, ndonjë dhjatë, ndonëse ësht’ e njeriut, ndonjë s’e prish a e çton.
16 Mbë Avraamnë patnë qënë thënurë të taksuratë, edhe ndë farë të tij. Nukë thotë: Ndë farëra, si për shumë, po thotë si për një: Edhe ndë farë tënde, që këjo është Krishti.
17 Ndashti thom u kështu, dhjata e veveosurë më përpara nga Perndia mbë Krishtinë, nukë bënetë e pavëjierë nga ai nom, që u bë katërqind e tridhjetë vjet pastaje, kaqë që të prishetë të taksuritë.
18 Sepse nd’është nga nomi klironomia, nuk’ është më nga të taksuritë, po Perndia me anë të së taksurësë dhëroi (klironominë) mbë Avraamnë.
19 Përse adha u dha nomi? Pat qënë çuarë për sebep të paravasevet, ngjera atëherë që të vin ajo farë, që i qe bërë të taksuritë, edhe qe porsiturë me anë të ëngjëjet mbë dorë të mesitit.
20 Ma mesiti nuk’ ësht’ i njëit vetëmë, e Perndia është një.
21 Nomi adha është kondrë të taksuravet së Perndisë? Jo, kurrë. Sepse të pat qënurë dhënë një nom që të mund të na bën të gjallë, nga nomi do të qe vërtet të drejtëtë.
22 Ma karta i mbilli të gjitha ndënë faj, që t’ua bij të taksuritë ature që besojnë me anë të besësë Iisu Hristoit.
23 Pa ardhurë edhe nomi, ruhishëm ndënë nom, mbuluarë mbë të priturë t’asaj bese, që duhej të çfaqej.
24 Na u bë adha nomi pedhagogoi inë të na bij te Krishti, që të bëneshim të drejtë për besë.
25 Ma si erdhi besa, nukë jemi më ndënë pedhagogonë.
26 Sepse gjithë jini të bijt’ e Perndisë me anë të besësë, mbi Krishtinë Iisunë.
27 Sepse gjithë juvet që jini pagëzuarë mbë Krishtinë, jini veshurë mbë Krishtinë.
28 Nuk’ është Çifut, as Elin, s’është kopil, as eleftero, s’është mashkull a fëmërë, sepse ju të gjithë një vetëmë jini mbë Hristo Iisunë.
29 E ndë jini juvet të Krishtit, adha jini far’ e Avraamit, edhe klironomë sikundrë qe të taksuritë.
Ligji apo besimi
1 O galatas të marrë, kush jua mori mendtë si me magji juve, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? 2 Vetëm këtë dua të marr vesh prej jush, a e morët Shpirtin falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? 3 Kaq të marrë qenkeni? Pasi filluat të jetonit në Shpirtin, tani po përfundoni në një jetë sipas trupit njerëzor? 4 Më kot i përjetuat gjithë këto gjëra? A thua vërtet më kot? 5 Ai, pra, që ju jep Shpirtin e vepron me fuqi ndër ju, a mos i bën këto falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit?
6 Kështu Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.
7 Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bij të Abrahamit. 8 Prandaj Shkrimi, duke paraparë se Perëndia do t'i bënte të drejta kombet përmes besimit, ia dha Abrahamit që më parë lajmin e mirë: gjithë kombet do të bekohen në ty. 9 Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besëtarin Abraham.
10 Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. 11 Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit.
12 Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. 13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. 14 Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit.
Ligji dhe premtimi
15 Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. 16 Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësit të tij. Shkrimi nuk thotë: «Edhe pasardhësve » si për shumë të tillë, por për një të vetëm: «Dhe pasardhësit tënd » që është Krishti. 17 Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. 18 Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.
19 Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, 20 por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm.
Skllevërit dhe bijtë
21 A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. 22 Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin.
23 Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. 24 Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. 25 Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin.
26 Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. 27 Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. 28 Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. 29 Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.