Krie e tetëtë
1 U rrëfej adha juvet, o vëllazër, dhurëtin’ e Perndisë që është dhënë ndë qishëra të Maqedhonisë.
2 Se ndë mes të shumë pikëllimevet që janë dhoqimasurë me to, gëzimi i ture u qe i tepërë, e varfëria e ture e shuma, tepëroi pa masë ndë të pasurë të zëmëravet së mira t’ature.
3 Sepse me dashuri të ture u bënë dorëlirë (u ap ature këtë martiri) ndë sa patnë fuqinë, edhe mbi fuqi të ture.
4 Me shumë të luturë na vunë mbë be nevet, që të marmë na këtë dhurëti e këtë të dhënë të kësaj shërbesësë që patnë dhënë mb’ata Shënjtorë.
5 E nukë bënë vetëmë sikundrë shërbeijmë, po kanë dhënë vetëhen’ e ture protoparë mbë Zotnë, e pastaje mbë nevet, me dashuri të Perndisë.
6 Kaqë që jemi luturë nevet Titosë, që sikundrë nisi më përpara, ashtu të sosjë këtë të mirë edhe ndër ju.
7 Ma sikundrë tepëroni mbë çdo punë me besë, e me fjalë, mbë mënd, e mbë çdo të shpejtë, edhe ndë dashuri tuaj mbë nevet, kështu të jini të tepërë edhe mbë këtë dhurëti.
8 Nuk’ u thom sikur u porsit, po me të shpejtë të së tjerëvet dhoqimas edhe oreksn’ e dashurisë suaj.
9 Sepse e diji juvet dhurëtin’ e Zotit Sonë Iisu Hristoit që ndonëse qe i pasurë, u varfërua për juvet, që të zotëroni juvet me varfëri të tij.
10 E u ap juvet nasihat mbë këtë, sepse ësht’ e vëjierë për juvet këjo, që e nistë jo vetëmë ta bëjëtë, po edhe ta dojëtë që vjet.
11 Ndashti pa sosnie të bërëtë, që sikundr’ është gati Shpirti mbë të dashurë, kështu të jetë edhe mbë të sosurë sikundrë kini fuqinë.
12 Sepse nd’është oreksi për të dhënë, ësht’ e dheksurë, sikundrë ka gjithëkush, jo sikundrë nukë ka.
13 Sepse këto i thom jo të jetë të prëjturë ndë të tjerë, e ndë juvet shtrëngim, po të jetë si teje këteje, ndashti mbë këtë kohë të tepëruaritë tuaj, le të zërë vënd me të lipsurit’ e ature.
14 E të tepëruarit’ e ature, le të zërë vënd ndë të lipsuritë tuaj, që të bënet’ e tamamta.
15 Sikundr’ është shkruarë: Ai që mbëjidh shumë, nukë pat marrë më tepërë nga merra. E ai që mbëjodhi të pakënë nukë mori më pak nga sa i duhej.
16 E lëvdim pastë Perndia që ka vënë atë spudhi ndë zëmërë të Titosë për juvet.
17 Sepse e dheksi porsinë, e si qe më i shpejtë, dolli me dashuri të tij të vin mbë juvet.
18 E kemi dërguarë bashkë me të edhe atë vëlla, që ka ëmër të madh ndëpër gjithë qishëra për Ungjill.
19 (Edhe jo vetëmë këjo, po është zgjedhurë edhe shok nga qishëratë i udhësë sonë, me këtë të mirë që bënetë prej nesh për nder të Zotit, e për të dëftuarë dashurinë tuaj të shpejtënë).
20 Ruhemi nga këjo, që të mos na kallëzojë njeri nevet për këtë të tepërë të lejmosinit që ndahetë nga nesh.
21 Sepse na vështrojëmë të dukemi pa hile jo vetëmë përpara Perndisë, po edhe përpara njerëzet.
22 E kemi dërguarë me këta edhe një vëlla tënënë që e kemi dhoqimasurë shumë herë ndë shumë punëra që ësht’ i shpejtë, e ai ndashti është më shumë i shpejtë për tharos të shumë që ka mbë juvet.
23 E pa për Titonë, ai është shoku im e ndihmësi mbë ju. E të tjerëtë vëllazër tanë janë apostojt’ e qishëvet, e nderi i Krishtit.
24 Mbë këta adha bëni të duketë përpara qishëvet, cila është dashuria juaj, e përse mburremi na për juvet.
Zemërgjerësia
1 Vëllezër, dëshirojmë t'ju tregojmë për hirin e Perëndisë që u është dhuruar kishave të Maqedonisë. 2 Në provën e vështirë të vuajtjeve, gëzimi i tyre qe kaq i madh, saqë u bënë shumë zemërgjerë, edhe pse ishin të varfër. 3 Unë dëshmoj se ata dhanë me dëshirë, sipas mundësive, madje përtej mundësive të tyre. 4 Ata na u lutën me këmbëngulje t'u jepnim nderin për të marrë pjesë në dërgimin e ndihmave në dobi të të shenjtëve. 5 Ata jo vetëm dhuruan më shumë sesa shpresonim, por ia kushtuan veten së pari Zotit dhe pastaj neve, sipas vullnetit të Perëndisë.
6 Kështu, ne i kërkuam Titit që, ashtu siç e kishte filluar tashmë, t'ju ndihmonte ta çonit deri në fund këtë vepër. 7 Tani që jeni të begatë në gjithçka: në besim, në fjalë, në dije e në përkushtim të plotë, dhe tani që gëzoni dashurinë tonë, dëshirojmë të jeni të begatë edhe në këtë vepër.
8 Këtë nuk po e them si urdhër, por, duke ju treguar përkushtimin e të tjerëve, po vë në provë sinqeritetin e dashurisë suaj. 9 Ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili edhe pse i pasur, u bë i varfër për ju, që të bëheshit të pasur me varfërinë e tij.
10 Për këtë gjë po ju jap një mendim: është në dobinë tuaj që atë që filluat të bëni vitin e shkuar, jo vetëm ta bëni, por edhe të dëshironi ta bëni. 11 Tani çojeni deri në fund atë që keni filluar të bëni. Ashtu siç patët dëshirën për ta filluar, ashtu edhe përfundojeni, sipas mundësive që keni. 12 Sepse, aty ku ka vullnet të mirë, Perëndia pranon sipas asaj që njeriu ka dhe jo sipas asaj që njeriu nuk ka.
13 Këtë nuk e them që të tjerët të lehtësohen e ju të futeni në vështirësi, por e them për hir të barazisë. 14 Tani ju keni mjaftueshëm dhe mund të ndihmoni ata që janë në nevojë, kështu që edhe ata t'ju ndihmojnë kur të kenë mjaftueshëm e kur ju të jeni në nevojë, që të ketë barazi, 15 siç është shkruar:
asgjë nuk i teproi
atij që kishte shumë,
asgjë nuk i mungoi
atij që kishte pak.
Titi dhe bashkëpunëtorët
16 Lavdi i qoftë Perëndisë që të njëjtin përkushtim që kam unë për ju, e vuri edhe në zemrën e Titit. 17 Ai jo vetëm që e pranoi kërkesën tonë, por, duke qenë edhe më i përkushtuar, vendosi vetë të vijë te ju. 18 Bashkë me të po dërgojmë edhe vëllanë që e lavdërojnë të gjitha kishat për shërbimin që i ka bërë ungjillit. 19 Përveç kësaj, ai është caktuar nga kishat që të na shoqërojë për ta çuar deri në fund veprën e ndihmës suaj për lavdinë e Zotit dhe për të treguar vullnetin tonë të mirë, 20 duke shmangur kështu çdo fajësim që mund të na bëhej në lidhje me përkujdesjen për këtë dhurate të madhe, 21 sepse dëshirojmë të bëjmë çfarë është e drejtë jo vetëm në sytë e Zotit, por edhe në sytë e njerëzve.
22 Bashkë me ta po ju dërgojmë edhe vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në provë shpesh dhe e kemi parë se është i përkushtuar në shumë gjëra, por që tani është më i përkushtuar se kurrë për shkak të besimit të madh që ka te ju. 23 Për sa i përket Titit, ai është shoku dhe bashkëpunëtori im për ju. Për sa u përket vëllezërve tanë, ata janë apostujt e kishave dhe lavdia e Krishtit. 24 Për këtë arsye tregojuni atyre hapur para kishave provën e dashurisë suaj dhe të arsyes që kemi për t'u krenuar me ju.