Krie e katërtë
1 Të dashurë, mos besoni mbë çdo Shpirt, po dhoqimasni Shpirtëratë, ndë janë nga Perndia, sepse shumë profitër të rrem kanë dalë nga bota.
2 Nga këjo njihetë Shpirti i Perndisë. Çdo Shpirt që mollois se Iisu Hristoi erdhi nde kurmi, ai është nga Perndia.
3 Ma çdo Shpirt që thotë se Iisu Hristoi nuk’ erdhi me kurm, nuk’ është nga Perndia, e që është një Antihristo, që kini digjuarë që do të vijë, e që ndashti është ndë jetë.
4 Juvet, o djelm, jini nga Perndia, e i kini mundurë ata, sepse më i fortë ësht’ ai që është ndër ju, se ai që është ndë jetë.
5 Ata janë nga jeta, pra andaj kuvëndojnë nga jeta, e jeta ature u digjon.
6 Navet jemi nga Perndia. Ai që njeh Perndinë, na digjon nevet. Ai që s’është nga Perndia, nukë gjegjetë nevet. Nga këjo shquajmë Perndin’ e së vërtetësë, nga Shpirti i gënjeshtrësë.
7 Të dashurë, le të duamë njeri-jatërinë, sepse dashuria është nga Perndia. E ai që do, është lerë nga Perndia e njeh Perndinë.
8 Ai që nukë do, nuk’ e njeh Perndinë, sepse Perndia është dashuri.
9 Nga këjo u çfaq dashuria e Perndisë që ka ndër nevet, sepse dërgoi të bir’ e tij të vetëminë Perndia ndë jetë, që të rrojëmë navet me anë të tij.
10 Këtu qëndron dashuria, jo sikur e deshm nevet përpara Perndinë, po që ai na deshi nevet, e dërgoi të bir’ e tij ndëjesë për faje tona.
11 Të dashurë, ndë na deshi kaqë shumë Perndia nevet, edhe na duhetë kështu të duamë edhe njeri-jatërinë.
12 Perndinë s’e pa kurrë njeri, ndë daçim njeri-jatërinë, Perndia qëndron ndër nevet, edhe dashuria e tij ësht’ e tërë ndër nevet.
13 Nga këjo njohëmë që qëndrojëmë mbë të, e ai qëndron mbë nevet, sepse ai ka dhënë mbë nevet nga Shpirti i tij.
14 E navet kemi parë, edhe martirisjëmë që babai ka dërguarë të bir’e tij për të sosurë botënë.
15 Cilido që të molloisjë se Iisui është i biri Perndisë, Perndia rri mbë të, e ai mbë Perndinë.
16 E nevet kemi njohurë e kemi besuarë mb’atë dashuri që Perndia ka mbë nevet. Perndia është dashuri, e kush qëndron ndë dashuri, qëndron mbë Perndinë, e Perndia mb’atë.
17 Mbë këtë është e tërë dashuria e Perndisë mbë nevet, që të kemi tharos për ditë të gjuqsë, sepse ç’lloi ësht’ ai, të tillëtë jemi edhe na ndë këtë jetë.
18 Frikë nukë qëndron mbë dashuri, po dashuria e tërë, e kren jashtë frikënë, sepse frika ka mundim e ai që trëmbetë nuk’ është i tërë ndë dashuri.
19 Nevet adha e duamë atë, sepse ai na deshi nevet heriet e parë.
20 Ndë thashtë ndonjë, se unë dua Perndinë, e vëllan’ e tij nuk’ e do, ai është gënjeshtjar, sepse ai që nukë do vëllanë që e sheh, qish mund të dojë Perndinë, atë që nuk’ e sheh?
21 E këtë porsi kemi prej si, që ai që do Perndinë, të dojë edhe vëllan’ e tij.
Sprovoni shpirtrat
1 Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë. 2 Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia. 3 Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuin , nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë.
4 Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë. 5 Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon. 6 Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Prej kësaj do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit.
Perëndia është dashuri
7 Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. 8 Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. 9 Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij. 10 Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona. 11 Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.
12 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne. 13 Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij. 14 Ne kemi parë e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës. 15 Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë. 16 Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.
Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të. 17 Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai. 18 Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari. 20 Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Kush nuk do vëllanë, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë. 21 Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.