Krie e tretë
1 Nisjëmë nevet pa të rekumandarjëmë vetëhenë tënë? A mos kemi hri si dica, për kartëra të rekumandarisë, prej jush a mbë ju?
2 Juvet jini karta onë, shkruarë ndë zëmëra tona, ajo ësht’ e njohurë, e dhiavasetë nga gjithë njerëzitë.
3 Sepse dukeni juvet që jini kart’ e Krishtit e bërë prej nesh, shkruarë jo me mellan, po me Shpirt të Perndisë gjallë, jo mbë drasa të gurta, po mbë drasa të mishta të zëmërësë.
4 I tilli është tharosi inë që kemi mbë Perndinë me anë të Krishtit.
5 Jo se jemi të zotë nga vetiu të silloisemi ndonjë punë si nga vetiu, po aksia onë është nga Perndia.
6 Ajo që na bëri nevet shërbëtorë të Zotë të dhjatësë së re, jo të grammësë po të Shpirtit, sepse gramma vret, ma Shpirti ep jetë.
7 E nd’është që shërbesa e vdekëjësë me anë të grammësë tiposurë me gur, u bë e nderçurë, kaqë që nukë mundnë të bijt’ e Israilit të vështroijnë me si ndë faqe të Moisiut, nga të llampsurit’ e faqesë tij të paduruarinë.
8 Qish do të mos jetë më e nderçurë shërbesa e Shpirtit?
9 Sepse nd’është shërbesa e dëmit e nderçurë, shumë më tepër tepëron ndë nder shërbesa e së drejtësë.
10 Sepse ajo që u nderua atëherë, nuk’ u nderua mbë këtë anë, me singris mb’atë nder të tepërë.
11 Sepse nd’është që ajo që duaj të prishej u bë e nderçurë, shumë më tepër ajo që duron duhetë të jetë e nderçurë.
12 Kur kemi adha nevet të tillë shpëresë, kuvëndojëmë me lefteri të madhe.
13 E nukë bëjmë sikundrë bëri Moisiu që vuri bulicë mbë faqe të tij, të mos vështroijnë të bijt’ e Israilit mbë të sosurë të (nomit) që do të bijte e të pushon.
14 Për atë janë gurëcuarë mënt’ e ture; sepse ngjera sot ajo bulicë gjëndetë mbë të dhiavasurë të dhjatësë vjetërë, e ajo bulicë mbetet e pazbuluarë, sepse me anë të Krishtit ngrihetë.
15 Ma sot e gjithë ditënë, kur dhiavasetë Moisiu, bulica është vënë mbi zëmëra të ture.
16 Ma kur të kthenetë (Israili) mbë Zonë, do të ngrihetë bulica.
17 Ndashti Zoti është Shpirti. E tek është Shpirti i Zotit, atje është lefteri.
18 E nevet të gjithë me faqe zbuluarë vështrojmë si ndë pasqirë nder’ e Zotit, mb’atë të tillë Ikonë kthenemi e vijmë nga një nder mbë tjatër nder, si prej Shpirtit së Zotit.
Shërbëtorë të Besëlidhjes së Re
1 A mos po fillojmë përsëri t'i rrisim vlerën vetes? Apo mos kemi nevojë edhe ne si disa për letra porosie për ju a prej jush? 2 Letra jonë jeni ju, e shkruar në zemrat tona, që të gjithë njerëzit ta njohin e ta lexojnë. 3 Ju e tregoni se jeni letër e Krishtit, e hartuar prej nesh, jo e shkruar me bojë, por me shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasat e zemrave njerëzore.
4 Ky është besimi që ne kemi në Perëndinë, përmes Krishtit. 5 Ne nuk e mbajmë veten aq të aftë që të mendojmë se vjen ndonjë gjë prej nesh. Aftësia jonë vjen prej Perëndisë 6 që na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Shpirtit. Sepse shkronja vret, por Shpirti jep jetë.
7 Nëse besëlidhja e Moisiut, që ishte e gdhendur me shkronja në gur e çonte në vdekje, ishte aq e lavdishme saqë bijtë e Izraelit nuk mund ta shikonin dot Moisiun, për shkak të lavdisë së përkohshme të fytyrës së tij, 8 sa më e lavdishme do të jetë besëlidhja e Shpirtit? 9 Nëse vepra e besëlidhjes që sjell dënimin ishte e rrethuar me lavdi, aq më shumë do të jetë e lavdishme vepra e besëlidhjes që na bën të drejtë. 10 Në të vërtetë ajo që ishte e lavdishme dikur, e humbi lavdinë për shkak të lavdisë së tanishme që është më e madhe. 11 Nëse ajo që ishte e përkohshme ishte e lavdishme, atëherë ajo që mbetet përgjithmonë do të jetë shumë më e lavdishme.
12 Meqenëse kemi një shpresë të tillë, mund të flasim hapur, 13 jo si Moisiu që vuri një vel në fytyrë, me qëllim që bijtë e Izraelit të mos e shihnin fundin e lavdisë që po perëndonte. 14 Por mendjet e tyre u errësuan. Edhe sot e kësaj dite ata e kanë atë vel kur lexojnë besëlidhjen e vjetër dhe nuk e heqin, sepse ai hiqet vetëm nëpërmjet Krishtit.
15 Madje, dhe deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel ndehet në zemrat e tyre. 16 Megjithatë, kur dikush kthehet drejt Zotit, bie veli. 17 Mirëpo Zoti është Shpirti dhe ku është Shpirti i Zotit, atje është liria. 18 Prandaj të gjithë ne që e shohim lavdinë e Zotit si në pasqyrë, pa pasur vel në fytyrë, shndërrohemi në shëmbëllimin e tij nga lavdia në lavdi. Dhe kjo vjen nga Zoti që është Shpirti.