Krie e njëzetetretë
1 Ahiere Iisui u foli turmavet së njerëzet, edhe mathitivet së tij.
2 E u tha: Mbi fron të Moisiut ndëjnë Gramatejtë edhe Farisejtë.
3 Gjithë sa të thonë ndë juvet të ruani, t’i ruani, edhe t’i bëni, po si punërat’ e ature mos bëni, sepse thonë e nukë bëjënë.
4 Se lidhjënë barrë të mëdha, edhe të rënda shumë, e i ngarkojënë mbi krahë të njerëzet, po as me gjishtin’ e ture nukë duanë t’i tundinë ato.
5 Edhe gjithë punërat’ e ture i bëjënë për të dukurë ndë njerëz, e zgjerojënë fillakat’ e ture, e madhojënë klloshët’ e rrobavet së ture.
6 E duanë ndë të ngrënë të rrinë më sipër se gjithë, e ndë të mbëjedhura të kenë vëndn’ e parë.
7 Edhe të puthuratë ndë pazare, e të thërritenë nga njerëzitë: Dhaskal, dhaskal.
8 Po juvet të mos thërriteni dhaskalë, sepse një është dhaskali juaj, Krishti. E gjithë juvet jeni vëllazër.
9 Edhe baba tuaj të mos thërrisni mbi dhe, se një është babai juaj, ai që është ndë Qiell.
10 Edhe të mos thërriteni të parë, se një është i pari juaj, Krishti.
11 E më i madhi nga juvet, le të jetë husmeqari juaj.
12 Edhe ai që të ngrerë vetëhen’ e tij, do të unjetë, e ai që të unjëjë vetëhen’ e tij do të ngrihetë.
13 E ve mbë juvet Grammatikotë edhe Farisejtë Ipokritejtë, se mbillni mbretërin’ e Qiellvet përpara njerëzet, se juvet nukë hini, as ata që hijënë nuk’ i liri të hijënë.
14 Ve mbë juvet Grammatikotë edhe Farisejtë ipokritejtë, se hani shtëpit’ e së vavet, me aformi se luteni shumë, e andaj do të mirri më tepër gjinah.
15 Ve mbë juvet Grammatikotë e Farisejtë ipokritejtë, se ktheneni detnë edhe sterenë të biri një ndë besë tuaj, e kur të bënetë, e bëni atë birn’ e pisësë di pjesë nga vetëheja juaj.
16 Ve mbë juvet, dhaskalë të verbërë, që thoi: Ai që të betonetë ndë Qishë nuk’ është gjë, po ai që të betonetë ndë ar të Qishësë, fëjen.
17 Të pamënd edhe të verbërë, cila është m’e madhe, ari, a Qisha që shëntëron arë?
18 Edhe ai që të betonetë ndë vënd që vënë dhurëtinë, nuk’ është gjë, po ai që të betonetë ndë dhurëti që është mbi të fëjen.
19 Të pamënd edhe të verbërë, cila është m’e madhe, dhurëtia, a vëndi që shënjtëron dhurëtinë?
20 Se ai që të betonetë ndë vënd që vihetë dhurëtia, betonetë mb’atë, edhe mbi gjith’ ato që janë sipër mbi të.
21 E ai që betonetë ndë Qishë, betonetë mb’atë, edhe nde ai që rri brënda mbi të.
22 E ai që betonetë ndë Qiell, betonetë ndë fron të Perndisë, edhe nde ai që rri sipër mb’atë.
23 Ve mbë juvet Grammatikotë e Farisejtë ipokritejtë, se dhekatisni dhjosmonë, edhe marajnë, edhe qiminonë, e më të rëndat e nomit i latë, gjuqnë, edhe eleimosinë, edhe besënë; edhe këto duhesh t’i bëjëtë, edhe ato të mos t’i lërëtë.
24 Dhaskalë të verbërë, që shtridhni kunupnë, e gamilenë e hai të tërë.
25 Ve mbë juvet Grammatikotë e Farisejtë, se pastroni të jashtëzmen’ e qelqit edhe të kupësë, e përbrënda janë plot nga të rrëmbiera edhe të liga.
26 Farisej i verbërë, qëro më përpara të brëndën’ e qelqit edhe të kupësë, që të bënetë edhe e jashtësmeja e paqme.
27 Ve mbë juvet Grammatikotë e Farisejtë ipokritejtë, se gjani me varre të liera me kërqele, që ata përjashta dukenë të bukura, e brënda janë plot eshtëra të së vdekuret, edhe çdolloi të pëgëra.
28 Ashtu edhe juvet përjashta dukeni ndë njerëz të drejtë, e përbrënda jeni plot nga djallëzi e të këqia.
29 Ve mbë juvet Grammatikotë e Farisejtë ipokritejtë, se dërtoni varret’ e profitëret, e stolisni mnimoret’ e së drejtëvet.
30 E thoi: Të jeshëm nevet ndë ditë të jatëret sënë, nuk’ ujdisim me ata ndë gjak të profitëret.
31 Kaqë që martirisni vetëhenë tuaj, se jeni bijtë e ature që vranë profitëritë.
32 Edhe juvet mbushni matësin’ e jatet suaj.
33 Gjërpinj, pjellat’ e nepërkavet, qish do të shpëtoni nga gjukimi i pisësë?
34 Pra andaj, ja unë dërgoj ndë juvet profitër, edhe sofora, edhe të grammatepsurë, e nga ata do të vritni, e do të mbërtheni ndë kruq, edhe nga ata do të rrihni me kamçi ndë sinagojera tuaj, e do t’i ndiqni qutet mbë qutet.
35 Që të vijë sipër mbi ju çdo gjak i drejtë, që u derdh sipër mbi dhe, që nga gjaku i së drejtit Avelit, ngjera te gjaku i Zahariasë, birit së Varahiasë, atij që e vranë ndëpërmes të Qishësë edhe të vëndit që vihetë dhurëtia.
36 Me të vërteta u thom juvet, do të vijënë gjithë këto mbë këtë milet.
37 Ierusalim, Ierusalim, që vrase profitëritë, e marre me gurë ata që u dërguanë tek teje, sa herë desha të mbëjedhë djelmt’ e tua, sikundrë mbëjedh pula zogjt’ e saj përposh pëndëvet, e nukë deshtë?
38 Ja që mbetetë shtëpia juaj e shkretë.
39 Sepse u thom juvet, do të mos më shihni që ndashti e përpara ngjera sa të thoi: I bekuarë ësht’ ai që vjen nd’ëmër të Zotit.
Për shkruesit dhe farisenjtë
(Mk 12.38-40Lk 11.37-52Lk 20.45-47)
1 Atëherë Jezui u tha turmave e dishepujve: 2 «Shkruesit e farisenjtë janë ulur në katerdrën e Moisiut. 3 Bëni e zbatoni gjithçka që ju thonë ata, por mos veproni sipas veprave të tyre, se nuk veprojnë siç thonë. 4 Lidhin barrë të rënda që mbahen me vështirësi e ua vënë njerëzve mbi shpatulla, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht. 5 Të gjitha veprat i bëjnë për t'u dukur para njerëzve. Thekët i mbajnë të gjera e cepat e petkut të gjata. 6 U pëlqen të kenë vendin e nderit nëpër festa dhe vendet e para nëpër sinagoga. 7 Duan që njerëzit t'i përshëndesin nëpër sheshe e t'i thërrasin “mësues” .
8 Por ju mos lejoni t'ju thërrasin mësues, sepse një është mësuesi juaj dhe ju jeni të gjithë vëllezër. 9 Mos quani askënd mbi tokë atë, se Ati juaj është një: ai që është në qiell. 10 Mos lejoni t'ju thërrasin prijës, se e keni një prijës, Krishtin. 11 Kush është më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. 12 Kush lartëson veten, përulet dhe kush përul veten, lartësohet».
13-14 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që u mbyllni njerëzve mbretërinë e qiellit! As vetë nuk hyni brenda e as lejoni të hyjnë ata që duan ».
15 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, që përshkoni detin e tokën për të kthyer një njeri në besim dhe më pas e bëni bir të Gehenës dy herë më shumë se veten tuaj!».
16 «Mjerë ju, o udhërrëfyes të verbër, që thoni: “Nëse dikush betohet për tempullin, s'ka gjë, por nëse betohet për arin e tempullit, është i detyruar ta mbajë betimin”. 17 Të marrë e të verbër! Çfarë është më i rëndësishëm, ari apo tempulli që e shenjtëron arin? 18 Ju thoni: “Nëse dikush betohet për altarin, s'ka gjë, por nëse betohet për dhuratën që gjendet mbi altar, është i detyruar të mbajë betimin”. 19 Të verbër ! Çfarë është më e rëndësishme, dhurata apo altari që e shenjtëron dhuratën? 20 Sepse kush betohet për altarin, betohet për të dhe për gjithçka që gjendet mbi altar. 21 Kush betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon në tempull. 22 Kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur mbi fron».
23 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të koprës e të kuminit, por lini pas dore gjërat më me peshë të ligjit: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 24 Udhërrëfyes të verbër! Ju kulloni pijen për të hequr mushkonjën, por gëlltitni devenë!».
25 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju pastroni anën e jashtme të kupës e të pjatës, por brenda ato janë plot me vjedhje e shfrenim. 26 Farise i verbër, pastro më parë anën e brendshme të kupës e të pjatës, që të jetë e pastër edhe ana e jashtme».
27 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë! Ju ngjani me varre të zbardhura që duken të bukura nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish e gjithfarë ndyrësish. 28 Kështu, nga jashtë ju shfaqeni para njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot hipokrizi e paudhësi».
Mjerë ju
29 «Mjerë ju, o shkrues e farisenj hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve e stolisni përmendoret e të drejtëve! 30 Ju thoni: “Po të kishim jetuar ne në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim marrë pjesë në derdhjen e gjakut të profetëve”. 31 Kështu dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. 32 Çojeni deri në fund veprën e nisur nga etërit tuaj. 33 Gjarpërinj e pjellë nepërkash, si do t'i shmangeni dënimit të Gehenës? 34 Prandaj unë po ju dërgoj juve profetë, të urtë dhe shkrues. Disa prej tyre do t'i vrisni e do t'i kryqëzoni, të tjerë do t'i rrihni në sinagogat tuaja e do t'i përndiqni nga qyteti në qytet 35 dhe kështu do të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë i derdhur mbi tokë, që nga gjaku i Abelit të drejtë, deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakut, që e vratë mes shenjtërores e altarit. 36 Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brezni».
Vajtimi për Jerusalemin
(Lk 13.34-35)
37 «Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë i vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! 38 Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. 39 Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni:
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit! ».