Krie e tetëtë
1 E për të thënë me pak fjalë këto që tham, nevet kemi të tillë Arhieref, që ndënji mb’anë të djathëtë të fronit të madhëcisë ndë Qiell.
2 Liturgo të punëravet Shënjte e të tendësë vërtetë, që është ngrehurë nga Zoti, jo nga njeri.
3 Sepse cilido Arhieref vihetë për të prurë dhurëtira e kurbane, andaj duhetë që të ketë edhe kij gjëkafshë për të prurë.
4 Sepse ndë qe ai sipër mbi dhe, do të mos qe as Prift, sepse do të mbetishnë ata Priftër që bienë dhurëti sikundrë e ka nomi.
5 Ata shpërejënë sikundr’ është ksombli e hieja e punëravet së Qiellet, sikundrë qe thënë (nga Perndia) Moisiut, kur duaj të bën tendënë, se vështro, i thotë, të bëç gjithë sikundrë është ksombli, që t’është dëftuarë tij ndë mal.
6 Ma ndashti (Krishti) ndodhi më të mirë shërbesë, saqë është mesit i m’i madhit dhiathiq, që ai me më të mira të taksura u vu ndë vënd.
7 Sepse ndë qe ajo e para e nderçurë, nukë kërkonej vënd për të ditënë.
8 Sepse tek paraponepsetë (Perndia) për ata, thotë: Ja, vijënë dit, thotë Zoti, e do të bëj unë be mbë shtëpi të Israilit, e mbë shtëpi të Iudhësë një dhiathiq të ri.
9 Jo si dhiathiqnë që paçë bërë me baballarë të ture, mb’atë ditë kur i mbajë ata prej doret, për të nxjerë ata nga vëndi i Egjiptosë, e ata nukë qëndruanë ndë dhiathiq tim, edhe unë i kam shtirë poshtë ata, thotë Zoti.
10 Sepse këjo është dhiathiqi që do të bëj mbë shtëpi të Israilit pas ature ditet, thotë Zoti, do të vë nomet’ e mi ndë mënd të ture, e do t’i shkruaj ato mbi zëmërë të ture; e do të jem Perndi e ture e ata do të jenë llaoi im.
11 E nukë bën hri që të dhidhaksjënë cilido prej asuresh gjiton’ e tij, e cilido vëllan’ e tij, tuke thënë: Njih Zotnë, sepse nga më i vogëli i ture, ngjera mbë të madhn’ e ture do të më njohënë.
12 Sepse do të bënem i butë mb’adhiqiera të ture, a do të mos kujtonem më fajet’ e ture e paronomit’ e ture.
13 Ndashti me të thënë: të re, e vjetëroi të parënë, e ajo që vjetëronetë e mplaketë, ësht’ afër prishëjësë.
Kryeprifti i besëlidhjes më të mirë
1 Kryesorja e gjërave që po themi është kjo: kemi një kryeprift të tillë, i cili u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë së madhërishëm në qiej. 2 Ai shërben në shenjtërore dhe në tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Zoti e jo njeriu.
3 Çdo kryeprift caktohet për të kushtuar dhurata e flijime. Kështu ishte e nevojshme që edhe kryeprifti ynë të kishte diçka për të kushtuar. 4 Po të ishte Krishti mbi tokë, nuk do të kishte qenë e nevojshme të ishte prift, sepse në tokë ka priftërinj që i kushtojnë dhurata Perëndisë sipas ligjit. 5 Këta priftërinj shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së adhurimit qiellor, ashtu siç i tha Perëndia Moisiut kur mendonte të ngrinte tendën: tani, bëj gjithçka sipas gjedhes që t'u tregua në mal. 6 Ndërsa tani Krishtit iu dha një shërbesë më e shquar, sepse ai është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, themeluar në premtime më të mira.
7 Nëse besëlidhja e parë do të ishte pa të metë, atëherë nuk do të ishte nevoja të zëvendësohej me një të dytë. 8 Por Perëndia e qortoi popullin e vet e i tha:
ja ku po vijnë ditët, thotë Zoti,
kur do të bëj një besëlidhje të re
me shtëpinë e Izraelit
e me shtëpinë e Judës.
9 Ajo nuk do të jetë si besëlidhja
që bëra me etërit e tyre,
ditën kur i mora për dore
për t'i nxjerrë nga Egjipti.
Ata nuk i qëndruan besnikë besëlidhjes sime,
prandaj unë i braktisa, thotë Zoti.
10 Besëlidhja që do të lidh
me shtëpinë e Izraelit
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj
në zemrat e tyre.
Unë do të jem Perëndia i tyre
e ata do të jenë populli im.
11 Askush nuk do të mësojë më tjetrin
dhe vëllait të vet
askush nuk do t'i thotë më:
«Njih Zotin!»,
se do të më njohin të gjithë,
nga më i vogli te i madhi.
12 Unë do të jem i mëshirshëm
me paudhësitë e tyre,
mëkatet e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
13 Kur Perëndia tha «besëlidhja e re », ai e vjetroi të parën. Ajo që vjetrohet e plaket është afër zhdukjes.