Krie e shtatëmbëdhjetëtë
1 E erdhi një nga të shtatë ëngjëjtë që kishnë të shtatë kupatë, e kuvëndoj me mua, e më tha: Eja të dëftoj ti dëmn’ e kurvësë madhe, që rri mbi ujëra të shuma.
2 Që me atë kanë kurvëruarë mbretëret’ e dheut, e u dejtinë nga vera e kurvërisë saj ata që rrinë ndë dhe.
3 E më pru mbë shpirt nd’erimi; e paçë grua që rrij mbi një bishë të kuqe, që qe plot me ëmërë të vllasfimisë, e kish shtatë krerë, e dhjetë brira.
4 E gruaja qe veshurë me porfire e me të kuqe, e lierë me ar, e me gurë të pançmuarë e margaritarë, e kish mbë dorë të saj një potir t’artë, plot me të ndjietë e të ndiuera të kurvërisë saj.
5 E ndë ballë të saj ëmër shkruarë: Mistirio. Vavillonë e madhe, mëmë e kurvjarëvet e të ndjetavet të dheut.
6 E paçë këtë grua të dejturë nga gjaku i shënjtorëvet, edhe nga gjaku i martirëvet së Iisuit; e u çudiçë me të par’ atë çudi të madhe.
7 E më tha mua Ëngjëlli: Pse u çudite? Unë do të të thom ti mistir’ e gruasë, e të bishësë që e mban atë, që ka të shtatë krerëtë edhe të dhjetë britë.
8 E bisha që ke parë, ish e nukë është, e do të hipëjë nga avisi, e do të vejë ndë humbëjë; e do të çuditenë njerëzitë që rrinë mbi dhe, ata që ëmëret’ e ture nukë janë shkruarë ndë kartë të jetësë që nga nisëja e kësaj jetet, kur të shohënë bishënë që qe, e nuk është, ndonëse është.
9 Këtu është mëndia që ka sofi; të shtatë krerëtë, janë shtatë male, tek rri gruaja mbi ta.
10 E shtatë janë mbretëretë. Të pesë ranë, e një është, e jatëri edhe s’ësht’ ardhurë, e poqë të vijë pak kohë do të durojë.
11 E bisha që qe, e nuk’ është, ajo është dhe e teta, e është nga ata të shtatë, e vete ndë humbëjë.
12 E të dhjetë britë që pe, janë dhjetë mbretër, ata edhe s’kanë marrë mbretëri; po do të marrënë urdhër si mbretër për një sahat pas bishësë.
13 Këta kanë një kshill, e fuqinë e urdhërin’ e ture ja apënë ndë dorë të bishësë.
14 Këta do të lëftojënë me qengjnë, e qengji do t’i mundjë ata, sepse ai është Zoti i zotërinjet, e Mbreti i mbretëret; e ata që janë me të bashkë të thirrë e të cgjedhurë e të besësë.
15 E më thotë mua: Ujëratë që ke parë, atje tek rri kurva, janë llaotë, e turmatë, e filitë, e gjuhëratë.
16 E të dhjetë britë që pe mbë bishënë, këta do t’urrejënë kurvënë, e do ta bëjënë atë të shkretë, e të cveshurë, e do t’i hanë mishërat’ e saj, e atë do ta djegënë ndë zjar.
17 Sepse Perndia u vuri ndë zëmëra të ture të bëjënë atë që i pëlqen asaj, e të bëjnë një kshill, e t’apënë mbretërin’ e ture mbë bishënë, ngjera sa të sosenë fjalët’ e Perndisë.
18 E gruaja që pe, është quteti i madh që ka mbretëri mbi mbretërë të dheut.
Lavirja e madhe dhe bisha
1 Pastaj, njëri nga shtatë engjëjt që mbanin shtatë kupat erdhi e më tha: «Eja të të tregoj gjykimin e lavires së madhe, që shtrihet përgjatë ujërave të shumtë. 2 Me të kurvëruan mbretërit e tokës dhe nga vera e kurvërisë së saj u dehën banorët e tokës».
3 Dhe më çoi në shkretëtirë, rrëmbyer nga Shpirti. Atje pashë një grua që rrinte ulur mbi një bishë të kuqe plot me emra fyes. Bisha kishte shtatë kokë e dhjetë brirë. 4 Gruaja ishte veshur me të purpura e të kuqe, e zbukuruar me ar, gurë të çmuar e margaritarë. Në dorë mbante një kupë të artë mbushur me fëlliqësitë dhe ndyrësitë e kurvërisë së saj. 5 Mbi ballë kishte të shkruar një emër me kuptim të fshehtë «Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e fëlliqësive të dheut». 6 Pastaj pashë gruan që ishte dehur me gjakun e të shenjtëve dhe dëshmorëve të Jezuit.
Kur e pashë, shtanga nga habia e madhe. 7 Atëherë engjëlli më tha: «Përse habitesh? Unë do të të tregoj të fshehtën e gruas dhe të bishës me shtatë kokë e dhjetë brirë që e mban gruan. 8 Bisha që pe, jetonte, por nuk jeton më. Ajo do të dalë nga humnera dhe do të shkojë drejt shkatërrimit. Banorët e tokës, që nuk e kanë të shkruar emrin në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të mrekullohen duke parë bishën që jetonte dhe nuk jeton më, por që do të vijë përsëri.
9 Këtu duhet mendje e urtë! Shtatë kokët janë shtatë kodra mbi të cilat rri ulur gruaja. Janë edhe shtatë mbretërit. 10 Pesë prej tyre ranë. Njëri është këtu, ndërsa tjetri nuk ka ardhur ende, por kur të vijë, duhet të qëndrojë për pak kohë.
11 Bisha që jetonte dhe nuk jeton më, është mbreti i tetë, por është edhe një nga të shtatët dhe shkon drejt shkatërrimit.
12 Dhjetë brirët që pe janë dhjetë mbretër, që nuk kanë filluar ende të mbretërojnë. Ata do ta marrin pushtetin si mbretër vetëm për një orë bashkë me bishën. 13 Ata do të jenë në një mendje: fuqinë dhe pushtetin e tyre do t'ia japin bishës. 14 Ata do të luftojnë me Qengjin, por Qengji do t'i mposhtë, sepse është Zoti i zotërve dhe Mbreti i mbretërve. Me të do të fitojnë edhe ata që janë të thirrur, të zgjedhur e besimtarë».
15 Pastaj më tha: «Ujërat që pe, ku rri ulur lavirja, janë popuj, turma, kombe e gjuhë. 16 Dhjetë brirët që pe dhe bisha do ta urrejnë laviren dhe do ta shkretojnë, do ta zhveshin, do t'ia hanë mishin me dhëmbë dhe do ta djegin në zjarr. 17 Sepse Perëndia u dha në zemër të vepronin sipas mendimit të tij, të ishin në një mendje dhe t'ia jepnin mbretërinë e tyre bishës, derisa të plotësoheshin fjalët e Perëndisë.
18 Gruaja që pe është qyteti i madh që sundon mbi mbretërit e tokës».