Krie e tretë
1 E mb’ato dit ahiere, erdhi Ioanni pagëzori e qiriks ndë erëmi të Iudheësë.
2 E thoshte: Metanoisni, se afër është mbretëria e Qiellvet.
3 Kij ësht ai që u tha nga Profiti Isaia, që thoshte: Zë i atit që thëret ndë erimi. Dërtoni udhën’ e Zotit, të bëni të drejta monopatet’ e tij.
4 E ai Ioanni Robat e tij i kish nga lesht’ e Gamilësë, edhe mbë mes të tij brez të lëkurtë. Edhe të ngrënët e tij qe vllastarë, edhe mjaltë t’egrë.
5 Ahiere erdhë tek ai gjithë të Ierusalimit, edhe gjithë sa qenë afër Iordhanit.
6 E pagëzoneshnë ndë Iordhan nga ai, e ksomollojiseshnë fajet’ e ture.
7 E si pa shumë nga Farisetë e Sadhuqejtë, që vijnë ndë pagëzim të tij, u tha ature: Pjellat’ e nepërkavet, cili u dëftoi juvet që të ikëni nga urgjija që vjen?
8 Bëni dha pemmë që të gjajë me metani.
9 E mos thoi me vetëhe, që Avraamnë kemi baba, sepse u thom juvet, se Perndia mund edhe nga këta gurë të krejë djelm t’Avraamit.
10 Ja edhe sopata afër rrëzës’ së lisavet është; çdo lis që z’bën pemmë të mirë, pritetë, e vihetë mbë zjar.
11 Unë pagëzoj juvet me ujë, që të metanoisni, po ai që vjen pas meje është më i fortë nga meje, atij nukë jam i zoti t’i mbaj këpucëtë. Ai do t’u pagëzojë juvet me Shpirt të Shënjtëruarë edhe me zjar.
12 Ai ka ndë dorë të tij lopatënë, e do të qërojë lëmën’ e tij, e do të vërë nd’ambar grurët’ e tij, e kashtënë do ta djegë me zjar të pashuarë.
13 Ahiere erdhi edhe Iisui nga Galilea ndë Iordhan nde Ioanni, të pagëzonej prej tij.
14 Po Ioanni e mbodhis atë e i thoshte: Unë kam shtrëngim të pagëzonem prej teje, e ti vjen tek meje?
15 Edhe Iisui u përgjeq e i tha atij: Le ato ndashti, se ashtu ësht’ e udhësë ndë nevet, të bëjëmë gjithë qedhiosinë. Ahiere e la atë.
16 E si u pagëzua Iisui, dolli atë çast nga ujëtë, e ja e ju hapnë Qielltë, e pa shpirtin’ e Perndisë, që zbriti posi pëllumbë e erdhi mbë atë.
17 E ja zë nga Qielltë që thosh: Kij është i biri im i dashuri, që mbë të prëhem.
Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mk 1.1-8Lk 3.1-9, Lk 15-17Gjn 1.19-28)1 Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. 2 Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». 3 Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4 Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.
5 Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai 6 dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. 7 Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? 8 Jepni fryte të denja pendimi 9 dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 10 Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 12 Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mk 1.9-11Lk 3.21-22)13 Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. 14 Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». 15 Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. 16 Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. 17 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».