Krie e tetëmbëdhjetëtë
1 E pastaje si iku Pavllua nga Athina, vate ndë Jordhezë.
2 E si gjeti një çifut që quhej Aqillë, i lerë ndë Pondo, që atëherë pat ardhurë nga Italia, edhe Prisqillënë gruan’ e tij (sepse Kllavdhioi pat dhënë urdhër të ndiqejnë gjithë çifutë nga Romi), u bashkua me ta.
3 E sepse patnë një zanat me të, ndënji ndë shtëpi të ture, e punon, sepse zanati i ture ish të bëijnë çadëre.
4 E dhidhaks ndë Sinaguaj çdo të Shëtunë, e i mund çifutë edhe Elinëtë.
5 Ma kur erdhë nga Maqedhonia, Silla edhe Timotheoi, i zihej Pavllosë frima, tuke dëftuarë me martiri çifutet që Iisui është Hristoi.
6 E kur rrijnë ata kondrë, e vllasfimisnë, shkundi ai rrobat’ e tij, e u tha ature: Gjaku juaj mbi kokë tuaj. Unë jam i pafaj. Që sot di e tutje do të vete ndë filira të tjera.
7 E si u ngre ateje, vate ndë shtëpi të njëit që quhej Iusto e që kish frikën’ e Perndisë. Shtëpi e këtij qe krah mbë krah me sinaguaj.
8 E Krispua, i pari i sinagojit besoi mbë Zotnë me gjithë fëmijë të tij. Edhe shumë prej Jordhezësë me të digjuarë, besoijnë e pagëzonishnë.
9 E natënë nd’ëndërrë i tha Pavllosë Zoti: Mos u trëmb, po folë e mos pusho.
10 Se unë jam bashkë me ti, e ndonjë do të mos vërë dorë mbë ti, të të bëjë ti të keq, sepse është shumë llao im ndë këtë qutet.
11 E qëndroi një motëmot e gjashtë muaj, tuke dhidhaksurë mb’ata fjalën e Perndisë.
12 Ma kur u bë Galioni Kushullë nd’Ahai, u ngrenë gjithë Çifutë mbë këmbë me një zëmërë kondrë Pavllosë, e e shpunë atë ndë gjuq.
13 E thoshnë: Kij bën njerëzitë të falenë Perndisë sikundrë s’është shkruarë ndë nom.
14 E tek duan Pavllua të hap gojënë e të flit, u tha Galioni çifutet: Të qe ndonjë zarar a ndonjë faj i madh, o çifut, dojë t’u durojë juvet sikundrë ësht’ e udhësë.
15 Ma ndë janë qartëra për fjalë e ëmëre rrotullë nomit suaj, shihnie juvet, se unë nukë dua të bënem gjukatas i këture punëravet.
16 E i zboi ata nga gjuqi.
17 Ma Elinëtë si zunë Sostenë, të parin’ e sinagojit, e rrihnë përpara gjuqit. E Galioni s’vij ndonjë silloi për këto.
18 E Pavllua si priti edhe njallaj dit, u la shëndet vëllazëret, e bëri plëhurë për Sirië. Edhe bashkë me të edhe Prisqilla edhe Aqilla, si rruajti kokënë ndë Qehre, se pat lënë leshtë me të taksurë.
19 E Pavllua u katandis nd’Efeso, e ata i la atje. E ai hiri ndë sinaguaj, e filloniqis me çifut.
20 E ata i lutishnë të mbetej mbanë ture më shumë kohë, po ai nukë sterksi.
21 Po i la me shëndet, e u tha: Duhetë patjatër të krëmptenë që vjen, ta bëj nd’Ierusalim. E pagjene, ndë dashtë Perndia, do të kthenem ndër ju. E bëri plëhurë nga Efesa.
22 E si u zbarkua ndë Qesari, u nis e vate të hjeretis qishënë, e pastaje zbriti nd’Antiohi.
23 E si bëri ca kohë atje, dolli, e vij me radhë ndëpër vënd të Gallatisë edhe të Frigjisë, e stereos gjithë mathitejtë.
24 E një çifut që quhej Apollo, i lerë nd’Aleksandhri, njeri i fjalësë e i dijturë ndë kartëra, katandisi nd’Efeso.
25 Kij ish dhidhaksurë udhën’ e Zotit, e me shpirt të ngrohëtë flit e dhidhaks me shumë të shtrejtë punët’ e Zotit, ndonëse dij vetëmë pagëzimn’ e Ioannit.
26 Kij adha nisi të kuvëndon faqeza ndë sinaguaj. E si e digjuanë atë Aqilla edhe Prisqilla, e muarrë atë me vetëhe, e ja ksijisnë atij më hollë udhën’ e Perndisë.
27 E kur duan ai të shkon nd’Ahai, e nxituanë edhe vëllazëritë, e u shkruanë kartëra mathitivet, që ta prisn’ atë. E ai si vate u bëri shumë të mbrodhurë ature që patnë besuarë me anë të dhurëtisë.
28 Sepse shumë fort i qërton çifutë faqeza, tuke dëftuarë nga kartëratë se Iisui është Hristoi.
Pali në Korint
1 Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint. 2 Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont, që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për t'i takuar 3 dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ndenji e punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave.
4 Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë e helenët.
5 Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisë , duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti. 6 Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre e u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorë . Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj t'u predikoj kombeve». 7 Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës. 8 Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Edhe shumë korintas që e dëgjuan Palin, besuan dhe u pagëzuan. 9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: «Mos ki frikë, por fol e mos hesht, 10 se unë jam me ty dhe askush nuk do të ngrejë dorë kundër teje për të të bërë keq. Shumë nga ata që jetojnë në këtë qytet më përkasin mua». 11 Pali ndenji aty një vit e gjashtë muaj dhe u mësonte atyre fjalën e Perëndisë.
12 Në kohën kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, judenjtë u bashkuan kundër Palit, e çuan para gjykatësit 13 dhe thanë: «Ky njeri po kërkon t'i bindë njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në kundërshtim me ligjin». 14 Sapo Pali deshi të fliste, Galioni u tha judenjve: «Po të bëhej fjalë për ndonjë krim apo faj të rëndë, o judenj, do të kisha arsye për ta pranuar ankesën tuaj. 15 Por, meqë bëhet fjalë për diskutime lidhur me emra e me ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë. Unë nuk dua të bëhem gjykatës për këto gjëra». 16 Pastaj i largoi nga gjykata. 17 Atëherë të gjithë ata e kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës, ndërsa Galioni nuk donte t'ia dinte fare për këto gjëra.
Kthimi i Palit në Antioki
18 Pali, pasi ndenji për njëfarë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim.
19 Kur arritën në Efes, i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë e diskutoi me judenjtë. 20 Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi. 21 Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: « Në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije.
22 Pasi arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki. 23 Ndenji aty për njëfarë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve.
Shërbesa e Apolit
24 Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë e i njihte mirë Shkrimet. 25 Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit. 26 Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, por kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë. 27 Meqë dëshironte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër e u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar, 28 sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë e u provonte hapur, përmes Shkrimeve, se Jezui është Krishti.