Krie e njëzetegjashtëtë
1 Edhe Agripa i tha Pavllosë: Të është ndëjierë të flaç për vetëhe tënde. Ahiere Pavllua si ndëri dorënë, nisi të përgjegjej, e tha:
2 Unë, o mbret Agripë, sepse dua të përgjegjem sot përpara teje, gjith’ ato që kallëzonem prej çifutet, mendonem vetëhenë time të lumurë.
3 Edhe më tepër, se ti i di gjithë adetetë edhe gjithë qartërat’ e çifutet. Pra andaj të lutem tij, të më digjoç mua me durim.
4 E sa për jetë time që shkova që nga djalëria ime ndë mes të filisë sime nd’Ierusalim, e dinë gjithë çifutë.
5 Sepse këta më njohënë mua (ndë duanë ta thonë) që krie herësë, që unë rrova që heriet sikundr’ është eresi i besësë sanë, (s)i më i shtrënjti Fariseo.
6 E ndashti për omuth të taksurit që bëri Perndia ndë baballarë tanë rri e gjukonem.
7 Për këtë të taksurë të dimbëdhjetë filitë tona tuke punuarë gjithënjë nat’ e ditë Perndinë, kanë omuth t’arrijënë. Për këtë omuth, o mbret Agripë, kallëzonem nga çifutë.
8 Qish? Si punë të pabesuarë e mendoni juvet, të ngjalljë Perndia të vdekuritë?
9 E sa për mua, unë keshë vënë ndër mënd të bëjë shumë punëra kondr’ ëmërit së Iisuit Nazarinoit.
10 Sikundr’ edhe e bëra nd’Ierusalim. E shumë nga Shënjtorëtë mbilla unë ndë hapsanë, si paçë marrë urdhërinë nga të parët’ e priftëret, e kur vritishnë ata, edhe unë shtjerë koqenë për ta.
11 E shumë herë i mundojë ata ndëpër gjithë sinagoje, e i shtrëngojë të vllasfimisnë, e tërboneshë shumë kondr’ ature, e i ndjekë ngjera ndë qutete të jashta.
12 Ndë këto të këqia që bëjë, vejë edhe ndë Dhamasko me urdhër e mbë këmbë të së parëvet së priftëret.
13 E ndë mes të ditësë paçë, o mbret, nd’udhë një dritë Qiellit më të feksurë se Dielli të ndrit rrotullë meje edhe ature që qenë me mua.
14 E si ram të gjithë mbë dhe, digjova një zë të më flit mua e të më thosh ndë gjuhë të Çifutet: Saull, Saull, pse më ndjek ti? Pun’ e ligë është për tij, t’u bieç me shqelm murrizavet.
15 Edhe unë thaçë: Cili je ti, Zot? E ai më tha: Unë jam Iisui, që ndjek ti.
16 Po ngreu, e qëndro dreq mbë këmbë të tua, se për këtë punë u dukçë tek teje, të të bëj ti shërbëtor, edhe martir t’ature punëravet që pe, edhe t’ature që do të të dukem tij për to.
17 Edhe do të të lefteros tij nga kij llao edhe nga të tjeratë fili, që mb’ato të dërgoj ti ndashti.
18 T’u hapç ature sitë që të kthenenë nga erësira mbë dritë, e nga urdhëri i Satanait mbë Perndinë, që të marrënë ata të ndëjierit’ e fajevet e pjesë me Shënjtorë, me anë të besësë që është mbë mua.
19 Pra andaj, o mbret Agripë, nuk’ i qëndrova kondrë kësaj së dukure të Qiellit.
20 Po protoparë mb’ata që qenë ndë Dhamasko, e nd’Ierusalim, e ndëpër gjithë vënd t’Iudheësë, edhe ndë filira të tjera, u dhidhaksjë që të metanoisnë, e të ktheneshinë te Perndia, e të bëijnë punëra të kenë të gjarë me metani.
21 Për këto punëra më zunë çifutë nd’Iero, e duajnë të më vrisnë.
22 Po si gjeçë ndihmë nga Perndia të rroj ngjera mbë ditë të sorme, e dhidhaks të madh e të vogëlë pa thënë ndonjë tjatër punë përveçme ato që thanë profitëtë edhe Moisiu që duhishnë të bënishnë.
23 Që Krishti duhej të pëson, që sepse duaj të ish ai i pari që të ngjallej nga të vdekuritë, do të dëftojë dritënë ndë këtë llao edhe ndë fili të tjera.
24 E kur përgjegjej ai e thosh këto fjalë, Fistua i tha me zë të madh: Je i marrë, Pavllo, se grammatit’ e shuma të bënë të marrë.
25 Edhe ai i thotë: Nukë jam i marrë, o i lartë Fisto, po thom fjalë të vërtetësë e t’urtëcisë.
26 Sepse për këto punëra di mbreti, e përpara atij flas me tharos, sepse nukë besoj që të jetë e fshehurë tek ai ndonjë nga këto punëra, sepse këjo nuk’ u bë ndë ndonjë qoshe.
27 Beson ti, o mbret Agripë, profitëtë? E di që i beson.
28 Edhe Agripa i thotë Pavllosë: Për një çikë më bën të bënem i kështërë.
29 Edhe Pavllua i tha: I lutem Perndisë edhe me pak edhe me shumë fjalë jo ti vetëmë, po edhe gjith’ ata që digjojënë mua sot, të bënenë ata të tillë, si lloi jam edhe unë, përveçe këture hekuravet.
30 E si tha këto fjalë kij, u ngre mbreti, edhe Igjemoni, edhe Verniqea, edhe ata që rrijnë me ta bashkë.
31 E tuke ikurë kuvëndoijnë njeri me jetërinë, e thoshnë, që s’ka bërë ndonjë punë që t’i bjerë vdekëjë a hekura kij njeri.
32 Edhe Agripa i tha Fistosë: Mund të lëshonej kij njeri, të mos kish thirrturë Qesarinë.
Mbrojtja e Palit para Agripës
1 Agripa i tha Palit: «Ke leje të flasësh për veten».
Atëherë Pali ngriti dorën dhe u mbrojt kështu: 2 «E quaj veten të lumtur që po mbrohem sot para teje, o mbret Agripë, për të gjitha paditë që judenjtë kanë ngritur kundër meje, 3 sepse ti i njeh mirë të gjitha doket e mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim.
4 Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem. 5 Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise. 6 Ndërsa tani qëndroj këtu për t'u gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë, 7 të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë. 8 Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit?
9 Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit 10 dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me pushtetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga të shenjtët dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje. 11 Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës t'i detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja».
Pali tregon sesi u bë i krishterë
(Vp 9.1-19Vp 22.6-16)
12 «Kështu, u nisa për në Damask me pushtetin e lejen e kryepriftërinjve. 13 Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli, që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua. 14 Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit”. 15 Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”. Zoti m'u përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek, 16 por ngrihu e qëndro në këmbë. T'u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj. 17 Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet, te të cilat po të dërgoj, 18 që t'u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve e do të kenë pjesë me të shenjtëruarit”».
Pali flet për predikimin e vet
19 «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor, 20 por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar. 21 Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin. 22 Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t'i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin: 23 se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t'u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve».
Pali dhe Agripa flasin për besimin
24 Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt». 25 Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta e të arsyeshme. 26 Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi. 27 O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson». 28 Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë». 29 Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!».
30 Atëherë mbreti, qeveritari, Bernika dhe të gjithë ata që ishin ulur me ta u ngritën 31 dhe kur po dilnin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri nuk ka bërë asgjë, që të meritojë vdekjen apo burgimin».
32 Agripa i tha Festit: «Po të mos kishte kërkuar të gjykohej prej Cezarit, ky njeri mund të ishte lënë i lirë».