Krie e dimbëdhjetëtë
1 Ndë duhetë të lëvdonem me të vërtetë, këjo nukë më vëjen, sepse do të vij pa ndë të para, e ndë të zbuluara të Zotit.
2 Njoh një njeri mbë Krishtinë, ai katërmbëdhjetë vjet janë (nuk’ e di se me kurm, nuk’ e di se jashtë nga kurmi. Perndia e di.), që u rrëmbie kij njeri ngjera mbë të tretënë Qiell.
3 E e di të tilinë njeri (se ndë kurm, se jashtë kurmit, nuk’ e di. Perndia e di).
4 Që u rrëmbie ndë Paradhis, e digjoi fjalë të parrëfiera, që s’i është ndënjurë njeriu të flasë.
5 Për këtë njeri mundjë u të lëvdonishë. Ma sa për vetëhe time për farëgjë do të mos mburrem, përveçe ndë sëmundëra të mia.
6 Sepse ndë daça unë të mburrem, nukë do të jem i pamënd, sepse do të thom të vërtetënë, ma ruhem mos ndodhetë ndonjë e sillois për mua se jam më tepërë nga ajo që sheh mbë mua, a më tepërë nga ajo që digjon prej meje.
7 E që të mos para më ngrërë lart madhëcia e së lëvduaravet, më pat dhënë hell ndë kurm tim, një Ëngjëll’ i Satanait që të m’ ip shuplaka, që të mos Perifanepsem.
8 Për këtë tri herë ju lutçë Zotit të hiqej nga meje.
9 E më tha: Sado t’është dhurëtia ime, sepse fuqia ime vjen ndë të sosurë me anë të sëmundëjësë. Me gëzim adha do të mburrem ndë smundëja të mia, që të rrijë tek unë fuqia e Krishtit.
10 Pra andaj prëhem ndë sëmundëra, ndë të shara, ndë shtrëngime, ndë të ndjekura, ndë gulçime, që bënenë për Krishtinë, sepse kur jam i sëmurë, atëherë jam i fortë.
11 U bëçë i pamënd tuke mburturë. Juvet më shtrënguatë, sepse unë desha të jeshë prej jush lëvduarë, sepse mbë ndonjë punë nukë jeshë m’i poshtërë nga ata që janë fort të mëdhinj Apostoj, ndonëse nukë jam gjë fare.
12 Ma nishanet’ e Apostolisë sime janë të lidhura ndër juvet, ndë çdofarë durim, ndë thavmëra, ndë çudira, ndë fuqira.
13 Sepse ç’patë marrë juvet më pak nga të tjeratë Qishëra, përveçe që unë paçë rënduarë juvet? Ndëjemëni mua këtë adhiqi.
14 Ja, që këjo ësht’ e treta herë që jam gati të vij ndër juvet, e do të mos u rëndoj juvet, sepse nukë kërkoj unë punëtë tuaj, po juvet, sepse nukë duhetë të mbëjedhënë djelmtë për baballarë, po baballarëtë për djelm.
15 E unë me shumë gëzim do të prish nga imea, e më shumë më tepërë do të ksodheps vetëhenë time për Shpirtëra tuaj, ndonëse kur u dua unë më shumë, juvet më doi më pak.
16 Po le të jetë kështu, unë nuk’ u rëndova juvet, po si dinak që qeshë, u zura me gënjeshtrë.
17 Mbase me anë të ndonjëit nga ata që dërgova ndër ju u kam bërë gënjeshtrë juvet?
18 Ju lutçë Titosë, e dërgova me të një vëlla. Mos u ka vallë gënjierë juvet Titua? Nukë kemi ecurë nevet me atë të tillë Shpirt? Nukë kemi ecurë mb’ato të tila gjurmë?
19 Silloisni juvet pa se bëjmë të përgjegjuritë tanë mbanë jush? Përpara Perndisë, mbë Krishtinë flasëmë e gjithë, o të dashurë, për dërtesë tuaj.
20 Sepse trëmbem, mos nuk’ u gjej juvet sikundrë dua mbë t’ardhurë, e juvet mos nukë më gjeni sikundrë më doi, se mos gjëndenë ndër ju filloniqira, zilira, zëmërime, qartëra, katigorira, kallëzime, të mbajturë mbë të madh, të paqëndruarë.
21 E mos pa kur të vij ndër ju, më ujnjë mua Perndia ime, e të qaj shumë nga ata që fëjienë më përpara, e nukë metanoisnë prej të papastruaritë, pornia, e kurvëria, që kanë bërë.
Vegimet dhe zbulesat e Palit
1 Megjithëse nuk është mirë të krenohem, duhet ta bëj dhe prandaj do t'ju flas për vegimet dhe zbulesat që më ka dhënë Zoti. 2 Njoh një njeri, që beson në Krishtin, i cili para katërmbëdhjetë vjetësh u mor në qiellin e tretë, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di. 3 Di edhe se ky njeri, nuk e di nëse me trup apo pa trup, Perëndia e di, 4 u mor në parajsë dhe dëgjoi fjalë të pashprehshme dhe që nuk mund t'i thotë asnjeri. 5 Me këtë njeri do të krenohem e jo me veten time. Unë do të krenohem vetëm me dobësitë e mia.
6 Edhe po të dëshiroja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të thosha të vërtetën. Por nuk po e bëj këtë, që askush të mos më vlerësojë më tepër nga ç'dukem e nga ç'them, 7 edhe pse zbulesat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, që të mos mbahem me të madh, m'u dha një gjemb në trup, një engjëll i Satanit, që të më torturonte për të mos m'u rritur mendja.
8 Tri herë iu luta Zotit të më çlironte nga kjo torturë, 9 por ai m'u përgjigj: «Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde». Prandaj do të krenohem edhe më shumë me dobësitë e mia, që të banojë tek unë fuqia e Krishtit. 10 Prandaj gëzohem, edhe kur jam i dobët, edhe kur më shajnë, edhe kur jam në nevojë, edhe kur më përndjekin, edhe kur jam në vështirësi për shkak të Krishtit. Në të vërtetë, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
Shqetësimi për kishën në Korint
11 U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt. 12 Unë jam apostull i vërtetë dhe këtë e tregojnë mrekullitë, shenjat dhe veprat e fuqishme që kam kryer para jush me shumë durim. 13 Në çfarë gjëje u latë pas kishave të tjera? Mos ndoshta ngaqë unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi.
14 Ja, jam gati të vij te ju për të tretën herë e nuk do t'ju bëhem barrë, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju kërkoj ju. Nuk janë fëmijët ata që duhet të mbledhin thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët. 15 Me gëzim të madh do të shpenzoj e do të shpenzohem krejtësisht për ju. Megjithëse unë ju dua më shumë, ju më doni më pak. 16 Unë nuk ju jam bërë barrë, por e zëmë se unë paskam qenë dinak e ju paskam mashtruar me dredhi. 17 A mos ju kam shfrytëzuar me anë të atyre që kam dërguar te ju? 18 Iu luta Titit që të vinte dhe dërgova me të edhe vëllanë që ju e njihni. Titi nuk ju ka shfrytëzuar, apo jo? A nuk jemi sjellë edhe ne në të njëjtin shpirt? A nuk kemi ecur në të njëjtat gjurmë?
19 A mos keni menduar deri tani se po përpiqemi të mbrojmë veten para jush? Ne flasim para Perëndisë, të mbështetur në Krishtin dhe gjithçka që bëjmë, fort të dashur, është për rritjen tuaj.
20 Kam frikë se, kur të vij, nuk do t'ju gjej siç dëshiroj e nuk do të më gjeni siç dëshironi. Kam frikë se mes jush do të gjej grindje, smirë, zemërime, sedër të sëmurë, thashetheme, murmuritje, mendjemadhësi e rrëmujë. 21 Kam frikë se kur të vij përsëri, Perëndia im do të më përulë para jush e se do të mbaj zi për shumë veta që kanë mëkatuar dikur e nuk janë penduar për ndyrësinë, kurvërinë e fëlligështinë e tyre.