Krie e pestëtë
1 E pas këture qe e krëmpte e çifutet, e Iisui vate ndë Ierusalim.
2 E atje ndë Ierusalim është kolimvithrë e pishqet, që thuhetë çifutërisht Vithesdha. Këjo ka pesë kubera.
3 E mb’ato dergjej turm’ e madhe të sëmurë, të verbëret, të çalëvet, të mbajturet, që prisnë të luan ujëtë.
4 Sepse Ëngjëlli zbrit mbë një kohë ndë kolimvithrë e nakatos ujëtë, e cilido që të zbrit i pari mbë të pas të nakatosurit së ujit, shëronej nga çdo sëmundë që të qe mbajturë.
5 E atje qe një njeri që kish shkuarë tridhjet’ e tetë vjet ndë sëmundë të tij.
6 E Iisui si e pa këtë që dergjej, e si e njohu që kish shumë kohë, i thot’ atij: Do ti të shëroneç?
7 Ju përgjegj atij i sëmuri: Zot, nukë kam njeri që të më hedhjë ndë kolimvithrë kur të nakatosetë ujëtë, sepse kur qasem unë, tjatër zbret më përpara nga meje.
8 I thot’ atij Iisui: Ngreu, e mer shtratnë tënd, e hajde.
9 E atë çast u bë i shëndoshë njeriu, e ngrijti Shtratthin’ e tij, e ecën. E ajo ditë ishte e Shëtunë.
10 E andaj i thoshnë çifutë njeriut që u shërua: Ësht’ e shëtunë, e nuk’ është ndëjierë që të ngrëç shtratnë.
11 E ai ju përgjegj ature: Ai që më shëroi mua, ai më tha mua: Ngre shtratthinë tënd, e hajde.
12 E pietnë dha atë: Cili është kij njeri që të tha tij: Ngre shtratnë tënd, e ecë?
13 E njeriu që u shërua, nuk’ e dij cili ish, sepse Iisui qe shtëmëngurë nga turma që qe mb’atë vënd.
14 Pasandaj e gjen atë Iisui ndë Iero, e i thot’ atij: Vështro, u shërove; mos bëç më faje, që të mos të të vijë ndonjë tjatër më e keqe.
15 E njeriu vate e u rrëfeu çifutet, se Iisui është ai që e shëroi atë.
16 Pra andaj e ndiqnë Iisunë çifutë, e kërkoijnë ta vrisnë atë, sepse bën këto të Shëtunë.
17 E Iisui u përgjegj ature: Babai im ngjera mbë sot punon, edhe unë punoj.
18 Pra andaj kërkoijnë çifutë më tepër ta vrisnë atë, sepse nukë prish vetëmë të Shëtunënë, po thosh më tepërë baba të tijnë Perndinë, e bën vetëhenë bara me Perndinë.
19 U përgjegj dha Iisui, e u thot’ ature: Vërtet, vërtet u thom juvet, nukë mund i biri të bëjë ndonjë punë vetiut, ndë mos paftë babanë të bëjë; sepse ato që bën babai, ashtu edhe i biri këto bën.
20 Sepse babai e do të birë, e gjith’ ato që bën ai, ja dëfton atij; edhe më të mëdha punëra do t’i dëftojë atij, që të çuditeni juvet.
21 Sepse sikundrë ngjall babai të vdekuritë, e i bën të rrojënë, kështu edhe i biri bën të rrojënë ata që do.
22 Sepse babai nukë gjukon ndonjë, po gjithë gjuqnë ja ka dhënë së birit.
23 Që të nderojënë të gjithë të birë, sikundrë nderojënë edhe babanë. Ai që nukë nderon të birë, nukë nderon babanë që e dërgoi atë.
24 Vërtet, vërtet u thom juvet, se ai që digjon fjalënë time e beson nde ai që më dërgoi mua, ka jetë të pasosurë, e mbë gjuq nukë vjen, po shkon nga vdekëja mbë jetë.
25 Vërtet, vërtet u thom juvet, që vjen kohë, edhe ndashti është, që kur të digjojënë të vdekuritë zën’ e birit së Perndisë; e ata që të kenë digjuarë do të rrojënë.
26 Sepse sikundrë e ka babai jetënë mbë vetëhe, kështu ja dha edhe së birit ta ketë jetënë mbë vetëhe.
27 E i dha urdhër atij të bëjë edhe gjuq, si biri njeriut që është.
28 Mos u çuditni mbë këtë, se vjen kohë kur gjith’ ata që janë ndë varre do të digjojënë zën’ e tij.
29 E do të dalënë jashtë ata që kanë bërë punëra të mira, të ngjallënë për të rruarë. E ata që kanë bërë të këqiatë, të ngjallënë për të dëmëtuarë.
30 Nukë mund unë të bëj ndonjë punë nga vetiu. Sikundrë digjoj gjukoj, e gjuqi im ësht’ i drejtë, sepse nukë kërkoj atë që dua unë, po atë që do babai im që më dërgoi mua.
31 Nd’është unë që t’ap martiri për vetëhe time, martiria ime nuk’ ësht’ e vërtetë.
32 Tjatër ësht’ ai që ep martiri për mua, edhe e di që është martiri e vërtetë ajo martiri që ep ai për mua.
33 Juvet patë dërguarë të piesët’ Ioannë, e ai dha martiri mbë të vërtetë.
34 Ma unë nukë marr martiri nga një njeri, po këto u thom, që të soseni juvet.
35 Ai ishte llambadha e dhezurë që fekste. E juvet deshtë të gëzonishtë për pak kohë mbë dritë të tij.
36 Po unë kam një martiri më të madhe se të Ioannit, sepse punëratë që më dha babai mua të telios, ato punëra që bëj unë vetë, dëftojënë për mua, që më ka dërguarë babai.
37 Edhe Babai që më ka dërguarë mua, ai vetë dha martiri për mua. E juvet as ja kini digjuarë zën’ e tij kurrë, as ja kini parë faqen’ e tij.
38 E fjalën’ e tij nuk’ e kini të ndënjurë mbë juvet, sepse atë që dërgoi ai juvet, nde ai nukë besoni.
39 Hajdeni, e viri re kartëratë, sepse juvet thoi të kini mbë to jetën’ e pasosurë. E ato janë që martirisjënë për mua.
40 E nukë doi të vini tek meje që të kini jetë.
41 E unë nukë dheksem nderë që vjen nga njerëzitë.
42 Po u kam njohurë juvet që nukë kini ndë vetëhe tuaj dashurin’ e Perndisë.
43 Unë arçë nd’ëmër të babait sim, e nukë më dheksni mua. Nd’artë ndonjë tjatër mbë ëmër të tij, atë do të mirri.
44 Qish mundni juvet të besoni, kur kërkoni nder njeri nga jatëri, e nukë kërkoni atë nder që vjen vetëmë nga Perndia?
45 Mos thoi se unë do t’u kallëzoj juvet përpara babait. Ka kush t’u kallëzojë juvet, ai Moisiu që juvet kini omuthnë nde ai.
46 Sepse të keshëtë besuarë nde Moisiu, edhe tek meje do të keshëtë besuarë; se ai për mua pat shkruarë.
47 E ndë mos besoni mb’ato që ka ai shkruarë, qish do të besoni mbë fjalë të mia?
Shërimi i një të paralizuari
1 Pastaj judenjtë kishin një festë dhe Jezui shkoi në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, afër Portës së Dhenve, kishte një hurdhë me pesë portikë që në hebraisht quhet Betzata. 3 Atje dergjeshin shumë të sëmurë, të verbër, të çalë e të paralizuar . 4-5 Aty ishte dhe një njeri i sëmurë që kishte tridhjetë e tetë vjet që vuante. 6 Jezui, kur e pa që dergjej i sëmurë dhe duke e ditur se kishte shumë kohë që vuante, i tha: «A dëshiron të shërohesh?». 7 I sëmuri iu përgjigj: «Zotëri, nuk kam njeri që të më fusë në hurdhë kur trazohet uji. Kur përpiqem të hyj unë, dikush tjetër zbret para meje». 8 Jezui i tha: «Ngrihu, merre shtrojën tënde dhe ec!». 9 Ai njeri u shërua në çast, mori shtrojën dhe eci.
Por, meqenëse atë ditë ishte e shtunë, 10 judenjtë i thanë të shëruarit: «Sot është e shtunë e nuk të lejohet të mbartësh shtrojën». 11 Ai u përgjigj: «Ai që më shëroi më tha: merre shtrojën tënde dhe ec!». 12 Ata e pyetën: «Cili është ky njeri që të tha: merre shtrojën dhe ec?». 13 I shëruari nuk e dinte kush ishte, se Jezui kishte humbur mes turmës së njerëzve që ndodheshin aty.
14 Më vonë Jezui e gjeti atë në tempull e i tha: «Ja ku u shërove! Mos mëkato më, që mos të të ndodhë ndonjë e keqe më e madhe».
15 Ai njeri shkoi e u tregoi judenjve se ai që e kishte shëruar ishte Jezui. 16 Atëherë judenjtë filluan ta përndjekin Jezuin, meqenëse ai i bënte këto gjëra të shtunën.
17 Ndërsa Jezui u tha: «Ati im vepron gjithmonë, prandaj edhe unë veproj». 18 Kështu judenjtë kërkonin edhe më shumë ta vrisnin, sepse jo vetëm që shkelte ligjin e së shtunës, por edhe thoshte se Perëndia ishte Ati i tij, duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë.
Pushteti i Birit
19 Atëherë Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë nga vetja, përveç asaj që sheh se bën Ati. Ato gjëra që bën Ati, bën edhe Biri. 20 Ati e do Birin e i tregon gjithçka që bën. Ai do t'i tregojë vepra edhe më të mëdha, që ju të mrekulloheni. 21 Sepse ashtu si Ati ngjall të vdekurit e u jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që dëshiron. 22 Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit, 23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kush nuk nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e ka dërguar. 24 Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar e nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë.
25 Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, e madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë. 26 Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete 27 dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut. 28 Mos u habitni për këtë, se po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij 29 e do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t'u gjykuar.
30 Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi».
Dëshmia për Jezuin
31 «Nëse unë dëshmoj për veten time, atëherë kjo dëshmi mund të mos ishte e vërtetë. 32 Por dikush tjetër dëshmon për mua dhe unë e di se dëshmia e tij është e vërtetë. 33 Ju dërguat njerëz te Gjoni e ai tha të vërtetën. 34 Unë nuk kam nevojë për dëshminë e ndonjë njeriu, por i përmenda këto që të shpëtoheni. 35 Gjoni ishte pishtari i ndezur që shndrit dhe juve ju pëlqeu të ngazëlleheshit për pak kohë në dritën e tij. 36 Por dëshmia ime është më e madhe se ajo e Gjonit. Veprat që më dha Ati për të bërë, veprat që unë bëj, ato dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar. 37 Dhe vetë Ati që më dërgoi ka dëshmuar për mua. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij e nuk e keni parë kurrë fytyrën e tij. 38 Fjala e tij nuk qëndron në ju, se nuk i besoni atij që ai dërgoi. 39 Ju shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se në to gjeni jetën e amshuar e pikërisht ato dëshmojnë për mua. 40 E megjithatë, nuk doni të vini tek unë që kështu të keni jetë.
41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. 42 Ju njoh dhe e di se nuk keni në ju dashurinë e Perëndisë. 43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim e nuk më pranoni. Nëse dikush tjetër do të vinte në emër të vetes, atë do ta pranonit. 44 Si mund të besoni ju që i thurni lavdi njëri-tjetrit e nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi?
45 Mos mendoni se do t'ju padis unë tek Ati. Moisiu, tek i cili keni varur shpresën, ai do t'ju padisë. 46 Sepse po t'i besonit Moisiut do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. 47 Por nëse nuk u besoni atyre që ai shkroi, si do t'u besoni fjalëve të mia?».