Krie e pesëtë
1 E një njeri që quhej Anania me gruan’ e tij Sapfirënë shiti një arë.
2 E ndau ca asprë nga të çmuaritë me të dijturë edhe të gruasë tij; e pru një copë gjë, e e vuri ndë këmbë t’apostojet.
3 E i tha Petrua: Anania, pse të mbushi zëmërënë tënde satanai të gënjeç Shënjtinë Shpirt e të mbaç nga të çmuarit’ e arësë?
4 Nuk’ ësht’ e vërtetë, që e pashiturë otea qe, edhe e shiturë nd’urdhër tënd qe? Përse vure ndë zëmërë tënde këtë punë? Nukë gënjeve njerëz, po Perndinë.
5 E tek digjon Anania këto fjalë, ra mbë dhe e i duall shpirti. E hiri frik’ e madhe mbë gjith’ ata që digjuanë këto.
6 E si u ngrenë të ritë e muarë e e krienë jashtë atë, e e kallë ndë varr.
7 E kishnë shkuarë ngjera tre sahat kur edhe gruaja e tij arriu atje, pa dijturë atë që u bë.
8 E i thot’ asaj Petrua: Thuajmë mua ndë e shitë ju për kaqë gjë arënë? Edhe ajo i tha: Vërtet, për kaqë.
9 Edhe Petrua i thot’ asaj: Për çfarë punë bëtë kuvënd juvet, të piraksni Shpirtin’ e Zotit? Ja tek janë mbë portë këmbët’ e ature që kallë ndë varr burrënë tënd, e do të të nxjerënë edhe tij jashtë.
10 E atë çast ra përpara këmbëvet së tij e i dolli Shpirti. E si hinë brënda të ritë, e gjen’ atë vdekurë, e si e krienë jashtë, e kallë mbanë burrit së saj.
11 E u bë frik’ e madhe mbë gjithë Qishë, e mbë gjith’ ata që digjuanë këto.
12 E bënishnë shumë nishane e çudira me duar t’apostojet ndë llao (e ishnë gjithë bashkë me një zëmërë ndë kamare të Sollomoit.
13 E ndonjë nga të tjerëtë nukë guxon t’u afëronej ature; po i nderon ata llaoi shumë.
14 E sa vij po shtonej turm’ e burravet e e gravet që besuanë mbë Zotnë).
15 Ngjera mbë kaqë që të nxirë jashtë ndë rrugëra të sëmurëtë e t’i vijnë mbë stromëra e mbë shtrate, që të zij ndonjë nga ata heja e Petrosë kur shkon.
16 E mbëjidhishnë edhe turma e qutetevet që ishnë rrotullë Ierusalimit, e bijnë të sëmurë e të guciturë nga shpirtërat’ e pëgëra. E ata shëronishnë gjithë.
17 E si u ngre i pari i priftëret edhe gjith’ata që qenë me të bashkë (që është eresi i Sadhuqejet) u mbushnë nga zilia.
18 E shtinë duart’ e ture mb’Apostoj, e i vun’ ata ndë hapsanë, atë të llaoit.
19 Po Ëngjëll’ i Zotit natënë hapi diert’ e hapsanësë e i nxori ata jashtë, e u tha.
20 Hajdeni, e si të qëndroni ndë Iero, flitni ndë llao gjithë fjalët’ e dhidhaskalisë jetësë.
21 E poqë e digjuanë, hinë që mëngjes ndë Iero e dhidhaksnë. E si erdhi i pari i priftëret, edhe ata që qenë me të bashkë, thirrë sinodh edhe gjithë pleqësinë të bijet së Israilit, e dërguanë ndë hapsanë t’i bijnë ata përpara suresh.
22 E kopijtë si vanë, nuk’ i gjenë ata ndë hapsanë; e u kthienë, e u rrëfienë.
23 Tuke thënë, se: Hapsanënë e gjem mbillturë me shumë siguri, edhe bekçitë që rrijnë jashtë përpara dieret; po si e hapm, nukë gjem ndonjë brënda.
24 E si digju(a)në këto fjalë edhe prifti, edhe stratigoi i Ieroit, edhe të parët’ e priftëret, silloisishnë për ata, qish do të bënetë këjo punë?
25 E mbi këto arriu një e u rrëfen ature, e u thotë, që: Ja njerëzitë që vutë ndë hapsanë, janë ndë Iero që rrinë, e dhidhaksjënë llaonë.
26 Ahiere vate stratigoi bashkë me trima e i prun’ ata, po jo me shtrëngim (sepse trëmbishnë llaonë mos i mbuloijnë me gurë).
27 E si i prun’ ata, i nxuarë përpara ndë sinodh, e i pieti ata i pari i priftëret.
28 E u tha: Nuk’ u porositm na juvet që të mos dhidhaksni ndë këtë ëmër, e juvet ja që mbushtë Ierusalimnë nga dhidhahia juaj, e doi të na shtiri sipër gjakn’ e këtij njeriut?
29 E u përgjegj Petrua edhe apostojtë, e thanë: Duhetë të digjojëmë më tepër Perndinë, se njerëzitë.
30 Perndia e baballarëvet sanë e ngjalli Iisunë, që e vratë juvet me të mbërthierë ndë kruq.
31 Këtë Perndia e madhoi e e bëri të parë e sotir me dorën’ e tij të djathëtë, për të dhënë metani ndë Israil, edhe të ndëjierë të fajevet.
32 E nevet jemi martirë të këture fjalëvet, edhe Shpirti Shënjt, që dha Perndia mbë gjith’ ata që digjojënë atij.
33 E ata si digjuanë këto, gërcëllijnë dhëmbëtë, e bëijnë mushavere t’i vrisnë ata.
34 Po u ngre mbë këmbë ndë sinodh një Fariseo, që quhej Gamaliil, dhaskal i nomit, i nderuarë nga gjithë llaoi, e porsiti të nxjerënë një çikë jashtë Apostojtë.
35 E u thot’ ature: Njerëz Israilit, vështroni mirë ç’kini për të bërë ndë këta njerëz.
36 Sepse përpara këture ditet u ngre Thevdhai, e thosh vetëhenë se çoç është, me atë u bashkua një nemur ngjera katërqind njerëz. U vra ai, edhe gjith’ ata që i besuanë atij u përhapnë, e s’mbeti ndonjë.
37 E pas këtij u ngre Iudha nga Galilea ndë dit kur shkruaijnë ëmëretë, e hoqi pas vetiut shumë llao. Edhe ai humbi, edhe ata që ju bënë shokë u përhapnë.
38 Edhe ndashti u thom juvet: Largouni nga këta njerëz, e liri ata; sepse nd’është nga njerëz kij kshill a këjo punë, do të prishetë.
39 Ma nd’është nga Perndia, nukë mundni ta prishni atë, mos ndodhetë e që bëni luftë me Perndinë.
40 E e pëlqienë kuvëndn’ e tij. E si thirrë apostojtë, i rrahnë e i porsitnë që të mos flasënë më mbë ëmër të Iisuit, e i lëshuan’ ata.
41 E këta ikëjnë nga faqea e sinodhit tuke gëzuarë, sepse u bënë të zotë që të ksenderonenë për ëmër të Iisuit.
42 E nukë pëshoijnë të dhidhaksnë e të vangjelisnë ngadita ndë Iero edhe mbë shtëpira Iisu Hristonë.
Hananiahu e Sapfira
1 Një burrë që quhej Hananiah, bashkë me gruan e tij Sapfirën, shiti një pronë. 2 Një pjesë të fitimit e fshehu, me dijeninë e gruas, ndërsa pjesën tjetër ua dorëzoi apostujve. 3 Atëherë Pjetri i tha: «Hananiah, pse ta pushtoi zemrën Satani, që të gënjesh Shpirtin e shenjtë e të fshehësh një pjesë të fitimit të tokës? 4 Sa ishte pa shitur, a nuk ishte e jotja? Dhe kur e shite, a nuk e kishe ti në dorë të bëje ç'të doje me fitimin? Si vallë zuri vend në zemrën tënde ky veprim? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por ke gënjyer Perëndinë». 5 Kur dëgjoi këto fjalë, Hananiahu u rrëzua e dha shpirt. Të gjithë ata që i dëgjuan këto, i zuri një frikë e madhe. 6 Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën.
7 Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananiahut, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur. 8 Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?». Ajo i tha: «Po, për kaq». 9 Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej». 10 Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt.
Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet. 11 Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.
Apostujt shërojnë shumë veta
12 Në popull bëheshin shumë shenja e mrekulli përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit. 13 Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.
14 Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë. 15 Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre. 16 Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.
Apostujt përndiqen
17 Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë 18 dhe i kapën apostujt e i futën në burg . 19 Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha: 20 «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re ». 21 Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.
Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu. 22 Por kur rojat arritën te burgu, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen e njoftuan: 23 «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar më këmbë te dyert. Por kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda». 24 Kur kryeroja i tempullit dhe kryeprifti i dëgjuan këto fjalë, u hutuan prej tyre dhe vrisnin mendjen se çfarë po ndodhte.
25 Pastaj erdhi dikush e u tha: «Shikoni, njerëzit që kishit burgosur janë në tempull e po mësojnë popullin». 26 Atëherë kryeroja bashkë me rojat shkuan dhe i morën pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. 27 Ata i sollën apostujt para sinedrit dhe kryeprifti i pyeti: 28 «A nuk ju kemi urdhëruar që të mos u mësoni njerëzve për Jezuin? Ja, pra, ju e keni mbushur Jerusalemin me mësimin tuaj e doni të rëndojë mbi ne gjaku i këtij njeriu». 29 Pjetri e apostujt u përgjigjën: «Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. 30 Perëndia i etërve tanë e ngjalli Jezuin, të cilin ju e vratë duke e varur në drurin e kryqit. 31 Perëndia e lartësoi Jezuin në të djathtën e vet, si prijës e shpëtimtar, për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. 32 Dhe ne jemi dëshmitarët e këtyre gjërave, bashkë me Shpirtin e shenjtë që Perëndia ua ka dhuruar atyre që i binden atij».
33 Kur dëgjuan këto fjalë, ata u zemëruan e donin t'i vrisnin. 34 Por një farise i sinedrit me emrin Gamaliel, një mësues i ligjit të Moisiut, që gëzonte respektin e të gjithë popullit, u ngrit dhe urdhëroi që t'i nxirrnin apostujt jashtë për pak kohë. 35 Pastaj u tha atyre: «Burra izraelitë, kini kujdes se çfarë keni ndër mend të bëni me këta njerëz. 36 Para pak kohësh na doli Teuda e na thoshte se ishte dikushi dhe rreth tij u mblodhën gati katërqind burra. Por ai u vra e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë e u zhdukën. 37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, na doli Judë Galileasi e njerëzit i shkuan pas. Edhe ai vdiq e të gjithë ata që i shkuan pas u shpërndanë. 38 Prandaj, tani, po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve e t'i lini të shkojnë, se nëse shestimi apo vepra e tyre është prej njerëzve, do të dështojë. 39 Por nëse është prej Perëndisë, nuk do të mund t'i shkatërroni ata. Për të mos thënë që do të bëheni edhe armiq të Perëndisë».
Ata e dëgjuan Gamalielin 40 dhe si i thirrën apostujt, i rrahën, i urdhëruan të mos flisnin për Jezuin dhe pastaj i lanë të lirë.
41 Atëherë apostujt dolën nga sinedri tërë gëzim, sepse Perëndia i kishte çmuar të denjë të poshtëroheshin për emrin e Jezuit. 42 Çdo ditë, edhe në tempull, edhe nëpër shtëpitë e njerëzve, u mësonin e u shpallnin pareshtur ungjillin e Krishtit Jezu.