Krie e njëzetenjëtë
1 E poqë u hoqm navet prej suresh, hapm plëhurëtë e vam dreq ndë Ko, e ditën’ e pastajme ndë Rodho, e ateje ndë Patara.
2 E si gjem një karav që shkon për Finiq, him mbë të e bëm plëhurë.
3 E si na u duk Qiprua e e lam atë mbë të mëngjërë, armenism për ndë Siri, e zum ndë Tiro, se atje duaj të shkarkon barrënë karavi.
4 E si gjem mathitejtë, qëndruam atje shtatë dit’. E këta i thanë Pavllosë me anë të Shpirtit, të mos vij nd’Ierusalim.
5 E si u sosnë këto dit, duallm e vejëm, e na përcillnë navet gjithë me gra e me djelm ngjera jashtë qutetit. E si unjm gjunjëtë, faleshim mb’anë të Detit.
6 E si u puthm njeri me jatërinë, navet him ndë karav, e ata u kthienë ndë shtëpira të ture.
7 E navet si sosm t’armenisuritë, nga Tirua arrijtim ndë Ptolemaidhë. E si u puthm me vëllazër, qëndruam një ditë me ta bashkë.
8 E nesëret duallm navet bashkë me Pavllonë, e erdhm ndë Qesari. E si hitim ndë shtëpi të Filippoit vangjelistiut (që qe nga të shtatë) qëndruam tek ai.
9 Kij kish katër vashëza vërgjëresha që profitepsnë.
10 E si mbetm navet atje shumë dit, erdhi një profit nga Iudhea që quhej Agavo.
11 E si erdhi ndë navet, e mori brezn’ e Pavllosë e lidhi duart’ e tij edhe këmbëtë, tha: Kështu thotë Shënjti Shpirt, njerinë që kij brez ësht’ i tija, kështu do ta lidhjënë çifutë nd’Ierusalim, e do ta apënë ndë duar të miletevet së tjera.
12 E si digjuam këto, i luteshim nevet edhe vëndësitë, që të mos hipën ai nd’Ierusalim.
13 E Pavllua u përgjegj: Ç’bëni tuke qarë, e tuke lënduarë zëmërënë time? Sepse sa për vetëhenë time, jam gati jo të lidhem vetëmë, po edhe të vdes nd’Ierusalim për ëmër të Zotit Iisuit.
14 E si nukë na digjon ai, pushuam, e tham: Le të bënetë ajo që do Zoti.
15 E pas ato ditet, muarm ç’na duhej për udhë, e vejëm nd’Ierusalim.
16 E erdhë me na bashkë edhe ca mathitej nga Qesaria, e bijnë me vetëhe atë që duaj të na prit navet, Mnasonë Qipriotnë, mathitin’ e vjetërë.
17 E si vam navet nd’Ierusalim, na pritnë vëllazëritë tuke gëzuarë.
18 E të nesërmenë hin Pavllua me nevet bashkë ndë shtëpi t’Iakovoit, e u mbëjuadhë gjithë pleqësia.
19 E si i puthi ata, u rrëfen një nga një ato që bëri Perndia ndëpër filira me anë të shërbesësë tij.
20 E ata si digjuanë lëvdoijnë Zotnë, edhe i than’ atij: E sheh, vëlla, sa mijëra janë nga çifutë që panë besuarë? E gjithë këta kanë zili të nomit.
21 Ndashti këta kanë digjuarë për ti, që dhidhaks gjithë çifutë që gjëndenë ndëpër filira, të largonenë nga Moisiu, tuke thënë të mos bëjënë ata djelmtë sunet, edhe të mos rrojënë sikundrë kishnë adetetë.
22 Ç’është adha këjo? Do të mbëjidhenë turmë këtu, sepse do të dijënë se erdhë.
23 Bën adha këtë që të thom tij: Janë ndë nesh katër njerëz që kanë të taksurë mbi vetëhe.
24 Merri këta me vetëhe, e qërou me ta bashkë, e ksodhjas ti për ta, që të rruajnë kokënë, e ta dinë gjithë që ato që digjuanë për tij s’janë gjë, po ecën edhe ti adetnë e ruan nomnë.
25 E sa për ata Ethnikotë që besuanë nevet u shkruam, e kemi vënë sinuar të mos vështrojënë këto, po veçe të ruhenë ata nga ato që therjënë nd’Idhollë, nga gjaku, nga të mbituratë, edhe nga kurvëria.
26 Ahiere Pavllua mori me vetëhe njerëzitë, e si u qërua me ata bashkë ditën’ e nesërme hiri nd’Iero, e dëfton që u sosnë dit’ e së qëruarit, ngjera sa të bijnë kurban për cilinëdo nga ata.
27 Ma kur qenë për të sosurë të shtatë ditë, e si e pan’ atë Çifut’ e Asisë nd’Iero, nakatosnë gjithë llaonë, e shtinë duartë mbi të.
28 Tuke thirrturë: O burra Israilitër, ndihnani! Kij ësht’ ai njeri që dhidhaks gjithë botënë mbë çdo vënd kondrë llaoit, edhe nomit, edhe këtij vëndit. Edhe ka kallturë Elinëtë nd’Iero, e pëgëjti këtë vënd të Shënjtëruarë.
29 (Sepse kishnë parë më përpara Trofimonë Efesiotnë ndë qutet bashkë me të, e pandehnë që e kish kallturë Pavllua nd’Iero).
30 E luajti gjithë quteti, e u mbëjodh llaoi, e si e muarë Pavllonë, e zbranisn’ atë jashtë nga Ieroi, e atë çast u mbillë diertë.
31 E si kërkoijnë ta vritn’ atë, vate fjala nde Hiliarhu i Spirësë, se u nakatos gjith’ Ierusalimi.
32 E ai atë çast mori trima edhe Ekatondarhë, e vrapëtoi mbi ta, e ata si panë Hiliarhnë edhe trimatë, e lanë nga të rrahuritë Pavllonë.
33 Ahiere u afërua Hiliarhu e e zuri atë, e porsiti të lidhetë me di zinçirë, e piet: Cili është, edhe ç’ka bërë.
34 E nga llaoi, cili thërrit një punë, e cili tjetërënë. E si s’mund të mpson të vërtetënë nga nakatosia, porsiti ta bijn’ atë ndë kala.
35 E kur arriu Pavllua ndë shkallë, gjau ta ngrijn’ atë trimatë mbë duar nga shtrëngimi i llaoit.
36 Sepse turm’ e llaoit vij pas si, e thërrit: Ngrenae këtë.
37 E kur deshi të hin Pavllua ndë kala, i thotë Hiliarhut: Kam urdhër të të thom tij një fjalë. Edhe ai i tha: Di gërqisht?
38 Nukë je adha tij Egjiptiu që nakatose përpara këture ditet botënë, e nxore nd’erimi katër mijë njerëz me kordhë?
39 Edhe Pavllua i tha: Unë jam njeri Çifut vëndës nga Tarsoja, ndë Qiliqi, qutet i njohurë. Po të lutem tij të m’apç urdhër të flas ndë llao.
40 E si i dha ai urdhër, qëndroi Pavllua ndë shkallë, e bëri shëj llaoit me dorë. E si u bë pushim i madh, atëherë foli ndë gjuhë të Çifutet, e tha:
Udhëtimi i Palit për në Jerusalem
1 Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë. 2 Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm.
3 Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty. 4 Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem. 5 Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm 6 dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi.
7 Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm një ditë me ta. 8 Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. 9 Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.
10 Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab. 11 Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i shenjtë: kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez e do t'ua dorëzojnë kombeve». 12 Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem.
13 Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu».
14 Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!». 15 Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem. 16 Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason Qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.
Pali takon Jakobin në Jerusalem
17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. 18 Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës. 19 Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes kombeve, me anë të shërbesës së tij. 20 Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë e i thanë Palit: «Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin. 21 Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes kombeve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat. 22 Si t'ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur. 23 Bëj, pra, këtë që të themi: këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim. 24 Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin. 25 Ndërsa besimtarëve të kthyer prej kombeve u kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».
26 Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin.
Palin e kapin në tempull
27 Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën. 28 Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit e kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë helenë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë». 29 Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim Efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull.
30 Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert. 31 Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin. 32 Ai mori menjëherë disa ushtarë e kryeqindësa dhe shkoi me nxitim drejt turmës.
Kur pa turma kryemijësin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. 33 Atëherë kryemijësi u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë. 34 Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë. 35 Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin. 36 Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!».
Mbrojtja e Palit
37 Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha kryemijësit: «A më lejon të të them diçka?». Kryemijësi i tha: «Di greqisht? 38 Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?». 39 Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t'i flas popullit».
40 Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha: