Krie e tretë
1 Andaje, vëllazër Shënjtorë, të thirrë ndë të thirrturë të Qiellet, vështroni Apostollonë e Arhierefnë të mollojisë sanë, Iisu Hristonë.
2 Që ai ësht’ i besësë mb’atë që e bëri atë (Apostoll edhe Arhierea), si edhe Moisiu (që u bë i besësë) ndë gjithë shtëpi të tij.
3 Sepse kij u nderua kaqë më tepërë nga Moisiu, sa është nga shtëpia më i nderçim ai që e bën.
4 Sepse çdo shtëpi dërtonetë nga ndonjë; e ai që dërtoi gjithë punëtë është Perndia.
5 E Moisiu qe i besësë mbë gjithë shtëpi të tij, si shërbëtuar, që të qe martir i gjith’ ature punëravet që duajnë të thuhishnë.
6 Ma Krishti është posi bir mbi gjithë shtëpi të tij. Ajo shtëpi e tija jemi nevet, ndë mbajtishim ngjera mbë të sosurë pa luajturë tharosnë e nder’ e shpëresësë.
7 Andaj, sikundrë thotë Shënjti Shpirt: Sot ndë digjofi zën’ e tij.
8 Mos gurëconi zëmëratë tuaj, si ndë kohë të pikëllimit, ndë ditë të piraksisë nd’erimi.
9 Tek më piraksnë mua baballarëtë tuaj, bënë dhoqimi mbë mua e panë punët’ e mia dizet vjet.
10 Andaj urreva atë fili, e thaçë: Këta venë gjithënjë tuke humburë udhënë me zëmërë të ture, e nukë i njohnë udhët’ e mia.
11 Kaqë sa bëra be me të zëmëruarë, që nukë do të hijënë kurrë ndë të prëjturë tim.
12 Vështroni, vëllazër, që të mos jetë kurrë mbë ndonjë nga jush zëmërë e keqe e pabesësë, që të mërgoni nga Perndia e gjallë.
13 Po mpsoni vetëhenë njeri-jatërinë ngadita, ngjera sa quhetë dit’ e sorme, që të mos gurëconetë ndonjë nga juvet me gënjeshtrë të fajit.
14 Sepse jemi bërë shokër me Krishtinë, ndë mbajtishim pa luajturë ngjera më pastaje themelin’ e të qënit.
15 Kur thuhetë: Sot ndë digjofi zën’ e tij, mos gurëconi zëmëratë tuaj, si ndë kohë të pikëllimit.
16 Sepse ca si digjuanë, e pikëlluanë Perndinë, po jo gjith’ ata që duallë nga Egjiptoja me anë të Moisiut.
17 E mbë cilëtë nga ata njerëz qe zëmëruarë ngjera mbë dizet vjet? Jo vallë mb’ata që fëjienë, mb’ata thom që ështërat’ e ture u ranë nd’erimi?
18 E mbë cilëtë u përgjërua ai që të mos hijënë ndë të prëjturë të tij, përveçe mb’ata që nuk’ u bindnë?
19 E e shohëmë që nukë mundnë të hijnë për të pabesllëk.
Jezui më i madh se Moisiu
1 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vështroni me kujdes Jezuin, të dërguarin e Perëndisë dhe kryepriftin e besimit që shpallim. 2 Ai ishte besnik ndaj atij që e bëri kryeprift, ashtu siç ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Perëndisë. 3 Por Jezui u çmua i denjë për lavdi më të madhe se Moisiu, sepse ai që ndërton shtëpinë nderohet më shumë se vetë shtëpia. 4 Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.
5 Moisiu ishte besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë, por si shërbëtor dhe për të dëshmuar gjithçka që do t'i thoshte Perëndia. 6 Ndërsa Krishti është si biri në shtëpinë e vet, shtëpi e cila jemi ne, nëse ruajmë guximin dhe shpresën me të cilën mburremi.
Mos i ngurtësoni zemrat
7 Sikurse thotë Shpirti i shenjtë:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja
si në ditën e rebelimit
gjatë tundimit në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan
e më vunë në provë,
ndonëse i kishin parë veprat e mia
10 për dyzet vjet.
Prandaj unë u zemërova
me atë brezni e thashë:
gjithmonë mashtrohet zemra e tyre
dhe ata nuk i njohën udhët e mia.
11 Dhe u përbetova në zemërimin tim kështu:
nuk kanë për të hyrë në prehjen time.
12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjëri prej jush ka zemër të ligë e mosbesuese dhe kështu largohet nga Perëndia i gjallë. 13 Por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë për sa kohë të jetë «sot», që të mos ngurtësohet ndonjë prej jush nga mashtrimi i mëkatit. 14 Ne bëhemi pjesëtarë të Krishtit vetëm nëse e ruajmë të sigurt deri në fund besimin dhe bindjen e fillimit. 15 Thuhet qartë:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
mos i ngurtësoni zemrat tuaja
si në ditën kur ngritët krye.
16 Kush ishin ata që dëgjuan dhe u rebeluan? A nuk ishin të gjithë ata që dolën nga Egjipti me Moisiun? 17 Kush ishin ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A nuk ishin ata që mëkatuan dhe lanë kockat nëpër shkretëtirë? 18 Për cilët u betua se nuk do të hyjnë në prehjen e tij? A nuk u betua për ata që nuk u bindën? 19 Shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit.