Krie e katërtë
1 E përsëri nisi të dhidhaks mb’anë të detit, e u mbëjuadhë nde ai shumë turmë, kaqë sa hiri ai mbë një varkë, e rrijte mbë det, e gjithë turma rrijnë mbë dhe mb’anë të detit.
2 E i dhidhaks ata shumë me paravolira, e u thosh ature mbë dhidhahi të tij:
3 Digjoni, na, dolli bujku për të mbjellë.
4 E u bë tek mbillte, ca farë ra mb’udhë, e erdhë zogjt’ e Qiellit e e hangrë atë.
5 E tjatër ra mbë vënd që qenë gurë, atje tek s’qe bajtë shumë, e sepse nukë kish dhe të thellë biu menjëherë.
6 E si leu Dielli, u shkrumbua nga vapa, e sepse nukë kish rrënjë, u tha.
7 E tjatër ra mbi gjëmba, e u madhuanë gjëmbatë, e e mbitnë atë, e nukë zuri bukë.
8 E tjatër ra mbi dhe të mirë, e dha farë që hipën, e u shtua, e bëri ku një tridhjetë, e ku një gjashtëdhjetë, e ku një njëqind.
9 E u thosh ature: Ai që ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
10 E kur mbeti vetëmë, e pien’ atë ata që qenë pranë tij bashkë me të dimbëdhjetë paravolinë.
11 E u thosh ature: Juvet u është dhënë të njihni të fshehurat’ e mbretërisë. E mb’ata të jashtësmitë të gjitha me paravolira bënenë.
12 Që tuke parë të shohënë, e të mos kupëtojënë, e tuke ndierë me veshë të ndiejënë, e të mos digjojënë, që të mos vijënë ndë mënd, e t’u ndëjenenë fajet’ e ture.
13 E u thot’ ature: Nuk e dini këtë paravoli? E po qish do të njihni gjithë paravolitë?
14 Ai që mbjell fjalënë, është bujku.
15 E ata që u mbuallë mb’anë t’ udhësë, jan’ ata që mbilletë fjala, po si e digjojënë, atë çast vjen satanai, e ua mer fjalënë që është mbjellë ndë zëmëra të ture.
16 Ashtu jan’ edhe këta që u mbuallë mbë vënd që qenë gurë. Ata kur digjojënë fjalënë, e marrënë menjëherë atë me gëzim.
17 E nukë kanë rrënjë mbë vetëhe të ture, po janë për pak kohë, e kur bënetë shtrëngim, a ndjekëjë për fjalë, skandhalisenë menjëherë.
18 E këta që janë mbjellë mbë gjëmba, jan’ ata që digjojënë fjalënë.
19 Po të lakëmuarit’ e kësaj jetet, edhe të gënjierit’ e gjërit, edhe dëshërimetë që kanë mbë të tjera, si ju hijënë brenda, e mbitjënë fjalënë, e bënetë e pavëjierë.
20 E këta që janë mbjellë mbë dhe të mirë jan’ ata, që digjojënë fjalënë, e marënë, e bëjënë farë, cili tridhjetë, e cili gjashtëdhjetë, e cili njëqind.
21 E u thosh ature: Mos vjen fotía që të vihetë ndënë shinik, a ndënë shtrat? Nukë vjen për të vënë mbi shambdan?
22 Se nuk’ është ndonjë e fshehurë që të mos dalë mbë mejdan, a u bë ndonjë e fshehurë që nuk’ u çfaq.
23 Ai që ka veshë për të digjuarë, le të digjojë.
24 E u thosh ature: Viri re mirë mb’ato që digjoni. Me atë matës që matni, me atë do t’u matetë edhe juvet, edhe do t’u shtonetë juvet që digjoni.
25 Se atij që ka do t’i ipetë edhe tjatër, e atij që s’ka, edhe ajo që ka do t’i mirretë prej si.
26 E thoshte: Kështu është mbretëria e Perndisë, si një njeri që të shtjerë farënë mbë dhe.
27 E flë, e ngrihetë nat’ e ditë, e fara bin e rritetë, kur ai s’e di.
28 Sepse vetiut dheu pjell, më përpara bar, pastaj kalli, e më pastaj plot me koqe.
29 E si të zërë bukë, atëherë dërgon drapërinë, se erdhi të korrëtë.
30 E thoshte: Me çfarë njeri ta bëjëmë të gjajë mbretëria e Perndisë? A me ç’paravoli ta barabarisjëmë atë?
31 Posi me një koqe të sinapit, që ajo kur mbilletë mbë dhe, është m’e vogëlë nga gjithë farëtë që janë mbi dhe.
32 E kur të mbilletë, rritetë, e bënetë m’e madhe nga gjithë lakëratë, e bën dega të mëdha, kaqë që mundjënë zogjtë e Qiellit të bëjënë folera ndënë hie të saj.
33 E me shumë paravolira të tila u flit ature dhidhahinë, sikundrë mundnë të digjoijnë.
34 E pa paravoli nuk u flit ature; e kur mbetejnë vetëmë, ua ksijiste të gjitha mathitivet së tij.
35 E si u err atë ditë, u thot’ ature: Le të hidhemi mb’anë të tejme të detit.
36 E si lanë turmënë, e muarrë atë ndë varkë sikundrë ish, e me atë bashkë qenë edhe të tjera varka.
37 E bënetë thëllim i madh mbë det nga era, e këceijnë tallazetë, e hijnë brënda ndë varkë, kaqë që për një çikëzë të mbushej.
38 E ai qe mb’anë të prapësme të varkësë mbi një jastëk, e flijte, e e zgjuanë atë, e i thonë: Dhaskal, nukë të pret tij që mënjënd humbasëmë?
39 E si u ngre, qërtoi erënë, edhe detit i tha: Pusho, mos u ndiej. E mbeti era, e u bë bunac’ e madhe.
40 E u thot’ ature: Pse ini kështu trëmbëlakë? Qish nukë kini besë?
41 E u frikuanë frikë të madhe, e thoshnë njeri me jatërinë: Vallë cili është kij, që edhe era, edhe deti e digjojënë?
Mbjellësi
(Mt 13.1-9Lk 8.4-8)1 Jezui filloi përsëri t'i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe, ja, një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit. 2 Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha: 3 «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë 4 e ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën. 5 Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë, 6 por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa fara të tjera ranë ndër ferra e ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt. 8 Fara të tjera ranë në tokë të mirë e ndërsa rriteshin e zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë e një tjetër njëqindfish».
9 Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13.10-17Lk 8.9-10)10 Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat. 11 Dhe ai u tha: «Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra, 12 që,
megjithëse kanë sy për të parë,
të mos shohin,
megjithëse kanë veshë për të dëgjuar,
të mos marrin vesh,
përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia
dhe ai do t'i falte ».
Shpjegimi i shëmbëlltyrës
(Mt 13.18-23Lk 8.11-15)13 Jezui u tha: «A nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? E si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? 14 Mbjellësi mbjell fjalën. 15 Farat që gjenden rrugës ku është mbjellë fjala, janë ata që sapo e kanë dëgjuar fjalën, por menjëherë vjen Satani dhe e rrëmben fjalën që është mbjellë në ta . 16 Farat që janë mbjellë në gurishtë janë ata që e pranojnë fjalën me gëzim sapo e dëgjojnë, 17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, sepse janë të përkohshëm dhe, kur vijnë vështirësitë e përndjekja për shkak të fjalës, bien menjëherë. 18 Farat që kanë rënë në ferra janë ata që e kanë dëgjuar fjalën, 19 por shqetësimet e kësaj jete, joshja e pasurisë dhe lakmia për gjëra të tjera hyjnë brenda tyre, ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme. 20 Por ka edhe nga ata që janë mbjellë në tokë të mirë. Këta e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt tridhjetë, gjashtëdhjetë e njëqindfish».
Drita nën magje
(Lk 8.16-18)21 Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? 22 Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. 23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë».
24 Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju , madje edhe më shumë. 25 Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka».
Fara që rritet
26 Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. 27 Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. 28 Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. 29 Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave».
Fara e sinapit
(Mt 13.31-32Lk 13.18-19)30 Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? 31 Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, 32 por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj».
Dobia e shëmbëlltyrave
(Mt 13.34-35)33 Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. 34 Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet.
Fashitja e stuhisë
(Mt 8.23-27Lk 8.22-25)35 Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». 36 Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. 37 Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. 38 Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». 39 Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. 40 Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». 41 Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».