Krie e shtatëtë
1 E si i sosi gjithë fjalët’ e tij ndë veshë të llaoit, hiri ndë Kapernaum.
2 E kopili i njëit Ekatondarhut, që e kish të dashurë, qe shumë sëmurë, e qe afër për të vdekurë.
3 E si digjoi që flitnë për Iisunë, dërgoi nde ai nga pleqt’ e Çifutet, e i lutej që të vin e të shëron kopil’ e tij.
4 Edhe ata si vanë nde Iisui, i lutishnë atij gjithënjë, e i thoshnë, se: ësht’ e udhësë që t’i bëç këtë të mirë.
5 Sepse do filinë tënë, edhe sinagojnë ai na e dërtoi navet.
6 Edhe Iisui vijte me ta bashkë; e kur qe pak larg nga shtëpia, dërgoi nde ai Ekatondarhu miq, e i thosh atij: Mos u mundo, Zot, se nukë jam i zoti që të hiç mbë shtëpi time.
7 Pra andaj nuk’ e silloisa mirë që të vijë vetë edhe u tek tij po thuaj me fjalë, e do të shëronetë kopili im.
8 Se edhe unë jam njeri ndënë urdhër, e kam ndënë vetëhe time trima, e i thom këtij: Hajde, e vete; e tjatërit eja, e vjen; edhe kopilit sim: Bën këtë, e e bën.
9 E si digjoi këto Iisui, u çudit mbë të, e u kthie e tha mbë turmë që i vin prapa: U thom juvet, se as ndë Israil nukë gjeçë kaqë besë.
10 E si u kthienë të dërguaritë ndë shtëpi, e gjenë kopilë shëruarë, atë që qe sëmurë.
11 E gjau tjetërënë ditë, vij ndë një qutet që quhetë Nain, e vijnë me të bashkë shumë nga mathitit’ e tij, edhe turm’ e madhe.
12 E kur u afërua mbë derë të qutetit, ja e nxirë një të vdekurë, që e kish të vetëmë mëm’ e tij; e ajo qe e ve. E qe shumë turmë qutetit bashkë me të.
13 E si e pa atë Zoti, i erdhi likshtë për të, e i tha asaj: Mos qaj.
14 E si u afërua, zuri shtratnë me dorë (e ata që e kishnë mbë krahë qëndruanë) e i tha: Trimshor, ti të thom, ngreu.
15 E u ngre mbë bithë i vdekuri, e nisi të flit; e ja dha atë mëmësë tij.
16 E i zu të gjithë një frikë, e lëvdoijnë Perndinë, e thoshnë, se: profit i madh u ngre ndër ne, e që ktheu sitë Perndia mbë llao të tij.
17 E u përhap ajo fjalë për të ndë gjithë Iudheë, edhe ndë gjithë atë vënd rrotullë.
18 E mathitit’ e Ioannit i rrëfienë atij për gjithë këto.
19 E Ioanni si thirri di nga mathitit’ e tij, i dërgoi nde Iisui, e i thosh: Ti je ai që do të vijë, a presëmë tjatër?
20 E ata si vanë tek ai i thanë: Ioanni Vaptistiu na dërgoi navet tek teje, tuke thënë: Ti je ai që do të vijë, a presëmë tjatër?
21 E atëherë shëroi shumë nga sëmundë, e nga plaga, e nga Shpirtëra të pëgëra, e mbë shumë të verbërë dhëroi dritënë.
22 E u përgjegj Iisui, e u tha ature: Si të veni rrëfeni Ioannit ato që patë, edhe digjuatë, se të verbërë shohënë, të çalë ecëjënë, e të leprosuritë qëronenë, të shurdhëritë digjojënë, të vdekuritë ngjallenë, të varfëritë vangjelisenë.
23 E i lumur’ ësht’ ai që të mos skandhalisetë mbë mua.
24 E si iknë ata që qenë dërguarë nga Ioanni, nisi të thosh mbë turmë për Ioannë: Pse dualltë të shohëtë ndë erimi? Kallam që tundetë nga era?
25 Ma përse dualltë të shohëtë? Njeri veshurë me rroba të buta? Ja ata që kanë rroba të nderçura, e që rrojënë me huzure, ata janë ndë shtëpira të mbretëret.
26 Po ç’është që dualltë të shohëtë? Profit? Vërtet u thom juvet: Edhe më tepër se profit.
27 Kij ësht’ ai që për të është shkruarë: Ja unë dërgoj Ëngjëllinë tim përpara faqesë sate, atë që do të dërtojë udhënë tënde përpara teje.
28 Sepse u thom juvet, nga ata që lenë nga gra, profit m’i madh nga Ioanni Vaptistiu nuk’ është ndonjë, e m’i vogëli ndë mbretëri të Perndisë është m’i madh se ai.
29 E gjithë llaoi si digjuanë, edhe kumerqarëtë, dhanë lëvdim Perndisë, sepse pagëzonishnë me pagëzim të Ioannit.
30 E Farisejtë edhe dhaskalët’ e nomit për dëm të ture lanë skopon’ e Perndisë, sepse nuk’ u pagëzuanë prej si.
31 E tha Zoti: Me se t’i shëmbëllej njerëzit’ e këtij brezit? E me çfarë gjërit shëmbëllejënë?
32 Ata kanë të gjarë me djelm që rrinë mb’udhë, e thërresënë njëri me jatërinë, e thonë: I ram flloeresë, e juvet nukë luajtitë valle, ulërijtim, e juvet nukë qajtitë.
33 Sepse erdhi Ioanni Vaptistiu, që as bukë s’ha, as verë s’pi, e thoi se të paudhë ka.
34 Erdhi i biri i njeriut që ha e pi, e thoi: Ja njeri hamës e verëpimës, miku i kumerqarëvet, edhe i fajëtorëvet.
35 E u nderua sofia nga gjithë bijt’ e saj.
36 E i lutej atij një nga Farisejtë të hajë me të bashkë, e si hiri ndë shtëpi të fariseut ndënji ndë mësallë.
37 E ja një grua që qe fajëtore ndë qutet, poqë digjoi që gjëndetë ndë mësallë ndë shtëpi të fariseut, mori një rogje pa dorë me miro.
38 E si qëndroi prapazë afër këmbëvet së tij tuke qarë, nisi të lag këmbët’ e tij me lot, e t’i fshin me leshërat’ e kreit së saj, e i puth këmbët’ e tij, e i lien me miro.
39 E si e pa fariseua, ai që e kish thirturë atë, tha me vetëhe të tij ndë qe kij profit duaj ta dij cila e çfarë grua ësht’ ajo që e zë atë, se ajo është fajëtore.
40 E u përgjegj Iisui, e i thot’ atij: Simon, të kam për të thënë tij një fjalë. Edhe ai i tha: Thuaj, dhaskal.
41 Një mameleçi kish di hreofiletë, njëri i duaj pesëqind dhinarë, e tjatëri pesëdhjetë.
42 E sepse nukë kishnë ata të ja ipnë, ua dhëroi që së divet. Cili adha nga ata, thuajmë, do ta dojë atë më shumë?
43 Edhe Simoni u përgjegj e tha: Më duketë se ai që i dhëroi më të shumënë. Edhe ai i thot’ atij: Mirë u përgjegje.
44 E si u kthie nga gruaja, i thotë Simonit: E sheh këtë grua? Hira ndë shtëpi tënde, e ti ujë ndë këmbë të mia nukë më derdhe; e këjo lagu këmbët’ e mia me lot, edhe m’i fshiu me leshërat’ e kreit së saj.
45 Ti të puthura nukë më dhe, e këjo që atëherë që erdhi nukë pushoi tuke puthurë këmbët’ e mia.
46 Me vaj krietë tim nukë ma leve, e këjo më leu këmbët’ e mia me miro.
47 Për këtë punë të thom tij: I ndëjenenë fajet’ e saj të shumatë, sepse deshi shumë. Pak do adha ai që i ndëjenenë pak.
48 E i thot’ asaj: Të ndëjenenë fajet’ e tua.
49 E nisnë ata që qenë ndë gosti të thoshnë me vetëhe të ture: Cili është kij që ndëjen edhe fajetë?
50 E i tha gruasë: Besa jote të sosi ti, hajde mbë të mirë.
Besimi i kryeqindësit
(Mt 8.5-13Gjn 4.43-54)
1 Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. 2 Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. 3 Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t'i luteshin të vinte për t'i shëruar shërbëtorin. 4 Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, 5 sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». 6 Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t'i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. 7 Prandaj nuk m'u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. 8 Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». 9 Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».
10 Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.
Ngjallja e djalit të vejushës
11 Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. 12 Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. 13 Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». 14 Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». 15 I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. 16 Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».
17 Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Mt 11.2-19)
18 Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre 19 e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 20 Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». 21 Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. 22 Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 23 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
24 Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 25 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. 26 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 27 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim
përpara teje,
që të përgatisë udhën tënde.
28 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai».
29 Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. 30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.
31 Pastaj Jezui tha: «Me kë t'i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë? 32 Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk qatë”.
33 Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli”. 34 Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. 35 Por urtia e Perëndisë del e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».
Falja e gruas mëkatare
36 Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. 38 Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t'ia lagte këmbët me lot e t'ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t'ia puthte këmbët e t'ia lyente me mirrë. 39 Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». 40 Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». 41 I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. 42 Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». 43 Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». 44 Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m'i lau me lotët e saj e m'i thau me flokët e saj. 45 Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. 46 Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m'i leu këmbët me mirrë. 47 Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». 48 Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». 49 Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». 50 Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».