Krie e katërtë
1 Ahiere Iisui u pru nga shpirti ndë erimi, të guzitej nga i paudhi.
2 E si agjëroi dizet dit edhe dizet net, pastaje i erdhi u.
3 E u qas tek ai Djalli e i tha: Ndë është që je biri i Perndisë, thuaj të bënenë këto gurë bukë.
4 E ai u përgjegj e i tha: Është shkruarë se njeriu jo me bukë vetëmë mund të rrojë, po edhe me çdo fjalë që del nga goja e Perndisë.
5 Ahiere e mori atë Djalli, e e shpuri ndë shënt qutet e e vuri mbi kube të qishësë.
6 E i tha atij: Ndë është që je i biri i Perndisë shtjerë vetëhenë poshtë, se është shkruarë, që do të porsitjë ndë Ëngjëllit’ e tij për ti, e do të të ngrenë ndë duar, të mos përpjeksh mbë gur këmbënë tënde.
7 I tha atij Iisui: Pameta është shkruarë edhe këjo: Të mos piraks Zotnë tëndë Perndinë.
8 Pameta e mori atë djalli e e hipën ndë një mal të lartë shumë, e i dëftoi atij gjithë mbretëritë e jetësë, edhe nderet e ture.
9 E i tha atij: Do të t’i ap ti, ndë rafç të më faleç mua, gjithë këto.
10 Ahiere i thotë atij Iisui: Hajde prapa meje satana, se është shkruarë: t’i faleç Zotit sit Perndisë, edhe atij vetëmë t’i apç lëvdim.
11 Atëherë iku i paudhi nga ai, e ja erdhë ëngjëllt’ e e shërbeijnë.
12 E si digjoi Iisui se Ioanni u paradhos, iku e vate ndë Galileë.
13 E si iku nga Nazareti erdhi e mbeti ndë Kapernaum që është afër detit, ndë sinuar të Zavullonit edhe të Nefthalimit.
14 Që të paguhetë ajo që u tha nga Profiti Isaiu, që thotë:
15 “Dheu i Zavullonit, edhe dheu i Nefthalimit, [mb’ ] udhën’ e detit, përtej Iordhanit, Galilea e së pabesëvet.
16 Llaoi që rrij ndë erësirë, pa dritë të madhe, edhe ata që rrijnë ndë erësi, edhe ndë skotadh të vdekëjësë dritë feksi mb’ata”.
17 Ahiere nisi Iisui të dhidhaks, e të thosh: Metanoisni; se afër është Mbretëria e Qiellvet.
18 E si ecën Iisui afër detit së Galileësë pa di vëllazër, Simonë që quhej Petro, edhe Andhreanë vëllan’ e tij, që vijnë rrjetëtë ndë det (se qenë pishkëtorë).
19 E u tha ature: Ejani pas meje, e do t’u bëj juvet pishkëtorë të njerëzet.
20 Edhe ata atë çast lanë rrjetëtë, e vanë pas tij.
21 E si vate më teje, pa di të tjerë vëllazër, Iakovonë edhe Ioanë, të bijtë e Zevedheosë që rrijnë ndë varkë bashkë me baban’ e ture Zevedheonë, e dërtoijnë rrjetët’ e ture, e i thirri edhe ata.
22 Edhe ata atë çast lanë varkënë edhe baban’ e ture, e vanë pas tij.
23 E Iisui gjezdiste ndëpër gjithë Galileë, tuke dhidhaksurë ndë Sinagoje të ture, e tuke qiriksurë Ungjilln’ e mbretërisë, edhe shëron gjithë sëmundët’ e llaoit, e gjithë të ligatë.
24 E ëmër i tij mori gjithë Sirianë, e bijnë nde ai gjith’ ata që qenë sëmurë keq, e vasanishesinë nga çdolloi sëmundë, edhe nga dhemonë, edhe nga bëtajë, edhe nga të mbajturë, e i shëron ata.
25 Edhe nga Galilea erdhë shumë turmëra pas tij, edhe nga Dhekapoli, e Ierusalimi, e Iudhea, edhe përtej Iordhanit.
Tundimi i Jezuit
(Mk 1.12-13Lk 4.1-13)1 Pastaj, i shtyrë nga Shpirti, Jezui shkoi në shkretëtirë që të tundohej nga djalli. 2 Pasi agjëroi për dyzet ditë e dyzet net, Jezuin e mori uria. 3 Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë». 4 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar:
njeriu nuk jeton
vetëm me bukë,
por me çdo fjalë
që del nga goja e Perëndisë ».
5 Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit 6 e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
dhe ata do të të mbajnë
në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur ».
7 Jezui i tha: «Është shkruar:
mos e tundo Zotin,
Perëndinë tënd ».
8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre. 9 Dhe i tha Jezuit: «Do të t'i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë e më adhuron». 10 Atëherë Jezui i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij ».
11 Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt e i shërbenin.
Shërbesa në Galile
(Mk 1.14-15Lk 4.14-15)12 Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile. 13 Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit , në tokën e Zabulonit e të Neftalimit, 14 që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai:
15 tokë e Zabulonit
dhe tokë e Neftalimit,
në rrugën drejt detit, përtej Jordanit,
Galile e kombeve!
16 Populli që ishte në errësirë
pa një dritë të madhe
dhe për ata që ishin
në vendin e hijes së vdekjes
zbardhi drita.
17 Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».
Thirrja e katër peshkatarëve
(Mk 1.16-20Lk 5.1-11)18 Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 19 Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». 20 Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 21 Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri. 22 Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij.
Jezui predikon dhe shëron
(Lk 6.17-19)23 Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. 24 Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi. 25 Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.