Krie e pesëtë
1 E u bë kur u përmbëjuadh turma të digjoijnë fjalën’ e Perndisë, e ai rrijte mbanë gjolit së Gjennisaretit.
2 E pa di varka që ishnë mb’anë të gjolit, e pishkëtorëtë si duallë nga ato, laijnë rrjetetë.
3 E si hiri ndë një nga ato varka që qe e Simonit, i thotë të largon pakëzë nga dheu, e ndënji e dhidhakste turmëtë nga varka.
4 E si pushoi nga dhidhahia i thotë Simonit: Hikni më brënda ndë gjol, e shtiri rrjetetë tuaj për gja.
5 E ju përgjegj Simoni, e i thot’ atij: Dhaskal, gjithë natënë u munduam, e nukë zum gjë, ndonëse me fjalënë tënde të shtie rrjetinë.
6 E si bënë këtë u mbillë një turm’ e madhe pishqet, e u çirej rrjeti ture.
7 E u bënë isharet shokëvet që qenë ndë tjetërënë varkë, të vijnë, e t’u ndihnë ature; e erdhë e i mbushnë të di varkatë, saqë mbiteshin’ ato.
8 E si pa Simon Petrua, ra ndër këmbë të Iisuit, e i thosh: Dil nga meje, Zot, se jam njeri fajëtuar.
9 Sepse e zuri atë tromara, edhe ata që qenë bashkë me atë, nga gjaja e madhe e pishqet që zunë.
10 Ashtu edhe Iakovonë edhe Ioannë, të bijt’ e Zevedheosë, që qenë shokë të Simonit, e i thot’ Iisui Simonit: Mos u trëmb se sot di e parë, do të zëç njerëz.
11 E si hoqnë varkatë mbë dhe, i lanë të gjitha, e vanë pas sij.
12 E u bë kur gjëndej ai ndë një qutet, ja e vjen një njeri mbluarë me leprë, e poqë pa Iisunë ra përmbis, e i lutej, e i thosh: Zot, ndë daç mund të më qëroç.
13 E ndëri dorënë, e si e zuri atë me dorë, i tha: Dua, qërou. E atë çast iku lepra prej sij.
14 E ai e porsiti atë të mos thosh njeriut. Po haide e dëfto vetëhenë tënde priftit, e shpjerë dhurëtinë për të qëruarë tat, sikundrë porsiti Moisiu për martiri të ture.
15 E zëri përhapej më tepër kudo, e mbëjidheshnë shumë turmë të digjoijnë, e të shëronishnë prej si nga sëmundët’ e ture.
16 Po ai shtëmëngej ndë vënde që s’qenë njerëz, e falej.
17 E u bë një ditë tek dhidhaks ai, e rrijnë farisejtë edhe dhaskalët’ e nomit që kishnë ardhurë nga çdo fshat të Galileësë, e të Iudheësë, e të Ierusalimit, e fuqi e Zotit qe atje, për të dhënë shëndet aturevet.
18 E ja ca njerëz bijnë ndë një shtrat një njeri të mbajturë, e kërkoijnë ta shpijn’ atë brënda, e ta vijnë përpara tij.
19 E si nukë gjenë udhë nga ta klisnë atë, për turmë të madhe që qe, hipnë mbi shtëpi, e e lëshuan’ atë bashkë me shtrat nga qeramidhetë, ndë mes të shtëpisë, përpara Iisuit.
20 E si pa besën’ e ture, i thot’ atij: O njeri, të janë ndëjierë tij fajet’ e tua.
21 E Grammatejtë nisnë të mëndonejnë, e të thoshnë: Ç’është kij që flet vllasfimira? Kush mund të ndëjejë fajetë, përveçme vetëmë Perndisë?
22 E Iisui sepse kupëtoi silloit’ e ture, u përgjegj, e u thot’ ature: Pse mendoneni ndë zëmëra tuaj?
23 Cila është m’e kollajtë, të thom: Të qofinë ndëjierë fajet’ e tua, a të thom: Ngreu, e ecë?
24 Po që të shihni se i biri njeriut ka eksusi të ndëjejë fajetë mbi dhe (i thotë së mbajturit): Ti të thom, ngreu, e merr shtratnë tënd, e hajde ndë shtëpi tënde.
25 E si u ngre atë çast përpara gjithëvet, mori shtratthinë që dergjej mbë të, e vate ndë shtëpi të tij tuke lëvduarë Perndinë.
26 E çuditejnë, e lijnë mëntë të gjithë, e lëvdoijnë Perndinë, e u mbushnë friket, e thoshnë, se pam çudira sot.
27 E pasandaj dolli, e pa një kumerqar, që quhej Levi, që rrijte mbë kumerq, e i tha atij: Eja pas meje.
28 E si la të gjitha, u ngre, e vate pas tij.
29 E i bëri gosti të madhe atij Leviu ndë shtëpi të tij. E ishnë turmë kumerqarëvet e madhe, e botësë tjerë, që qenë me të bashkë ndë mësallë.
30 E mçoijnë Grammatejt’ e ture edhe Farisejtë mbë mathitit’ e tij, e u thoshnë: Pse hai e píi bashkë me kumerqarë e me fajëtorë?
31 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature: Nukë duhenë të shëndoshëtë jatro, po ata që kanë të keq.
32 Nuk’ arçë të thërres të drejtëtë ndë metani, po fajëtorëtë.
33 Edhe ata i than’ atij: Pse mathitit’ e Ioannit, ashtu edhe ata të Farisejet agjërojënë nëndurë, edhe falenë, e të tutë hanë e pinë?
34 Edhe ai u thot’ ature: Mos mundni juvet të bëni shokët’ e dhëndërit t’agjërojënë kur kanë dhëndërinë mb’anë të ture?
35 Po do të vijënë dit, kur të mirretë dhëndëri nga ata, e ahiere mb’ato dit do t’agjërojënë.
36 E u thosh ature edhe paravoli, që: Ndonjë njeri nukë kolis mbi një rrobë të vjetrë një copë nga rrobë të re; e ndë mos e reja prish të vjetërënë e nuk’ ujdis mballoma e re.
37 E asndonjë nukë vë verë të re ndë kaçupe të vjetëra, ma ndë vuftë do të shpojë vera e re kaçupetë, edhe ajo do të derdhetë, edhe kaçupetë do të humbasënë.
38 Po verën’ e re ndë kaçupe të ra duhetë të vëmë, e të dia do të ruhenë.
39 E asndonjë që pi verë të vjetërë, atë çast do të re, sepse thotë: E vjetëra është m’e mirë.
Thirrja e dishepujve të parë
(Mt 4.18-22Mk 1.16-20)
1 Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. 2 Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat. 3 Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka.
4 Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim». 5 Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t'i hedh rrjetat». 6 Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat. 7 Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t'i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin. 8 Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar». 9 Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë. 10 Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish». 11 Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit.
Pastrimi i të lebrosurit
(Mt 8.1-4Mk 1.40-45)
12 Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 13 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë. 14 Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t'u shërbejë si dëshmi». 15 Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. 16 Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej.
Shërimi i të paralizuarit
(Mt 9.1-8Mk 2.1-12)
17 Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.
18 Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, 19 por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. 20 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». 21 Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». 22 Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 23 Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. 24 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». 25 Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. 26 Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».
Thirrja e Levit
(Mt 9.9-13Mk 2.13-17)
27 Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». 28 Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas.
29 Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. 30 Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». 31 Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. 32 Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».
Çështja e agjërimit
(Mt 9.14-17Mk 2.18-22)
33 Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». 34 Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? 35 Por do të vijnë ditët kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».
36 Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t'i përshtatet së vjetrës.
37 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t'i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. 38 Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj .
39 Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».