Krie e njëzeteditë
1 E Iisui u përgjegj pameta ature me paravolira, e u thosh:
2 Mbretëria e Qiellvet ka të gjarë me njeri mbret, që ai bëri dasmët’ e djalit së tij.
3 E dërgoi kopijt’ e tij të thërrisnë ata që qenë ftuarë ndë dasmëra, e nukë duajnë të vijnë.
4 Pameta dërgoi të tjerë kopij, e u tha: Thoi mb’ata që janë ftuarë, na, që dreka ime është hazër, viçëret’ e mia edhe berat’ e majme janë therturë, edhe gjithë sa duhenë janë hazër, po ejani ndë dasmëra.
5 E ata përtuanë, e s’vanë, po njëri vate nd’arë të tij, e tjetëri ndë pramati të tij.
6 E të tjerëtë si zunë kopijt’ e tij i shajtinë, edhe i vranë.
7 E si e digjoi mbreti u zëmërua, e dërgoi asqerët’ e tij, e vrau ata që vranë kopijt’ e tij, edhe qutetn’ e ture e përvëloi.
8 Ahiere u thotë kopijet së tij, se dasma është hazër, po ata që qenë të ftuarë nukë qenë të zotë (aksio).
9 Hajdeni dha ndëpër të dalura të udhëravet, e sa që të gjeni, t’i ftoni mbë dasmëra.
10 E si duallë ata kopij mbë udhëra, mbëjuadhë gjith’ ata që gjenë, të ligj e të mirë, e u mblua dasma nga ata që rrijnë.
11 E si hiri mbreti të shih ata që rrijnë, pa atje një njeri që nukë kish veshurë rroba të dasmësë.
12 E i thot’ atit: Mik, qish hire këtu, kur nukë ke rroba të dasmësë? Edhe ai s’mund të flit.
13 Ahiere u thotë mbreti punëtorëvet: Si t’i lidhni atit duartë, ngrenie atë, e vinie jashtë ndë erësirë të thellë. Atje do të jetë të qarëtë, edhe të dredhurit e dhëmbëvet.
14 Sepse shumë janë të ftuarë, e të pakë të zgjedhuritë.
15 Ahiere vanë Farisejtë, e bënë të mbëjedhurë, e mëndoneshinë, qish ta zijnë atë ndë fjalë.
16 E dërguanë nde ai mathitit’ e ture, bashkë me Irodhianotë, e i thanë: Dhaskal, e dimë që je i vërtetë, edhe dhidhaks udhën’ e Perndisë me të vërtetë, e nukë ke dert ti për ndonjë, se nukë vështron ndë faqe të njerëzet.
17 Thuajna dha nevet, si të duketë ti? Ësht’ e udhësë të apëmë qinso (haraç) nde Qesari, a jo?
18 E si njohu Iisui ponirin’ e ture, u tha: Pse më piraksni Ipokritej (me di faqe)?
19 Dëftomëni asprën’ e Qinsosë. Edhe ata i prunë një dhinar.
20 E u thot’ ature: E kujt’ është këjo konë, edhe të shkruaritë mbi të?
21 I thon’ atij: Të Qesarit. Ahiere u tha ature: Paguani dha ato që janë të Qesarit, nde Qesari, e ato që janë të Perndisë, nde Perndia.
22 E si e ndienë, u çuditnë, e e lanë atë, e iknë.
23 Nd’atë ditë erdhë nde ai Sadhuqej, ata që thonë se nukë ngjallenë të vdekuritë, e e pietnë atë, e i thonë:
24 Dhaskal, Mosiu tha: Ndë vdektë njeri që të mos lërë djelm, të martonetë me gruan’ e tij vëllai tij, e të ngjalljë farë nde vëllai tij.
25 E pranë nevet qenë shtatë vëllazër, e si u martua i pari vdiq, e sepse nukë kish farë, la gruan’ e tij nde vëllai tij.
26 Ashtu edhe i diti, edhe i treti, ngjer ndë të shtatë.
27 E më pastaje nga të gjithë, vdiqi edhe gruaja.
28 E po kur të ngjallenë të vdekuritë, cilit nga të shtatë do të jetë gruaja? Sepse gjithë e patnë atë.
29 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature: Jeni gënjierë, sepse nukë kupëtoni kartëratë, as fuqin’ e Perndisë.
30 Se ndë kohë që do të ngjallenë të vdekuritë as martojënë as martonenë, po janë posi ëngjëllit’ e Perndisë ndë qiell.
31 E për të ngjallturë të së vdekuret nukë dhiavastë atë që është thënë ndë juvet nga Perndia që thotë:
32 Unë jam Perndia i Avraamit, edhe Perndia i Isaakut, edhe Perndia i Iakovit. Nuk’ është Perndia, Perndi e së vdekuret, po e së gjallëvet.
33 E si digjuanë turmët’ e njerëzet, u çuditnë ndë dhidhahi të tij.
34 E Farisejtë si digjuanë, që u mbilli gojënë Sadhuqejet, u mbëjuadhë të gjithë ndë një vënd.
35 E një nga ata që dhidhaksinë nomnë, e pieti tuke ngajturë atë, e i thosh:
36 Dhaskal, cila porsi është më e madhe ndë nom?
37 Edhe Iisui i tha atit: Të duaç Zotnë Perndinë tënde me gjithë zëmërë tënde, edhe me gjithë shpirtinë tënd, edhe me gjithë mëndienë tënde.
38 Këjo është e para, edhe e madhe porsi.
39 E e ditë që gjan me atë: Të duaç gjitonë tënd, si edhe vetëhenë tënde.
40 Ndë këto të di porsira gjithë nomi edhe profitëritë varenë.
41 E si u mbëjuadhë farisejtë, i pieti ata Iisui.
42 E u thotë: Si ju duketë juvet për Krishtinë, i kuj bir është? I than’ ata: I Dhavidhit.
43 U thot’ ature: Pse adha Dhavidhi me Shënt Shpirt, e thërret atë Zot? E thotë:
44 Tha Zoti, Zotit sim: Rri mb’anë time të djathëtë, ngjera sa të vë hasmërit’ e tu ndënë këmbë të tua.
45 E ndë e thërret atë Dhavidhi Zot, qish është biri tij?
46 E ndonjë nukë mund t’i përgjegjej atij fjalë, as kuturisi njeri që nga ajo ditë të piesë atë më.
Të ftuarit në dasmë
(Lk 14.15-24)
1 Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: 2 «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. 3 Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. 4 Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. 5 Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, 6 ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. 7 Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, 9 prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. 10 Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. 11 Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë 12 e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. 13 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”.
14 Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».
Taksa e Cezarit
(Mk 12.13-17Lk 20.20-26)
15 Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. 16 Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. 17 Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». 18 Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? 19 Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. 20 Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». 21 Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». 22 Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.
Diskutimi për ngjalljen
(Mk 12.18-27Lk 20.27-40)
23 Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 24 «Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 25 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. 26 Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. 27 Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 28 Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». 29 Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 30 Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. 31 Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: 32 unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».
33 Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij.
Urdhërimi i madh
(Mk 12.28-34Lk 10.25-28)
34 Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën 35 dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: 36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». 37 Jezui i tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. 38 Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. 39 Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. 40 Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët».
Biri i Davidit
(Mk 12.35-37Lk 20.41-44)
41 Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: 42 «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». 43 Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë:
44 i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
45 Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». 46 Askush nuk mundi t'i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.