Krie e dimbëdhjetëtë
1 E nisi t’u flit ature me paravolira, e t’u thosh: Një njeri fitepsi vështë, e bëri rrotull gardh, e rrëmoi shkelës, e dërtoi kullë, e ua dha bujqet, e iku larg.
2 E mbë kohë të së vjelit dërgoi mbë bujq kopilë, të marrë nga bujqtë pemë vështit.
3 Edhe ata si e zun’ atë, e rrahnë, e e dërguanë me duar mbrazëtë.
4 E pagjene dërgoi mb’ata jatër kopil, edhe atë si i bijnë me gurë, i çajtinë krietë, e e dërguanë turpëruarë.
5 E përsëri dërgoi tjatër, edhe atë e vranë. Edhe shumë të tjerë që dërgoi, ca i rrahnë e ca i vranë.
6 Akoma dha kish një bir të dashurë të tijnë, e e dërgoi edhe atë mb’ata më të pastajmenë, e thosh, se: ata do të turpënonenë, e të nderojënë tim bir.
7 Po ata bujqër thanë me vetëhe të ture, se: kij është zoti i vështit; ejani ta vrasëmë atë, e do të mbetetë ndë navet pjesë.
8 E si e muarë atë, e vranë, e e shtinë përjashta vështit.
9 Ç’do t’u bëjë dha i zoti vështit? Do të vijë, e do të humbasë ata bujq, edhe vështënë do ta apë ndë të tjerë.
10 As këtë kartë nukë dhiavastë: Atë gur që e shtinë poshtë mjeshtrëtë, kij u bë krie e quç i qoshesë.
11 Prej Zotit u bë këjo, e ësht’ e çuditurë përpara sivet sona?
12 E kërkoijnë ta zijn’ atë, po trëmbëjnë nga turma, se e kupëtuanë, se për ata e tha paravolinë, e e lanë atë, e iknë.
13 E dërgojënë tek ai ca nga Farisejtë edhe Irodhianotë, që ta zijn’ atë mbë ndonjë fjalë.
14 Edhe ata si erdhë, i thon’ atij: Dhaskal, navet e dimë që je i vërtetë, e nukë kërkon gjë, se nukë vështron hatër’ e njerëzet, po dhidhaks dreq udhën’ e Perndisë: Është ndëjierë t’apëmë haraçnë Qesarit, a jo? Të apëmë, a të mos apëmë?
15 Edhe ai si kupëtoi të fshehurën’ e ture, u tha ature: Pse më gucitni? Birmëni mua këtu një dhinar ta shoh.
16 Edhe ata i prunë, e u thot’ ature: E kuja është këjo konë, edhe kij ëmër? Edhe ata i than’ atij: Janë të Qesarit.
17 Edhe Iisui u përgjegj, e u thot’ ature: Epni ato që janë të Qesarit, te Qesari, e ato që janë të Perndisë, te Perndia. E u çuditnë, e lijnë mëntë mbë të.
18 E vijënë nde ai Sadhuqejtë, ata që thonë se nukë ngjallenë të vdekuritë, e e pietn’ atë, e i thanë:
19 Dhaskal, Moisiu na shkroi navet, se nd’i vdektë ndonjeit vëllai, e të lërë gruan’ e tij, e të mos lërë djelm, të marrë vëllai tij gruan’ e tij, e të ngjalljë farë te vëllai tij.
20 Qenë dha shtatë vëllazër, e i pari mori grua, e kur vdiqi nukë la farë.
21 E e mori edhe i diti atë, e vdiqi. As ai la farë, edhe i treti kështu.
22 E e muarrë atë që të shtatë; e nukë lanë farë. Më pastaj nga të gjith’ ata vdiqi edhe gruaja.
23 E po ndë të ngjallturë, ahiere që do të ngjallenë, e cilit nga ata do të jetë grua? Se që të shtatë e patnë atë grua.
24 E u përgjegj Iisui, e u tha ature: Nukë jeni ju të gënjierë për këtë, sepse nukë kupëtoni kartëratë, as fuqin’ e Perndisë?
25 Sepse kur të ngjallenë nga të vdekuritë, as martonenë, as gratë i apënë ndë burra, po janë posi ëngjejtë që janë ndë Qiell.
26 E për të vdekuritë që ngjallenë, nukë kini dhiavasurë ndë kartë të Moisiut, ndë ferrë, qish i foli atij Perndia, e i tha: Unë jam Perndia e Avraamit, edhe Perndia e Isaakut, edhe Perndia e Iakovit.
27 Nuk’ është Perndia, Perndi e së vdekuret, po Perndi e së gjallëvet. Juvet ini dha shumë gënjierë.
28 E si ju afërua një nga Grammatejtë, që kish digjuarë të pieturat’ e ature, e kupëtoi që u përgjegj mb’ata mirë, e pieti atë: Cila porsi është e parë nga të gjitha?
29 Edhe Iisui ju përgjegj atij, se: E para nga të gjitha porsitë është: digjo, o Israil, Zoti Perndia jote, Zot një është.
30 Edhe të duaç Zotnë Perndinë tënde me gjithë zëmërë tënde, edhe me gjithë Shpirt tënd, edhe me gjithë mënd tënd, edhe me gjithë fuqi tënde. Këjo është porsi e parë.
31 E e ditë si edhe këjo, është këjo: Të duaç gjitonë tënd posi edhe vetëhenë tënde. Më e madhe nga këto tjatër porsi nuk’ është.
32 Edhe Grammatei i tha atij: Mirë, o dhaskal, të vërtetënë fole, se një është Perndia, e tjatër nuk’ është përveçme asaj.
33 Edhe të dojë atë njeriu me gjithë zëmërë, e me gjithë mënd, e me gjithë Shpirt, e me gjithë fuqi, edhe të dojë gjitonë posi vetëhen’ e tij, është më shumë se gjithë dhurëtitë, e gjithë kurbanetë.
34 Edhe Iisui si e pa atë që ju përgjegj mënçurë, i tha atij: Nukë je larg nga mbretëria e Perndisë. E njeri nukë guxon ta piet më atë.
35 E u përgjegj Iisui tuke dhidhaksurë ndë Iero, e tha: Qish thonë Grammaejtë, se Krishti është i biri i Dhavidhit?
36 Sepse ai Dhavidhi tha me Shpirtnë Shënjt: Tha Zoti nde Zoti im, rri mb’anë time të djathëtë, ngjera sa të vë hazmërit e tu përposh ndënë këmbë të tua.
37 Ai adha vetë Dhavidhi e thot’ atë Zot, e po nga është bir’ i tij? E turm’ e shumë e digjoijnë atë me të pëlqierë.
38 E u thosh ature ndë dhidhahi të tij: Ruhuni nga grammatejtë, që duanë të ecëjënë me stolira, e me të përshëndetura mb’udhë.
39 E që duanë vëndn’ e parë ndë mbëjedhëja, e të rrinë ndë krie të sufrasë ndë gostira.
40 Ata që hanë shtëpit’ e gravet’ së va, gjoja se falenë shumë. Këta do të mundonenë më shumë.
41 E si ndënji Iisui karshi kutisë që mbëjidhnë eleimosinë, e vijte re qish vijnë turma asprë ndë kuti të eleimosinit, e shumë të pasurë vijnë shumë.
42 E si u qas një grua e ve e varfërë, vuri di asprë, që është një kodrant.
43 E thirri mathitit’ e tij afër, e u tha ature: Me të vërteta u thom juvet, që këjo grua e ve e varfërë vuri më shumë se gjithë nga ata që vunë ndë kuti të eleimosinit.
44 Sepse të gjithë vunë nga ajo që u tepëron, e këjo nga lipsëj’ e saj vuri sa që kish, gjithë gjën’ e saj.
Shëmbëlltyra e vreshtit dhe e bujqve
(Mt 21.33-46Lk 20.9-19)1 Pastaj Jezui filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve e u largua në një vend të huaj. 2 Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që të merrte pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit. 3 Vreshtarët e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarzbrazët. 4 Atëherë ai dërgoi edhe një shërbëtor tjetër, por ata e goditën në kokë dhe e poshtëruan. 5 Dërgoi edhe një tjetër, por edhe këtë e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, por disa i rrahën e disa i vranë. 6 I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata, duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. 7 Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve”. 8 Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
9 Ç'do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t'i vrasë vreshtarët e do t'ua japë vreshtin të tjerëve. 10 A nuk e keni lexuar këtë Shkrim:
guri që ndërtuesit e hodhën tej,
u bë guri i qoshes.
11 Kjo është vepra e Zotit
dhe është e mrekullueshme
në sytë tanë ».
12 Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën.
Taksa e Cezarit
(Mt 22.15-22Lk 20.20-26)13 Pastaj dërguan te Jezui disa nga farisenjtë e disa nga herodianët për ta zënë në kurth për ndonjë fjalë. 14 Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit apo jo? Duhet t'ia paguajmë apo nuk duhet?». 15 Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë ta shoh!». 16 Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 17 Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». Ata u mrekulluan me të.
Ngjallja e të vdekurve
(Mt 22.23-33Lk 20.27-40)18 Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 19 «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 20 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe kur vdiq nuk la fëmijë. 21 Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti 22 e që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. 23 Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 24 Jezui u tha: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 25 Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej. 26 Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. 27 Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!».
Urdhërimi i madh
(Mt 22.34-40Lk 10.25-28)28 Një shkrues, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?». 29 Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot 30 dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. 31 Ndërsa urdhërimi i dytë është: duaje të afërtin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto». 32 Shkruesi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij. 33 Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë forcë dhe të duash të afërtin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet». 34 Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk pati guxim ta pyeste më.
Biri i Davidit
(Mt 22.41-46Lk 20.41-44)35 Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë shkruesit se Krishti është Biri i Davidit? 36 Vetë Davidi ka thënë përmes Shpirtit të shenjtë:
i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time,
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
37 Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».
Turma e madhe e dëgjonte me ëndje.
Ndëshkimi për shkruesit
(Mt 23.1-36Lk 20.45-47)38 Ndërsa i mësonte, u thoshte: «Ruhuni nga shkruesit që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t'i përshëndesin shesheve, 39 që zënë vendet e para nëpër sinagoga e kryet e vendit nëpër festa, 40 që përlajnë pasuritë e vejushave e luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë».
Dhurata e vejushës
(Lk 21.1-4)41 Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para. 42 Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant. 43 Jezui thirri dishepujt e u tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi në arkën e thesarit më shumë se të gjithë të tjerët, 44 sepse të gjithë dhanë nga tepricat e tyre, ndërsa ajo, në varfërinë e saj, dha gjithçka që kishte për të jetuar».