Krie e katërtë
1 E si kupëtoi Zoti se Farisejtë kishnë digjuarë që Iisui bën më shumë mathiti se Ioanni.
2 (Ndonëse Iisui nukë pagëzon vetë, po mathitit’ e tij).
3 E la Iudheënë, e vate pagjene ndë Galileë.
4 E qe hria të shkonte ai ndëpër Samari.
5 Erdhi adha ndë qutet të Samarisë, që thuhetë Sihar, afër vëndit që pat dhënë Iakovi birit së tij Iosifit.
6 E atje qe puzi i Iakovit. Ndënji dha Iisui, si qe lodhurë nga udha, atje ndë puz. E sahati qe ngjera mbë gjashtë.
7 Vjen një grua nga Samaria për të nxjerë ujë, e Iisui i thot’ asaj: Nemë të pi.
8 Sepse mathitit’ e tij panë vaturë ndë qutet për të blerë të ngrëna.
9 E i thot’ atij gruaja Samarite: Qish kërkon ti që je çifut ujë prej meje, që jam grua Samarite? Se çifutë nukë nakatosenë me Samarit.
10 E ju përgjegj Iisui, e i thot’ asaj: Të njohe ti dhurëtin’ e Perndisë, edhe cili ësht’ ai që të thotë ti: Nemë të pi, ti deshe t’i kërkoje atij e ai të të ip ti ujë të gjallë.
11 I thot’ atij gruaja: Zot, ti kuva s’ke, edhe puzi ësht’ i thellë. Nga e ke ujët’ e gjallë?
12 Mos je ti m’i madh nga jati inë Iakovi, që na dha nevet këtë puz, edhe ai nga kij piu, edhe djelmët’ e tij, edhe bagëti e tij?
13 Ju përgjegj Iisui, e i tha asaj: Cilido që pi nga këta ujë, pa do t’i vijë et.
14 Ma cilido që të pijë nga ata ujë që t’i ap unë atij, do të mos ketë et ndë jetë të pasosurë. Po ujëtë që do t’i ap unë atij, do të bënetë nde ai rrjedhëjë ndë jetë të pasosurë.
15 I thot’ atij gruaja: Zot, nemë mua këta ujë që të mos më vijë et e të mos vij këtu të nxjer ujë.
16 I thot’ asaj Iisui: Hajde, thirri burrit sit, e eja këtu.
17 U përgjegj gruaja e tha: Nukë kam burrë. I thot’ asaj Iisui: Mirë the, se nukë kam burrë.
18 Sepse pesë burra pate, e ndashti atë që ke, nuk’ është burri it. Këtë vërtet e the.
19 I thot’ atij gruaja: Zot, shoh që profit je ti.
20 Baballarëtë tanë ndë këtë mal u falë, e juvet thoi që ndë Ierusalim është vëndi që duhetë të falemi.
21 I thot’ asaj Iisui: O grua, besomë, se vjen kohë, që as mbë këtë mal, as ndë Ierusalim do të fali babait.
22 Juvet lëvdoni atë që nukë diji, nevet lëvdojëmë atë që dimë, se shpëtimi është nga çifutë.
23 Po vjen kohë, edhe ndashti është, që ahiere lëvdorët’ e vërtetë, do të lëvdojënë babanë me Shpirt, e me të vërtetë; sepse babai të tillë kërkon ata që lëvdojënë atë.
24 Perndia është Shpirt, e ata që e lëvdojënë atë, duhetë ta lëvdojënë me Shpirt e me të vërtetë.
25 I thot’ atij gruaja: E di që vjen Mesia që thuhetë Krisht. Kur të vijë ai, do të na i dëftojë nevet të gjitha.
26 I thot’ asaj Iisui: Unë jam, që kuvëndoj me ti.
27 E mbi këtë fjalë erdhë mathitit’ e tij e u çuditnë që kuvëndon me një grua. Po ndonjë s’i tha: Ç’kërkon? A: Ç’kuvëndon me atë?
28 Ma gruaja la stamnën’ e saj, e vate ndë qutet, e u thotë njerëzet:
29 Ejani të shihni një njeri që më tha mua sa punëra paçë bërë. Mos është vallë kij Krishti?
30 Duallë dha nga quteti e vijnë tek ai.
31 E ndë mes të këture, i lutejn’ atij mathitit’ e tij, e i thoshnë: Dhaskal, ha pakëzë bukë.
32 Edhe ai u tha ature: Unë kam një gjellë të ha, që juvet nuk’ e dini.
33 E mathititë thoshnë njeri me jatërinë: Mos i pru vallë njeri atij për të ngrënë?
34 U thot’ ature Iisui: Të ngrënëtë tim është që të bëj thelimën’ e atij që më ka dërguarë, e t’i telios atij punënë.
35 Nukë thoi juvet, se pas katër muajet vjen të korrëtë? Ja që u thom juvet: Ngriji sitë tuaj, e viri re fushëratë, që u zbardhë ndashti për të kuarturë.
36 Edhe ai që kuarr mer pagënë, e mbëjedh kohë për jetë të pasosurë, që të gëzonenë bashkë ai që mbjell edhe ai që kuarr.
37 Sepse mbë këtë del e vërtetë fjala që thotë, se tjatër ësht’ ai që mbjell, e tjatër ai që kuarr.
38 Unë u dërgova juvet të kuarrni atë që nukë keni juvet punuarë mbë të; të tjerë u munduanë, e juvet hitë ndë mundim të ture.
39 E nga ai qutet shumë besuanë nde ai nga Samaritë, për fjalë të gruasë, që thosh, se më tha gjithë sa paçë bërë.
40 E si erdhë dha Samaritë tek ai, i luteshin’ atij që të qëndron mb’ata. E mbeti atje di dit.
41 E më shumë besuanë mbë të nga fjala e tij.
42 E i thoshnë gruasë: Navet nukë besojëmë më nga fjala jote, se nevet vetë digjuam edhe pam, se kij është me të vërtetë ai që lefteros botënë, Krishti.
43 E pas së di ditet dolli ateje, e vate ndë Galileë.
44 Se vet’ ai Iisui veveosi, që profit ndë vënd të tij nukë ka nder.
45 E si erdhi ndë Galileë, e pritn’ atë Galilejtë; ata patnë parë gjith’ ato që bëri ndë Ierusalim ndë ditë të së krëmptesë, sepse edhe ata panë vaturë ndë të krëmpte.
46 Erdhi dha Iisui përsëri ndë Kana të Galileësë, atje që bëri ujëtë verë. E qe një njeri i mbretit, që kish djalën’ e tij sëmurë ndë Kapernaum.
47 Kij si digjoi të thoshnë që Iisui pat ardhurë nga Iudhea ndë Galileë, vate nde ai, e i lutej atij, që të shëron të bir’ e tij, që qe për të vdekurë.
48 Edhe Iisui i thot’ atij: Ju ndë mos pafçi thavmëra e çudira, nukë besoni.
49 I thot’ atij njeriu i mbretit: Zot, eja pa vdekurë dhe djali im.
50 I thot’ atij Iisui: Hajde, biri it rron. E dha besë njeriu mbë fjalë që i tha atij Iisui, e vate.
51 E kur qe afër shtëpisë, u poqnë me të kopijt’ e tij, e i thanë, që: biri it rron.
52 E i pieti ata ndë ç’kohë nisi të bënej më mirë. E i than’ atij: Që djethinë mbë shtatë sahat e la atë ethea.
53 E kupëtoi jati që ajo qe e tila kohë që i tha atij Iisui, se: biri it rron. E besoi ai edhe gjithë shtëpia e tij.
54 Këjo qe thavmë e ditë që bëri Iisui përsëri, si u kthie nga Iudhea ndë Galileë.
Gruaja samaritane
1 Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar që ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, 2 ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, 3 la Judenë e shkoi përsëri në Galile. 4 Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. 5 Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. 6 Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës.
7-8 Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë.
Jezui i tha: «Më jep të pi!». 9 Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. 10 Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». 11 Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? 12 Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë».
13 Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, 14 por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». 15 Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». 16 Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». 17 Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, 18 se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». 19 Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. 20 Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem».
21 Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. 22 Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. 23 Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. 24 Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». 25 Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». 26 Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas».
27 Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?».
28 Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: 29 «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». 30 Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui.
31 Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». 32 Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». 33 Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». 34 Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. 35 Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. 36 Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. 37 Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. 38 Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre».
39 Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». 40 Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. 41 Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. 42 Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!».
Shërimi i djalit të nëpunësit
(Mt 8.5-13Lk 7.1-10)43 Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. 44 Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, 45 por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë.
46 Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum, 47 kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi e i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum e t'i shëronte të birin që ishte duke vdekur. 48 Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni shenja e mrekulli». 49 Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija». 50 Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit e shkoi.
51 Duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë. 52 Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali e ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet». 53 Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë e të gjithë ata të shtëpisë së tij.
54 Kjo ishte shenja e dytë që bëri Jezui kur u kthye nga Judeja në Galile.