Krie e tretë
1 Kujtou ature që të jenë bindurë ndënë zabitër e ndë urdhëre, të jenë të digjuarë, të jenë gati mbë çdofarë punë të mirë.
2 Të mos vllasfimisjënë ndonjë, të mos duanë qartëratë, të jenë të butë, të dëftojënë të butët’ e ture mbë gjithë njerëz.
3 Sepse qem edhe nevet njëherë të marrë, të pabindurë, të humburë, skllevt’ e dëshërimevet e çdolloi pëlqimevet tuke rruarë ndënë të keqe e ndë zili, t’urrierë nga bota, e tuke urrierë njeri-jatërinë.
4 Ma kur u duk mbë nevet të mirëtë e ndëjesa e Perndisë, Sotirit sonë.
5 Jo për punëra të drejta që bëm nevet, po për ndëjesë të tij na sosi nevet, me anë të së larit të së lerit së ri e të përtërijturit Shënjtit Shpirt.
6 Që erdhi mbë nevet me dorë hapëtë me anë të Iisu Hristoit, Sotirit sonë.
7 Që si të bënemi të drejtë me dhurëti t’atij, të jemi si është shpëresa, klironomë të jetësë pasosurë.
8 Fjal’ e vërtetë është këjo. E këto punëra dua që t’i veveoç ti, që ata që besuanë mbë Perndinë të kenë mëntë ndë punëra të mira. Këto janë punërat’ e mira e të vëjiera ndë njerëz.
9 Ma qartërat’ e marra, e gjeneallogjitë, e filloniqitë, e luftët’ e nomit t’i lëç, sepse janë të pavëjiera e të humbura.
10 Njerinë eretiko, si ta mpsoç një herë e di herë, ta lëç.
11 E diji që i tili është shtrëmbuarë e fëjen, si ai që është dëmëtuarë për gjuq të tij.
12 Kur të dërgoj Artemanë tek tij a Tihikonë, shpejto të viç tek unë ndë Nikopol, sepse atje bëra nijet të dimëroj.
13 Zinanë, dhaskalë e nomit, edhe Apollonë, dërgomi shpejt, që të mos u lipsetë ature gjë.
14 Le të mpsonenë edhe tanëtë të kenë mëntë ndë punëra të mira për hrira që gjajënë, që të mos jenë të papemmë.
15 Të falenë me shëndet gjith’ ata që janë bashkë me mua, t’u faleç me shëndet ature që na duanë nevet me besë. Dhurëtia mbë juvet bashkë. Ashtu qoftë!
* Karta mbë Titonë që qe hirotonisurë Piskop i parë ndë qishë të Kritikovet, u shkrua nga Nikopoli i Maqedhonisë.
Vazhdo veprat e mira
1 Kujtoju besimtarëve t'u nënshtrohen parive e pushtetarëve, të jenë të bindur, të gatshëm për çdo vepër të mirë, 2 të mos fyejnë askënd, të jenë të paqtë, të durueshëm dhe të tregojnë butësi me të gjithë njerëzit. 3 Dikur edhe ne ishim të marrë, të pabindur, të mashtruar, skllevër të dëshirave e të epsheve të ndryshme. Ne jetonim në ligësi e në smirë, të urryer e duke urryer njëri-tjetrin.
4 Por kur u shfaq për njerëzit
mirësia dhe dashuria e Perëndisë,
shpëtimtarit tonë,
5 ai na shpëtoi,
jo për shkak të ndonjë vepre drejtësie
që bëmë ne,
por për shkak të mëshirës së tij,
përmes larjes së rilindjes e përtëritjes
që Shpirti i shenjtë kryen në ne.
6 Këtë Shpirt të Shenjtë
ai e dikoi mbi ne
pa u kursyer,
përmes Jezu Krishtit,
shpëtimtarit tonë,
7 që ne, duke u bërë të drejtë
prej hirit të tij,
të bëhemi trashëgimtarë të jetës së amshuar
që është shpresa jonë.
8 Kjo fjalë është e besueshme.
Unë dua që këto gjëra t'i pohosh me siguri, me qëllim që ata që i kanë besuar Perëndisë të përkushtohen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit. 9 Por ti shmangu nga bisedat e marra, gjenealogjitë, grindjet e zënkat për ligjin, pasi ato janë të padobishme dhe të kota. 10 Shmangu edhe nga përçarësit, pasi t'i kesh qortuar një ose dy herë. 11 Ti e di se njerëz të tillë janë çoroditur dhe mëkatojnë duke dënuar veten.
Porosi dhe përshëndetje vetjake
12 Kur të dërgoj te ti Artemain ose Tikikun, nxito të vish tek unë në Nikopojë, se kam vendosur ta kaloj dimrin aty.
13 Kujdesu për udhëtimin e Zenës, juristit, dhe të Apolonit, që të mos u mungojë asgjë.
14 Edhe tanët le të mësojnë t'u kushtohen veprave të mira, që të mund të përballojnë nevojat e ngutshme e që jeta e tyre të jetë e frytshme.
15 Të përshëndesin të gjithë ata që janë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim.
Hiri qoftë me ju të gjithë!