Krie e nëntëtë
1 Thom të vërtetënë mbë Krishtinë, e nukë flas rrem (sepse m’ep martiri mua fiqiri im me anë të Shënjtit Shpirt).
2 Që unë kam helm të madh e shtrëngim të paçqiturë ndë zëmërë time.
3 Se unë dojë të jeshë ndarë (larg) nga Krishti për vëllazër të mi, që janë nga gjaku im prej anësë kurmit.
4 Që ata janë Israilit, e ature është Iothesia, edhe nderi, edhe dhjatatë, edhe takset’ e nomit, edhe të falatë, edhe të taksuratë.
5 T’ature janë baballarëtë, që nga ata ësht’ edhe Krishti nga an’ e kurmit, që është mbë gjithë punëra Perndi e bekuarë ndë gjithë jetëra. Kështu qoftë!
6 E nukë mund të bjerë mbë dhe fjal’ e Perndisë, sepse jo gjith’ ata që janë nga filia e Israilit, këta janë Israilit.
7 As sepse janë far’ e Avraamit, janë gjithë djelmt’ e Avraamit. Po thotë: Mbë Isaaknë do të jetë fara ote.
8 Domethënë, jo djelmt’ e kurmit, këta janë djelmt’ e Perndisë, po djelmt’ e të taksurit do të nëmëronenë se janë farë.
9 Sepse fjal’ e së taksurësë ësht’ e tila: Do të vij mbë këtë kohë, e Sarra do të ketë djalë.
10 E jo vetëmë këjo, po edhe Reveka si pat zënë mbë një stromë (di djelm) prej Isaakut babait sonë.
11 Sepse pa edhe lerë ata, e pa bërë dhe as të mirë, as të lig, që të mbetetë pa luajturë skopoi i Perndisë, që është me të zgjedhurë, jo nga punëtë, po nga ai që thërret.
12 Ju tha asaj, që m’i madhi do të shërbejë më të vogëlinë.
13 Sikundr’ është shkruarë: Iakovnë e desha, e Isafnë e urreva.
14 Ç’të thomi adha? Mos ësht’ adhiqi ndaje Perndisë? Jo, kurrë.
15 Sespe ai thotë mbë Moisinë: Do të eleimonis atë që për atë kam lejmoni, e do të bëj lejmoni mb’atë që për atë do të kem lejmoni.
16 Nuk’ ësht’ adha (këjo) as e atij që e do, as e atij që ecën, po e Perndisë që bën lejmoni.
17 Sepse thotë karta mbë Faraonë, që për këtë punë të ngrijta ti, që të bëj të duketë fuqia ime mbë tij, e të çfaqetë ëmëri im ndë gjithë dhe.
18 Ajo ka adha lejmoninë mbë cilëdo, e bën të gurëconetë cilinëdo.
19 Ma do të më thuaç mua: E pse gjithënjë po qërton? Sepse kush mund të rrijë kondrë thelimësë saj?
20 Ma, o njeri, cili je ti që rri e flet një për një me Perndinë? Mos do të thotë bardhaku bardhakçiut: Përse më bëre kështu?
21 A s’është nd’urdhër të bardhakçiut bajta, që nga ajo lucë të bëjë një enë të nderçurë, e një enë të ndierë?
22 E ndë deshi Perndia të dëfton urgjin’ e saj, e të bën që të njihej fuqia e saj, i duroi me shumë durim enët’ e urgjisë që qenë bërë për të humburë?
23 E të bëjë të njihetë haxineja e nderit së saj mbë enë të lejmonisë, që i ka bërë gati për nder?
24 Nevet më tepër që na ka thirrë, jo nga çifutë vetëmë, po edhe nga filit’ e tjera.
25 Sikundrë thot’ ajo edhe ndë profitnë Osienë: Do të quaj llao timnë, atë që s’është llao im; e të dashurë, atë që s’ësht’ e dashurë.
26 E do të gjajë, nd’atë vënd tek u është thën’ ature: Juvet s’jini llaoi im, - atje do të quhenë djelmt’ e Perndisë gjallë.
27 E Isaia pa thërret për Israilnë: Ndë qoftë numeri i bijet së Israilit si rëra e detit, do të shpëtojënë ata që mbetenë.
28 Sepse do të përmbëjedhë (Perndia) e do të shkurtojë llogorinë me të drejtë, sepse një fjalë të shkurtuarë do të bëjë Zoti mbi dhe.
29 E sikundrë tha Isaia më përpara: Të mos paskish lënë Zoti i asqerëvet farë mbë nevet, do të jeshëm bërë si Sodhoma, e do të keshëm gjajturë si Gomorra.
30 Ç’kemi më dha për të thënë? Që filit’ e tjera që s’patnë vaturë pas së drejtësë, e pushtruanë të drejtënë thom që vjen nga besa.
31 Po Israili që kërkon nomn’ e së drejtësë, nuk’ arriu ndë nom të së drejtësë.
32 E përse? Se nuk’ e kërkon nga besa, po sikur nga punët’ e nomit; sepse u përpoqnë ndë gur të skandalisë.
33 Sikundr’ është shkruarë: Na që vë ndë Sion gur të mbodhisurit’ e gur të skandalisurit, e cilido që të besojë mb’atë, do të mos turpëronetë.
Perëndia zgjedh Izraelin
1 Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i shenjtë, 2 se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër. 3 Do të doja të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi sipas mishit. 4 Ata janë izraelitë e të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij. 5 Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për nga mishi, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen!
6 Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë. 7 As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut. 8 Kjo do të thotë se nuk janë bijtë për nga mishi ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës. 9 Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë.
10 Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. 11 Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, 12 jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. 13 Sikurse është shkruar:
Jakobin e desha,
por Esaun e urreva.
14 Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! 15 Sepse ai i thotë Moisiut:
do të kem mëshirë
për atë që dua të mëshiroj
e do të kem dhembshuri
për atë që dua të kem dhembshuri.
16 Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. 17 Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. 18 Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do.
Zemërimi dhe mëshira e Perëndisë
19 Por ti do të më thuash: «Pse atëherë Perëndia ende na fajëson? Kush mund t'i bëjë ballë vullnetit të tij?». 20 Po kush je ti, o njeri, që t'i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë krijesa krijuesit: «Përse më ke bërë kështu?». 21 A nuk ka të drejtë poçari të bëjë nga e njëjta masë argjile një enë të kushtueshme dhe një tjetër të zakonshme?
22 Megjithëse Perëndia donte të shfaqte zemërimin e tij dhe të bënte të njohur pushtetin e tij, ai u tregua shumë i duruar me enët që e meritonin zemërimin e tij dhe që ishin bërë për t'u shkatërruar. 23 Ai donte edhe t'u bënte të njohur pasuritë e lavdisë së tij atyre të cilëve u tregoi mëshirën e tij dhe që i parapërgatiti për lavdi. 24 Këta jemi ne që na thirri Perëndia, jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet. 25 Sikurse thotë te Hosea:
atë që nuk ishte populli im,
do ta quaj populli im;
atë që nuk ishte e dashur,
do ta quaj të dashur.
26 Dhe në vendin ku u qe thënë:
«Ju nuk jeni populli im»,
atje ata do të quhen
bij të Perëndisë së gjallë.
27 Edhe Isaia thërret për Izraelin:
sikur numri i bijve të Izraelit
të jetë si rëra e detit,
vetëm një pjesë e mbetur prej tyre
do të shpëtohet.
28 Sepse Zoti do ta përmbushë fjalën e tij
me shpejtësi mbi tokë.
29 Dhe sikurse kishte parathënë Isaia:
nëse Zoti i ushtrive
nuk do të na linte pasardhës,
do të ishim bërë si Sodoma
e do të ngjanim me Gomorrën.
Izraeli dhe ungjilli
30 Ç'të themi, pra? Kombet që nuk kërkonin të bëheshin të drejtë nga Perëndia, u bënë të drejtë përmes besimit, 31 ndërsa Izraeli që kërkonte një ligj për t'u bërë i drejtë, nuk e përmbushi ligjin. 32 Përse? Sepse donte të bëhej i drejtë jo përmes besimit, por përmes veprave. Kështu u penguan te guri i pengesës. 33 Sikurse është shkruar:
ja, po vë në Sion një gur pengese,
një shkëmb që i rrëzon.
Kushdo që beson në të,
nuk do të turpërohet.