Krie e njëmbëdhjetëtë
1 Thom un’ adha: Mos e shtiu poshtë Perndia llaon’ e saj? Mos qoftë kurrë! Sepse edhe unë jam Israilit, nga far’ e Avraamit, nga filia e Veniaminit.
2 Nuk’ e shtiu poshtë Perndia llaon’ e saj që e pat njohurë më përpara? A nuk’ e diji se ç’thotë karta nd’Istori të Iliasë, që ai rri e i lutetë Perndisë kondrë Israilit, e thotë.
3 O Zot, profitet’ e tu i vranë, e thisiastiret’ e tua i gremisnë. E unë mbeçë vetëmë, e kërkojënë Shpirtinë tim.
4 Po ç’i thot’ atij të përgjegjurit’ e Perndisë? Laçë për vetëhe time shtatë mijë burra, që nukë ujnjë gjunjë të falishnë Vaalit.
5 Kështu edhe ndashti adha shpëtuanë të ruajturitë, sikundrë qe të zgjedhurit’ e dhurëtisë.
6 E nd’është për hir adha, nuk’ është më për punëra, sepse ndrishe hiri nuk’ është më hir, ma nd’është nga punëtë, nuk’ është më hir. Ndrishe puna nuk’ është më punë.
7 E ç’ësht’ adha? Atë që kërkon Israili nuk’ e gjeti; po të zgjedhuritë e gjetnë, e gjithë të tjerëtë u verbuanë.
8 (Sikundr’ është shkruarë: U dha ature Perndia Shpirt të marrëzisë, si, e të mos shohënë, veshë, e të mos digjojënë), ngjera sot e gjithë ditënë.
9 Edhe Dhavidhi thotë: U bëftë mësalla e ture një dhokan për ta, një lak, e një grackë, për pagë të ture.
10 U erçinë sit’ e ture të mos shohënë. E rëndou gjithënjë supn’ e ture.
11 Thom adha unë: Mos u mbodhisnë për të rarë? Mos qoftë kurrë! Po grëmisëj’ e ture u bë shpëtim ndë të tjera fili, që të qenë ata zili mbë ta.
12 E nd’është që grëmisëja e ature është zotëri e botësë, e varfëria e ature zotëri e filivet së tjera, sa më tepërë të mbushurit’ e ture?
13 Mbë ju Ethnikotë thom, ngjera sa jam unë Apostoll i Ethnikovet, të shërbieritë tim nderoj.
14 Mos vijë ndë zili kurmi im, e sos ndoca nga ata.
15 Sepse nd’u bë të shtirëtë poshtë t’ature të paqtuarit’ e botësë, ç’do të jetë të dheksurit’ e ture, përveçe të ngjallturitë nga të vdekuritë?
16 E nd’është të nisuritë të Shënjtëruarë, edhe brumëtë të Shënjtëruarë. E nd’është rrënja e Shënjtëruarë, edhe degatë.
17 E nd’u çqienë ca nga degatë, e ti që jeshe Ulli i egrë u mboliase ndë vënd të ture, e u bëre shok i rrënjësë, edhe i lezetit së ullirit.
18 Mos u mburr kondrë degavet. Ma ndë mburre, ti nukë mban rrënjënë, po rrënja të mban ti.
19 Ma do të thuaç: U çqienë degatë, që të mboliasem unë.
20 Mirë (thua), për të pabesllëk u çqienë, e ti rri i shëndoshë ndë besë. Mos u mburr adha, po trëmbu.
21 Sepse ndë mos kurceu Perndia degat’ e fisme, mos nukë kurcejë edhe tij.
22 Vështro adha të butëtë edhe të egrët’ e Perndisë. T’egrëtë mb’ata që ranë, e të butëtë mbë tij, ndë qëndrofç ndë të mirë. E ndë mos, do të priteç edhe tij.
23 Edhe ata ndë mos mbeçinë ndë të pabesllëk, do të mboliasenë përsëri, sepse Perndia është e fortë t’i mboliasjë ata edhe një herë.
24 Sepse nd’është që ti u këpute nga Ulliri i egrë i fismi, e u mboliase ndë të parafism Ulli të butë, sa më tepërë këta të fismitë do të mboliasenë ndë ulli të ture?
25 Sepse nukë dua unë, vëllazër, të mos e diji juvet këtë të fshehurë (të mos jini të urtë me vetëhe) që të verbuaritë mbë Israilë u bë mbënjanë, ngjera sa të hijë të mbushurit’ e filivet.
26 E kështu do të sosetë gjithë Israili, sikundr’ është shkruarë: Do të vijë nga Sioni ai që shpëton, e do të zbojë të pabesllëknë nga Iakovi.
27 E këjo dhjatë nga meje është mb’ata, kur t’u ngrë ature fajetë.
28 Këta dha nga an’ e Ungjillit janë armiq për juvet. E nga an’ e së zgjedhurësë, janë të dashurë për sebep të baballarëvet.
29 Sepse dhurëtit’ e Perndisë e të thirrëtë, nukë kanë të ndërruarë.
30 Sepse sikundrë nukë besuatë edhe juvet njëherë mbë Perndinë, e ndashti u eleisi Perndia për pabesllëkn’ e këture.
31 Kështu edhe këta ndashti nukë besuanë mbë lejmoni që u bë mbë juvet, që të gjejënë edhe ata lejmoni.
32 Se Perndia i shtrëngoi të gjithë ndë të pabesllëk, që të bëjë lejmoni për të gjithë.
33 O të thellë të së pasurësë e të sofisë e të dijturësë Perndisë! Sa të paksetaksura janë gjuqet’ e asaj, e të pakupëtuara udhët’ e saj!
34 Sepse kush njohu mëndien’ e Zotit? E kush i dha atij nasihat?
35 A cili qe i parë që t’i ip atij, e do t’i kthenetë atij mbë të prapë?
36 Sepse nga ai, edhe për atë, edhe mb’atë janë gjithë punëtë. Nde ai lëvdimi ndë jetë të jetësë. Ashtu qoftë!
Izraeli nuk është hedhur poshtë
1 Prandaj pyes: mos vallë Perëndia e ka hedhur poshtë popullin e vet? Larg qoftë! Unë vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Benjaminit. 2 Perëndia nuk e ka hedhur poshtë popullin e vet, të cilin e zgjodhi që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi për Elinë? Ai iu drejtua Perëndisë kundër Izraelit e i tha: 3 «O Zot, ata vranë profetët e tu dhe rrënuan altarët e tu. Vetëm unë kam mbetur, ata kërkojnë jetën time».
4 Por si u përgjigj Perëndia? «Kam ruajtur për vete shtatë mijë burra që nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit ». 5 Kështu, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një numër izraelitësh që Perëndia i ka zgjedhur me hirin e tij. 6 Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir .
7 E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa të tjerët u ngurtësuan, 8 sikurse është shkruar:
Perëndia u dha atyre
një shpirt plogështie,
sy për të mos parë
e veshë për të mos dëgjuar
deri në ditët e sotme.
9 Dhe Davidi thotë:
tryeza e tyre
u bëftë kurth e lak,
pengesë për rrëzimin
e ndëshkimin e tyre!
10 Sytë e tyre
u errësofshin për të mos parë
e kurrizi i tyre
u kërrustë gjithmonë!
Shpëtimi i kombeve
11 Prandaj pyes: mos vallë izraelitët u penguan për t'u rrënuar? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve që ata të kishin zili. 12 Nëse mangësia e tyre u bë pasuri për botën dhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më e madhe do të jetë plotësia e tyre!
13 Tani po ju flas juve, kombeve, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve. Unë po e lavdëroj shërbesën time 14 për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre. 15 Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë? 16 Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta.
17 Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit. 18 Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty.
19 Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë». 20 Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron, sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju. 21 Nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove.
22 Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti.
23 Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t'i shartuar përsëri. 24 Nëse ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet!
Kthimi i Izraelit te Perëndia
25 O vëllezër, që të mos mbaheni për të mençur, dua t'ju bëj të njohur këtë shestim të fshehtë të Perëndisë: një pjesë e Izraelit do të vazhdojë në kokëfortësinë e vet, derisa të gjitha kombet e tjera të hyjnë në shpëtimin e Perëndisë. 26 Dhe kështu i gjithë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar:
çlirimtari do të vijë
nga Sioni;
dhe do ta zhdukë mosbesimin
nga Jakobi.
27 Kjo është besëlidhja ime me ta,
kur t'i fshij mëkatet e tyre.
28 Meqenëse ata e kundërshtuan ungjillin, u bënë armiq të Perëndisë dhe kjo për të mirën tuaj, ndërsa, duke u zgjedhur nga Perëndia, janë të dashur për shkak të etërve. 29 Thirrja dhe dhuratat e Perëndisë janë të pakthyeshme.
30 Ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, por tani keni marrë mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre. 31 Po ashtu edhe këta tani nuk i binden Perëndisë, që për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të gjejnë edhe ata mëshirë. 32 Perëndia i kyçi të gjithë në mosbindje, që të tregonte mëshirë për të gjithë.
33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e njohjes së Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!
34 Po kush e njohu mendjen e Zotit?
Apo kush u bë këshilltar i tij?
35 Kush i ka dhënë ndonjëherë
ndonjë gjë Perëndisë,
që të kërkojë shpërblim prej tij?
36 Sepse prej tij, përmes tij e për të janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia në amshim! Amen!