Krie e parë
1 Pavllua ropi i Iisu Hristoit, që quhetë apostoll i shquarë për të qiriksurë Ungjilln’ e Perndisë.
2 (Atë që pat taksurë më përpara me anë të profitet ndë kartëra të Shënjtëruara).
3 Për të bir’ e tij (që mori kurm e u le nga fara e Dhavidhit.
4 Që u dëftua Bir Perndie me fuqi të tij, sikundr’ është Shpirti shënjtërisë për të ngjallturë nga të vdekuritë), Iisu Hristoit Zotit sonë.
5 (Me anë të tij muarm dhurëti e të dërguarë mbë gjithë filira që të digjojënë ndë besë të ëmërit së tij.
6 E ndë mes t’ature jini edhe juvet të thirrturë nga Iisu Hristoi).
7 Mbë gjith’ ata që gjëndenë ndë Rom, të dashurit’ e Perndisë, që quhenë Shënjtorë, dhuratë mbë ju, edhe paq nga Perndia babai inë, edhe nga Zoti Iisu Hristoi.
8 Protoparë lëvdoj Perndinë time me anë të Iisu Hristoit për gjithë juvet, sepse besa juaj digjonetë mbë gjithë botë.
9 Se martir është Perndia ime, që unë i lutem me gjithë Shpirt, mbë të vangjelisurë të birit së tij, që unë kurdo u kujtonem juvet.
10 Tuke luturë gjithënjë ndë të falturë tim, ndë qoftë ndonjëherë do të bëj udhë të mbarë për ëmër të Zotit, të vij ndër ju.
11 Sepse kam shumë dëshërim t’u shoh juvet, që t’u ap ndonjë dhurëti të Shpirtit, për të stereosurë juvet.
12 E këjo është të parigorisem bashkë me juvet për besë që kemi bashkë, tuajnë edhe timenë.
13 E dua ta diji juvet, o vëllazër, se shumë herë bëra nijet të vijë ndër juvet (e u mbodhiçë ngjera të sormenë) që të kem edhe mbë juvet ndonjë të mbrodhurë, si edhe ndë të tjeratë filira.
14 E jam borçli Elinëvet edhe Varvarëvet, sofovet edhe së marrëvet.
15 Kështu sa që mund jam gati të qiriks Ungjillë edhe ndë juvet që jini ndë Rom.
16 Sepse nukë turpëronem për Ungjill’ të Krishtit, se ai është fuqi e Perndisë për të dhënë shpëtim mbë cilëdo që beson, përpara Çifutit, e pastaje Elinit.
17 Sepse të drejtëtë (gjiqi) e Perndisë dëftonetë me anë t’atij (Ungjillit) besë mbë besë, sikundr’ është shkruarë: I drejti nga besa do të rrojë.
18 Sepse çfaqetë urgji e Perndisë nga Qielli kondrë çdo asevisë e adhiqisë njerëzet ature që mbajënë të vërtetënë nd’adhiqi.
19 Sepse atë që mund njeriu të njohë për Perndinë, ësht’ e çfaqurë mbë ta, se Perndia jua dëftoi ature.
20 Sepse punëtë të padukura të saje që kur u bë bota, dukenë me mënd ndë punëra të bëra, edhe fuqia e asaj e pasosura, edhe të qënët’ e Perndisë të vetëhesë, që të mos mundjënë ata të përgjegjenë.
21 Sepse ndonëse e njohnë Perndinë, nuk’ e nderuanë si Perndi, a ta efharistisnë, po u marruanë ndë mënd të ture, e u erëcua e pamëndia zëmër’ e ture.
22 Tuke thënë se janë sofo, u marruanë.
23 E këmbienë nder’ e Perndisë gjallë me konë njeriut që prishetë, e të zogjet e të kafshëvet me katër këmbë, e të gjërpinjet.
24 Pra andaj i la ata Perndia ndë dëshërim të zëmërësë ture ndë të pëgërë, kaqë sa të turpëronenë kurmet’ e ture mb’ata.
25 Këta këmbienë të vërtetën’ e Perndisë ndë gënjeshtrë, e nderuanë e ju falë dheut më shumë se atij që bëri dhenë, që ai është i bekuarë jetë pas jetet. Me të vërteta.
26 Pra andaj i dha ata Perndia ndë mundime të ndiera, sepse grat’ e ture taksnë që qe vënë nga fisi, e këmbienë nd’ataksi të parafisit.
27 Kështu edhe meshkujt’ e ture, si lanë të bashkuarit’ e fisit së gruasë, u dogjnë nd’oreks të ture njeri mbë jatërinë, tuke bërë turpnë meshkujtë mbë meshkuj, e muarrë pagënë që u duhej të gënjeshtrësë ture mbë vetëhe të ture.
28 E sikundrë nukë deshnë të njihnë Perndinë, i dha ata Perndia ndë një mënd të keq, që të bëjënë punëra që s’kanë udhë.
29 Plot me çdofarë të shtrëmbërë, me kurvëri, djallëzi, lakëmim, të keqe, plot me zili, me vreilë, me qartë, me gënjeshtrë, me dinakëri.
30 Murmunjarë, korkosurë, armiqt’ e Perndisë, fjalëligj, magrurë, të pabejendisurë, sofo ndë të gjeturë të së keqesë, të pabindurë ndë përinj.
31 Të marrë, të papaturë një kshill, të padashuri, të pamiqësi, të palejmosin.
32 Këta ndonëse e njohnë gjuqn’ e Perndisë (se ata që bëjënë këto janë të zotë për vdekëjë), jo vetëmë ata i bëjënë, po edhe mburrjënë ata që i bëjënë.
Përshëndetje
1 Unë, Pali, jam shërbëtor i Krishtit Jezu dhe Perëndia më ka thirrur për të qenë apostull e më ka ndarë veç për të predikuar ungjillin e Perëndisë. 2 Ky ungjill, që Perëndia e premtoi që më parë përmes profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, 3 flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për nga mishi, ai është pasardhës i Davidit, 4 ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve.
5 Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij. 6 Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti.
7 Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht!
8 Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën. 9 Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim 10 në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund. 11 Kam shumë dëshirë t'ju shoh për t'ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore, që të forcoheni 12 dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim.
13 Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndër mend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani. 14 Unë u detyrohem edhe helenëve, edhe barbarëve, edhe të diturve, edhe të paditurve. 15 Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t'jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
Fuqia e ungjillit
16 Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. 17 Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë , sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit.
Faji i njerëzimit
18 Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës. 19 Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre. 20 Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim. 21 Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. 22 Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë 23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët.
24 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit. 25 Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen!
26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. 27 Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre.
28 Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë. 29 Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje , lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues, 30 shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, 31 të pamend, të pabesë, pa dashuri e të pamëshirshëm. 32 Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë.