Krie e pesëtë
1 E u hodhë mb’anë të tejme të detit, mbë fshat të Gadharinovet.
2 E poqë dolli ai nga varka, atëherë e poqi atë një njeri me Shpirt të pëgërë, që duall nga varretë.
3 Ai kishte të ndënjurit’ e tij ndë varre, e as me zinçirë s’mund ta lidh atë njeri.
4 E ndonëse e lidhë atë shumë herë me zinçirë, edhe me hekura mbë këmbë, edhe zinçiretë i këput, edhe hekurat’ e këmbëvet, e ndonjë s’mund ta mbante atë.
5 E gjithë kohënë nat’ e ditë rrijte ndëpër male, e ndëpër varre, tuke prerë vetëhen’ e tij me gurë.
6 E si pa Iisunë për së largut, u lëshua me vrap, e u fal nde ai.
7 E si briti me zë të madh, i tha: Ç’ke të bëç ti me mua Iisu i biri i Perndisë së lartë? Të betoj te Perndia të mos më mundoç.
8 (Sepse i thosh atij: Del jashtë nga njeriu Shpirt i pëgërë.)
9 E e piet atë: Ç’është ëmëri it? E u përgjegj, e tha: Legjeon është ëmëri im, se jemi shumë.
10 E i lutej atij shumë, që të mos i dërgon ata jashtë nga vëndi.
11 E atje rrotull malevet ishte një kope derravet e madhe, që kullotnë.
12 E i lutejn’ atij gjithë të paudhëtë, e thoshnë: Dërgona navet të hijëmë mbë derra, e të rrimë mb’ata. E atëherë u dha urdhërinë ature Iisui.
13 E si duallë Shpirtet’ e pëgëra, hinë mbë derra, e u vërsul kopeja me vrap, e u gremis mbë det (që qenë ngjera di mijë) e u mbitnë mbë det.
14 E ata që kullotnë derratë iknë, e vanë të rrëfeijnë ndë qutet edhe ndë fshatëra.
15 E duallë të shihnë ç’është këjo që u bë; e vijënë tek ishte Iisui, e shohënë të dhemonisurinë, atë që kish legjeonë që rrijte veshurë rrobatë, edhe urtëcuarë, e u frikuanë.
16 E ata që e panë, u rrëfienë ature të gjitha ç’u bënë te i dhemonisuri, edhe ç’u bë ndë derra.
17 E nisnë t’i lutejn’atij, që të dil nga sinoret’ e ture.
18 E si hipi ai mbë varkë, i lutej atij ai që pat të paudhëtë, që të rrij bashkë me të.
19 E Iisuj nuk’ e la atë, po i tha atij: Hajde mbë shtëpi tënde, mbë njerëz të tu, e thuaj ature sa bëri tek teje Zoti, e i erdhi keq për ti.
20 E vate; e nisi të rrëfente ndë Dhekapol sa bëri nde ai Iisui, e çuditeshinë të gjithë.
21 E si shkoi pagjene Iisui mb’anë të përtejme me varkë, u mbëjuadhë nde ai shumë turmë; e qe mbanë detit.
22 E na, i vjen një nga të parët’ e sinagojit, që kish ëmërinë Iairo, e si e pa atë, i ra mbë këmbë të tij.
23 E i lutej atij shumë, e i thosh se: Vashëza ime është mbë të vdekurë. Nxito, e të vëç mbi të duartë, të shpëtojë, e të rrojë.
24 E vate bashkë me të, e vint’ pas si shumë turmë, e e shtrëngoijnë atë.
25 (E një grua që kish të rrjedhurë të gjakut dimbëdhjetë vjet.
26 E kishte hequrë shumë nga shumë xherahë, e kish prishurë gjithë gjën’ e saj pa mbrodhurë, po ishte bërë më keq.
27 Si digjoi për Iisunë, erdhi prapazë ndë turmë, e zuri rrobën’ e tij.
28 Sepse thosh, që: Edhe rrobën’ e tij ndë zufça, do të shëronem.
29 E atë çast ju tha të rrjedhurit’ e gjakut së saj, e digjoi mbë kurm të saj se u shërua nga ajo plagë.
30 E Iisui atë çast si digjoi brënda mbë vetëhe të tij fuqinë që dolli nga vetëheja e tij, u kthie ndë turmë, e thoshte: Cili më zuri nga rrobatë?
31 E mathitit’ e tij i thoshnë atij: Sheh turmënë që të shtrëngon, e thua cili më zuri?
32 E vështron rrotullë të shih atë që bëri këtë.
33 E gruaja, si e dij atë që u bë mbë të, u frikua, e dridhej, e erdhi e i ra mbë këmbë të tij, e i tha atij gjithë të vërtetënë.
34 Edhe ai i tha asaj: Bijë, besa jote të sosi ti, ecë ndë të mirë tënde, e shërou nga të keqtë tat).
35 E pa sosurë ai fjalënë vijënë nga i pari sinagojit, e thonë, se: Vashëza jote vdiqi, pse i ep tjatër zahmet dhaskalit?
36 Edhe Iisui atë çast poqë digjoi fjalënë që thanë, i thotë së parit së sinagojit: Mos u trëmb, po vetëmë beso.
37 E nukë la njeri të vinte pas si, përveçme Petronë, edhe Iakovonë, edhe Ioannë, të vëllan’ e Iakovoit.
38 E vjen mbë shtëpi të së parit së sinagojit, e sheh shumë nakatosí, e shumë që qajnë, edhe ulërijnë fort.
39 E si hiri brënda u thot’ ature: Pse nakatoseni e qani? Vashëza nukë vdiqi, po flë.
40 E e përqeshnë atë. Edhe ai si i kreu të gjithë jashtë, mori me vetëhe të jatn’ e djalit, edhe mëmënë, edhe ata që pat me vetëhe, e vate brënda tek qe vashëza shtrijturë.
41 E si e zuri vashëzënë nga dora, i thot’ asaj: Talitha kumi, që domethënë: Vashëza (ti të thom), ngreu.
42 E u ngre atë çast vashëza mbë këmbë, e ecënte; sepse ishte dimbëdhjetë vjeç, e u çuditnë çudi të madhe.
43 E i porsiti ata shumë, që të mos e dijë ndonjë njeri këtë; e u tha t’i apënë asaj të hajë.
Shërimi i të pushtuarit nga djalli
(Mt 8.28-34Lk 8.26-39)
1 Arritën në bregun tjetër të liqenit, në vendin e gerasenëve 2 dhe menjëherë, sapo doli Jezui nga varka, erdhi nga varrezat tek ai një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë. 3 Ai banonte në varreza dhe askush nuk mund ta lidhte më as me zinxhirë, 4 sepse disa herë e kishin lidhur me pranga e zinxhirë, por ai i kishte këputur zinxhirët e i kishte thyer prangat dhe askush nuk mund ta zbuste dot. 5 Natë e ditë rrinte nëpër varre e nëpër male, duke bërtitur e duke e prerë veten me gurë. 6 Kur e pa Jezuin nga larg, ai vrapoi, ra në gjunjë para tij 7 dhe thirri me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të përbej për Perëndinë, mos më mundo!». 8 Jezui i tha: «Shpirt i ndyrë, dil nga ky njeri!». 9 Dhe e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai iu përgjigj: «Emri im është Legjion, se jemi shumë». 10 Dhe djalli i lutej shumë Jezuit që të mos e dëbonte jashtë atij vendi.
11 Aty pranë malit gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin. 12 Shpirtrat e ndyrë iu lutën Jezuit e i thanë: «Na dërgo të hyjmë te derrat!». 13 Dhe ai i lejoi. Atëherë shpirtrat e ndyrë, me të dalë prej tij, u futën te derrat dhe tufa që gati arrinte numrin dy mijë, u hodh nga humnera në liqen e u mbyt. 14 Rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. 15 Ata erdhën pranë Jezuit dhe kur panë të pushtuarin nga djalli, atë që kishte pasur Legjionin, që rrinte ulur dhe ishte i veshur e me mendje në rregull, i zuri frika.
16 Ata që e kishin parë ngjarjen treguan çfarë kishte ndodhur me të pushtuarin nga djalli e me derrat. 17 Atëherë ata iu lutën Jezuit që të largohej nga krahina e tyre. 18 Ndërsa Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga djalli i lutej të rrinte me të. 19 Jezui nuk e lejoi, por i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka bërë Zoti e sesi tregoi mëshirë për ty». 20 Atëherë ai u largua dhe nëpër mbarë Dekapojën shpallte atë që kishte bërë Jezui për të dhe të gjithë mahniteshin.
Prekja shëruese
(Mt 9.18-26Lk 8.40-56)
21 Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, 22 erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë 23 e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». 24 Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas.
25 Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. 26 Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. 27 Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. 28 Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». 29 Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. 30 Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». 31 Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». 32 Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. 33 Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. 34 Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote».
35 Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». 36 Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». 37 Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». 40 Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. 41 Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». 42 Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç.
Atëherë u habitën pa masë. 43 Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante.