Krie e tretë
1 E hiri pagjene ndë Sinaguaj, e atje ishte një njeri që kish dorënë të thatë.
2 E vijnë re atë të shihnë ndë duan ta shëron atë të shëtunë, që ta kallëzoijnë atë.
3 E i thotë njeriut që kish dorënë të thatë: Ngreu e eja ndë mes.
4 E u thot ature: Është ndëjierë të bëjë njeriu të mirë të shëtunatë, a të bëjë të keq? Të sosjë Shpirt, a ta humbasjë? E ata nukë flisnë.
5 E si i vështroi ata me të zëmëruarë, sepse i eleimonisej për të verbuarit’ e zëmërësë ture, i thotë njeriut: Ndër dorënë tënde. E e ndëri, e u bë dor’ e tij e shëndoshë, posi edhe tjetëra.
6 E atë çast si duallë Farisejtë bashkë me Irodhianotë, bënë mushaveré kondr’ atij, që ta vrisnë atë.
7 Edhe Iisui u hoq mbënjanë, e vate nga an’ e detit bashkë me mathitit’ e tij, e shumë turmë nga Galilea vinte pas tij, edhe nga Iudhea.
8 Edhe nga Ierusalimi, edhe nga Idhumea, edhe nga anët’ e përtejme të Iordhanit, edhe nga anëtë që janë rrotullë Tirosë edhe Sidhonësë, shumë njerëz si digjuanë ato që bënte Iisui, erdhë nde ai.
9 E u tha mathitivet së tij, që të presë atë një varkë të hijë mbë të për turmë, që të mos e shtipëjnë atë turm’ e njerëzet.
10 Sepse shëroi shumë, kaqë që bijnë mbi të ata që kishnë të keq, që të ngisnë me dorë prej si.
11 E Shpirtet’ e pëgëra poq’ e shihnë atë, bijnë mbë këmbë të tij, e thërrisnë, e thoshnë se: Ti je i biri i Perndisë.
12 E i qërton ata shumë, që të mos e dëftoijnë atë.
13 E si hipi mbë një mal, thirri pas tij ata që deshi ai, e vanë afër.
14 E sgjodhi dimbëdhjetë, që të jenë bashkë me të, edhe t’i dërgojë ata të dhidhaksjënë.
15 Edhe të kenë urdhër të shërojënë sëmundëtë, edhe të zbojënë të paudhëtë.
16 E i vuri Simonit ëmërinë Petro.
17 Edhe Iakovonë të birë e Zevedheosë, edhe Ioannë të vëllan’ e Iakovoit (e u vuri ature ëmërë Voanergjes, domethënë: të bijt’ e brumbullimit).
18 Edhe Andhreanë, edhe Filipnë, edhe Varthollomeonë, edhe Mattheonë, edhe Thomanë, edhe Iakovonë të bir’ e Allfeosë, edhe Thadheonë, edhe Simonë Kananitnë.
19 Edhe Iskariotnë Iudhënë, atë që e paradhosi, e vijënë mbë shtëpi.
20 E u përmbëjuadhë pagjene turmë, kaqë që nukë mundnë as bukë të haijnë.
21 E si digjuanë këto njerëzit’ e tij, duallë jashtë ta mbajnë atë, se thoshnë që dolli nga mëntë.
22 E Grammatejtë që erdhë nga Ierusalimi, thoshnë se: Ka Veellzevullë, e me anë të së parit së paudhëvet, kren të paudhëtë.
23 E si thirri ata gjithë, u thosh ature me paravolira: Qish mund Satanai të krejë satananë?
24 E ndë qoftë që të ndahetë një mbretëri mbë vetëhe të saj, nukë mund të qëndrojë ajo mbretëri.
25 Edhe ndë qoftë që të ndahetë një shtëpi mbë vetëhe të saj, nukë mund të qëndrojë ajo shtëpi.
26 E ndë u ngreftë satanai kondrë vetëhesë tij e të ndahetë, nukë mund të qëndrojë, po është sosëj’ e tij.
27 S’mund ndonjë njeri të hijë ndë shtëpi të së fortit, e t’i marrë armëtë, ndë mos lidhtë më përpara të fortinë, e pastaj t’i grabitjë shtëpin’ e tij.
28 Me të vërteta u thom juvet, se gjithë fajetë do t’u ndëjenenë bijet së njerëzet, edhe vllasfimira sa që të vllasfimisjënë.
29 Po ai që të vllasfimisjë nde Shënjti Shpirt, nukë ka të ndëjierë mbë gjithë jetë, po është fajëtuar për gjuq të pasosurë.
30 Sepse thoshnë: Shpirt të pëgërë ka.
31 E i vijnë dha vëllazëritë edhe ëm’ e tij, e si qëndruanë jashtë, dërguanë nde ai ta thërrisnë.
32 E rrijnë turmë rrotull atij, e i than’ atij: Ja, ëmma jote, edhe vëllazërit’ e tu, të kërkojënë ti jashtë.
33 E u përgjegj ature, e u tha: Cila është mëma ime, a vëllazërit’ e mi?
34 E si vështroi rrotull mb’ata që rrijnë pranë tij, thotë: Na mëma ime, edhe vëllazërit’ e mi.
35 Se ai që të bëjë ato që i pëlqejënë Perndisë, ai është vëllai im, edhe motra ime, edhe mëma.
Njeriu me dorë të tharë
(Mt 12.9-14Lk 6.6-11)
1 Jezui hyri përsëri në një sinagogë dhe aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. 2 Farisenjtë e vëzhgonin me kujdes për të parë nëse do ta shëronte ditën e shtunë, që të mund ta padisnin. 3 Jezui i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e dil në mes!». 4 Pastaj iu drejtua atyre: «A është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën, të shpëtosh një jetë apo të vrasësh?». Por ata heshtën. 5 Jezui pa përreth i zemëruar dhe, me keqardhje për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua plotësisht.
6 Farisenjtë dolën përjashta e u këshilluan me herodianët që ta vrisnin.
Turma në bregun e liqenit
7 Jezui shkoi bashkë me dishepujt drejt liqenit, ku e ndoqi një turmë e madhe njerëzish nga Galilea e Judeja, 8 nga Jerusalemi e Idumeja, nga bregu tjetër i Jordanit, nga rrethinat e Tirit e të Sidonit. Ishte një turmë e madhe që, me të dëgjuar çfarë bënte, erdhi tek ai. 9 Jezui u tha dishepujve t'i bënin gati një varkë të vogël, që të mos e shtypte turma, 10 sepse ai kishte shëruar aq shumë veta, saqë të gjithë ata që kishin sëmundje shtyheshin drejt tij për ta prekur. 11 Kur e shihnin, shpirtrat e ndyrë binin përmbys para tij, duke thirrur: «Ti je Biri i Perëndisë». 12 Dhe ai i urdhëronte rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të.
Zgjedhja e të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1-4Lk 6.12-16)
13 Pastaj u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që donte. Ata shkuan tek ai 14 dhe ai caktoi të dymbëdhjetët, që i quajti apostuj , që të qëndronin me të e t'i dërgonte të predikonin, 15 duke u dhënë pushtet për të dëbuar djajtë. 16 Ja të dymbëdhjetët : Simoni, të cilit i vuri emrin Pjetër, 17 Jakobi, biri i Zebedeut, e Gjoni, vëllai i Jakobit, të cilëve u vuri emrin Boanerges, që do të thotë «bijtë e bubullimës», 18 Andrea e Filipi, Bartolomeu e Mateu, Thomai e Jakobi, biri i Alfeut, Tadeu, Simon Kananiti 19 e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-32Lk 11.14-23Lk 12.10)
20 Pastaj Jezui shkoi në një shtëpi dhe përsëri u mblodh një turmë, sa nuk mundën as të hanin bukë. 21 Kur e morën vesh këtë gjë, të afërmit e tij erdhën ta merrnin, sepse thoshin: «Nuk është në vete». 22 Por shkruesit që kishin ardhur nga Jerusalemi thoshin: «Ka Beelzebulin brenda dhe i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».
23 Jezui i thirri pranë vetes e filloi t'u fliste me shëmbëlltyra: «E si është e mundur që Satani të dëbojë Satanin? 24 Nëse një mbretëri është e përçarë, kjo mbretëri nuk mund të qëndrojë më këmbë. 25 Dhe nëse një shtëpi është e përçarë, kjo shtëpi nuk mund të qëndrojë më këmbë. 26 Nëse Satani është ngritur kundër vetes dhe është përçarë, nuk mund të qëndrojë më këmbë, por ka marrë fund. 27 Por askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë nëse nuk e ka lidhur më parë të fortin. Vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.
28 Me të vërtetë po ju them se gjithçka do t'u falet bijve të njerëzve, edhe mëkatet që kanë bërë, edhe fyerjet ndaj Perëndisë, 29 por kushdo që fyen Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet në amshim. Ai është fajtor me mëkat të amshuar».
30 Jezui i tha të gjitha këto, sepse ata thoshin: «Është i pushtuar nga një shpirt i ndyrë».
E ëma dhe vëllezërit
(Mt 12.46-50Lk 8.19-21)
31 Ndërkaq erdhën e ëma dhe vëllezërit e tij. Ata u ulën përjashta dhe dërguan dikë për ta thirrur. 32 Një turmë rrinte ulur rreth tij e dikush i tha: «Nëna jote, vëllezërit e tu e motrat janë përjashta e po të kërkojnë». 33 Ai iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». 34 Pastaj vështroi ata që ishin ulur rreth tij e tha: «Ja nëna ime e vëllezërit e mi. 35 Kushdo që bën vullnetin e Perëndisë është vëllai im, motra ime e nëna ime».