Krie e dhjetëtë
1 E si u ngre ateje, vjen ndë sinorë të Iudheësë, përtej Iordhanit. E pameta vijënë me të bashkë shumë turmë njerëzet, e përsëri i dhidhaks ata si edhe përpara.
2 E si ju qasnë pranë Farisejtë, e pietn’ atë, nd’është ndëjierë të ndajë burri gruanë, tuke guciturë atë.
3 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Ç’ju porsiti juvet Moisiu?
4 Edhe ata i thanë: Moisiu na porsiti të shkruajmë kartë të së ndarit, e ta ndajëmë.
5 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha ature: Si pa zëmërënë tuaj të keqenë u shkroi juvet këtë porsi.
6 Po që kur u bë pllasi, mashkull edhe fëmërë i bëri ata Perndia.
7 E për këtë do të lërë njeriu baban’ e tij edhe mëmënë, e do të bashkonetë me grua të tij.
8 E do të bënenë të di një kurm, kaqë që s’janë më di, po një kurm.
9 Atë dha që bashkoi Perndia, njeriu le të mos e ndajë.
10 E pameta ndë shtëpi e pietn’ atë mathitit’ e tij për atë.
11 E u thot’ ature: Çdo njeri që të ndajë gruan’ e tij e të martonetë me tjatër, bën mihi mbë të.
12 E pameta ndë ndajtitë gruaja burrën’ e saj, e të martonetë me tjatër, ajo bën mihi (kurvëri).
13 E i prun’ atij djelm, që të vij duartë mbi ta, e mathititë i qërtoijnë ata që i prunë.
14 E si pa Iisui, u zëmërua, e u tha ature: Liri djelmtë të vijënë ndek u, e mos i mbodhisni ata, se së tillëvet është mbretëria e Perndisë.
15 Me të vërteta u thom juvet, ai që të mos marrë mbretërin’ e Perndisë posi djalë, do të mos hijë mbë të.
16 E si i angaliasi ata, e vuri duartë mbi ta, i bekoi ata.
17 E tek dolli ai të mirr udhë, u lëshua një me vrap, e i ra mbë këmbë, e e piet atë, e i thosh: Dhaskal i mirë, ç’të bëj të marr pjesë jetën’ e pasosurë?
18 Edhe Iisui i tha atij: Pse më thua të mirë? S’është ndonjë i mirë, përveçme një, Perndia.
19 Porsitë i di: Mos miheps e kurvëroç, mos vraç njeri, mos vidh, mos bën martiri mbë të rrem, ndero babanë edhe mëmënë tënde.
20 Edhe ai u përgjegj e i tha atij: Dhaskal, këto të gjitha i ruajta që ndë të ri tim.
21 Edhe Iisui si vështroi nde ai me si të mirë, e deshi atë, e i tha atij: Edhe një të lipsetë, hajde e sa ke shiti, e epua së varfëret, e do të keç hazine ndë Qiell, e eja, e si të ngrëç Kruqnë, ecë pas gjurmëvet së mia.
22 Edhe ai u vrë për këtë fjalë, e iku helmuarë, sepse kishte gjë shumë.
23 E si vështroi rrotull Iisui, u tha mathitivet së tij, se të pasuritë me shumë shtrëngim do të hijënë ndë mbretëri të Perndisë.
24 E mathititë çuditejnë për fjalë të tij. E Iisui pameta u përgjegj, e u tha ature: Djelm, sa zahmet është të hijënë ndë mbretëri të Perndisë ata që kanë omuthnë ndë gjë.
25 M’e kollajtë është të shkojë gamilia ndëpër vërrë të gjëlpërësë, se të hijë i pasuri ndë mbretëri të Perndisë.
26 E ata më tepër çuditejnë, e thoshnë me vetëhe të ture, që cili vallë mund të sosetë?
27 E si vështroi mb’ata Iisui, thotë: Mbanë njerëzet s’mund të bënetë, po mb’anë të Perndisë; se mb’anë të Perndisë të gjitha janë të kollajta.
28 E Petrua nisi t’i thosh atij: Ja navet që i lam të gjitha e erdhm pas teje.
29 Edhe Iisui u përgjegj, e u tha: Me të vërteta u thom juvet, nuk’ është ndonjë që të lërë shtëpi, a vëllazër, a motra, a baba, a mëmë, a grua, a djelm, a ara për mua edhe për Ungjill.
30 Që të mos marrë njëqind për një ndashti ndë këtë jetë, shtëpira, e vëllazër, e motra, e mëmë, e djelm, e ara, ndë mes të vdekëjësë, edhe ndë jetë që vjen, jetë të pasosurë.
31 E shumë nga të parëtë do të bënenë të pastajmë, e nga të pastajmitë të parë.
32 E ishnë mb’udhë që hipëijnë prej Ierusalimit, e Iisui u shkon përpara ature, e çuditejnë, e i vijnë pas me frikë. E si mori pameta mbënjanë të dimbëdhjetë, nisi t’u rrëfen ature ato që duajnë t’i vijnë atij.
33 Se ja që vemi navet lart ndë Ierusalim, e i biri njeriut do të ipetë ndë të parët’ e priftëret edhe ndë Grammatej, e do ta gjukojënë atë ndë milete të tjera.
34 E do ta përqeshjënë atë, e do ta rrahënë me kamçi, e do ta pështijënë mbë faqe, e do ta vrasënë, e të tretënë ditë do të ngjalletë.
35 E ju qasnë afër atij Iakovoi edhe Ioanni, të bijt’ e Zevedheosë, e i thonë: Dhaskal, duamë të na bëç navet atë që do të të kërkojëmë.
36 Edhe ai u tha ature: Ç’doni të ju bëj unë juvet?
37 Edhe ata i than’ atij: Epna navet që të rrimë ndë mbretëri tënde njëri mb’anë të djathëtë, e njëri mb’anë të mëngjërë.
38 Edhe Iisui u tha ature: Nukë diji se ç’kërkoni. Mundni të piji potirë që pi unë, edhe të pagëzoneni pagëzimnë që pagëzonem unë?
39 Edhe ata i than’ atij: Mundjëmë. Edhe Iisui u thot’ ature: Vërtet potirë që pi unë, do ta piji, edhe me pagëzim që pagëzonem unë do të pagëzoneni.
40 Po të rriji mb’anë time të djathëtë, edhe mb’anë time të mëngjërë, nuk’ është imia t’ua ap, po (do t’ipetë) ature që është bërë gati për ta.
41 E si e digjuanë të dhjetë nisnë të zëmëronishnë për Iakovonë edhe për Ioannë.
42 Edhe Iisui i thirri ata, e u tha: E diji juvet që ata që vënë ndër mënd të urdhërojënë filit’ e tjera, ata dëftojënë urdhërinë mbi to, e të parët’ e ature i mundojënë ato.
43 Po ndë juvet nukë do të jetë kështu; po ai që do të jetë m’i madh ndë juvet, do të jetë shërbëtori juaj.
44 Edhe ai nga juvet që do të jetë i parë, do të jetë kopil i së gjithëvet.
45 Sepse i biri i njeriut nuk’ erdhi të shërbenetë, po të shërbejë, e të apë Shpirtin’ e tij për kseshpërblim të së shumëvet.
46 E vijënë ndë Ieriho, e si dolli ai edhe mathitit’ e tij, edhe shumë turmë nga Ierihoja, Vartimeoi i verbëri i biri i Timeosë, rrijte mb’anë t’udhësë, e lipën.
47 E si digjoi se është Iisui Nazarinoi, nisi të thërrit, e të thosh: Iisu i biri Dhavidhit lejmonismë mua.
48 E e qërtoijn’ atë shumë, që të pushojë, e ai shumë më tepër thërrit: I biri Dhavidhit, lejmonismë mua.
49 E si qëndroi Iisui, tha ta thërrisn’ atë, e i thërresënë të verbërit, e i thoshnë: Kij tharos, ngreu, të thërret tij.
50 Edhe ai si sveshi gunën’ e tij, u ngre e erdhi te Iisui.
51 E ju përgjegj Iisui, e i thotë: Ç’do të të bëj ti? Edhe i verbëri i thot’ atij: Dhaskal, që të shoh.
52 Edhe Iisui i thot’ atij: Haide, besa jote të sosi ti. E atë
Çështja e divorcit
(Mt 19.1-12)
1 Jezui u largua që andej e shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit, e përsëri turmat u mblodhën pranë tij. Ai filloi përsëri t'i mësonte, siç e kishte zakon. 2 Disa farisenj iu afruan dhe, për ta zënë në kurth, e pyetën: «A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan?». 3 Jezui u përgjigj: «Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?». 4 Ata i thanë: «Moisiu ka lejuar t'i shkruhet gruas fletëndarja e të lihet ». 5 Jezui u tha: «Ai jua ka shkruar këtë urdhërim për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj, 6 por që nga fillimi i krijimit Perëndia bëri mashkullin e femrën. 7 Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e vet 8 dhe të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk do të jenë më dy, por një trup i vetëm. 9 Prandaj atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!».
10 Kur u kthyen në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën përsëri për këtë gjë. 11 Ai u tha: «Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore ndaj saj, 12 dhe kushdo që e ndan burrin e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore».
Bekimi i fëmijëve
(Mt 19.13-15Lk 18.15-17)
13 Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. 14 Kur i pa, Jezui u zemërua e u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 15 Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». 16 Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
Njeriu i pasur
(Mt 19.16-30Lk 18.18-30)
17 Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 18 Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 19 Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde! ». 20 Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 21 Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 22 Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. 23 Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». 24 Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë . 25 Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26 Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27 Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».
28 Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje». 29 Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë ose atë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit 30 nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish, shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme. 31 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mt 20.17-19Lk 18.31-34)
32 Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t'u tregonte çfarë do t'i ndodhte: 33 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do t'ua dorëzojnë kombeve. 34 Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».
Mbretërimi si shërbim
(Mt 20.20-28)
35 Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan e i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë». 36 Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 37 Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde». 38 Por Jezui u tha: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem unë?». 39 Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën që do të pi unë do ta pini edhe ju e do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem edhe unë, 40 por që të uleni në të djathtën a në të majtën time, nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre për të cilët janë përgatitur». 41 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me Jakobin e me Gjonin. 42 Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se ata që e mbajnë veten si krerë të kombeve sundojnë mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to. 43 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, 44 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve, 45 sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi t'i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».
Shërimi i Bartimeut
(Mt 20.29-34Lk 18.35-43)
46 Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt e me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës. 47 Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 48 Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 49 Jezui ndaloi e tha: «Thirreni!». Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret». 50 Ai hodhi tej gunën, brofi më këmbë e shkoi te Jezui. 51 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri». 52 Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit.